Rama: Nga 1 marsi i vitit të ardhshëm, paga më e ulët do bëhet 375 mijë lekë, s’ka rritje rroge për mua dhe ministrat

467
Sigal

Kryeministri
Edi Rama u zotua se  paga minimale do të bëhet 375 mijë lekë të vjetra,
nga 220 që është aktualisht. Premtimi u bë kur qeveria prezantoi këtë të
mërkurë  planin e saj për modernizimin e administratës publike, duke e
vënë theksin tek rritja e rrogave për punonjësit e kësaj kategorie. Duke marrë
fjalën në këtë event, kryeministri Rama ka deklaruar se shërbëtorët e shtetit
duhet të vlerësohen për kontributin e tyre në realizimin e reformave të
qeverisë së tij. Kreu i ekzekutivit tha se pagat mesatarisht do të rriten 7%,
por për pagën më të ulët kjo rritje shkon në 36%.

“Ne kemi pagën më të ulët në shtet sot për gjithë
shërbimet mbështetëse po themi, e kemi 220 milje lekë të vjetra. Me këtë paketë
e çojmë pagën më të ulët në shtet 375 mijë lekë të vjetra, a është mjaft, nuk
është mjaft. Po a është shumë më tepër për njerëz rropaten për të krijuar
kushtet higjienike, logjistike të punës në administratë prej nuk mbahet mend se
kurrë me 220 mijë lekë të vjetra.

Me të njëjtin princip duke filluar nga poshtë ne kemi një
piramide rritjesh pagash tërësisht të re. Pra nëse një specialist i kategorisë
së tretë e ka sot pagën aktuale 355 mijë lekë, rritja shkon në 379 mijë lekë
dhe kështu në mënyrë progresive kemi një rritje e cila kur vinte paga bruto
bëhet 589 mijë lekë. Prapë nuk është shumë, por është shumë më tepër seç është.

Duke filluar nga 1 marsi i vitit të ardhshëm ju do të
keni një pagë më të mirë. Mesatarja është 7 %, por për pagën më të ulët është
36% dhe shkon duke u shkallëzuar deri tek unë që nuk marr asnjë qindarkë më
shumë rritje, as ministri i Financave, as deputetët. Pra ne që marrim më shumë
nuk duhet të fitojmë asgjë nga kjo rritje”,  tha ai.