Rama në Lushnjë: Rritja e investimit në sera, impakt tek eksportet

544
“Agro100 (sera)” është programi më i ri qeveritar për trefishimin e sipërfaqes me sera deri në fund të vitit 2017 dhe përdorimin e teknologjive inovative. Kjo paketë e re financiare, së bashku me përftimet nga programi i Fondit Kombëtar të Garancisë në bujqësi synon mbështetjen e eksporteve të produkteve shqiptare, që prej dy vitesh janë në rritje. Për të promovuar këtë mbështetje të re me prodhuesit dhe agro përpunuesit, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot, serat e “Agrocon” në Krutje të Lushnjes, ku po vazhdon investimi për ngritjen e serave më të mëdha e moderne në vend. Përmes programit “Agro100”, qeveria do të ofrojë mbështetje direkte financiare për ata investitorë që do të ndërtojnë sera nga 10 deri në 100 hektarë. Gjatë këtyre dy viteve, qeveria ka mbështetur me iniciativa të ndryshme rritjen e sipërfaqes me sera, e cila, krahasuar me vitin 2013, është dyfishuar. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e eksporteve bujqësore në vitin 2015. “Në dy vjet e kemi dyfishuar sipërfaqen e serave dhe kjo ka sjellë një impakt të menjëhershëm në eksport. Viti 2015 ka pasur një bum të eksporteve dhe një zhvillim shumë pozitiv edhe për tregun e brendshëm. Por tani duam të çojmë më përpara procesin e mbështetjes direkte. Për 10 ha sera, ne do të japim 100 mijë dollarë në 5 vjet. Për 100 ha fermë, do të japim 1 milionë dollarë në 5 vjet, mbështetje direkte,” – u shpreh Kryeministri Rama, që shoqërohej në këtë vizitë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti. “Agrocon” me një investim në fazën e parë prej 5 milionë euro po ngre serat më të mëdha në vend me shtrirje deri në 10 hektarë dhe vlerë totale investimi 25 milionë euro në përfundim të projektit. Aktiviteti i kompanisë përfshin një numër zinxhir procesesh, që nga investimi në prodhimin e produkteve bujqësore në ndërtimi e një qendre të madhe të grumbullimit dhe procesimit të tyre si selektimi dhe ambalazhimi, me qëllim eksportin, kryesisht në tregjet e Europës Perëndimore. “Jemi në fazën e ndërtimit dhe në total do të shkoj në 10 hektarë sera. Serat janë të teknologjisë së lartë. Për produktin shqiptar ka një kërkesë jashtëzakonisht të madhe të eksportit. E rëndësishme është të plotësohet standardi dhe sasia,” – tha Florian Lama, përfaqësues i kompanisë.
Sigal