Rama na mashtroi, asnjë premtim i mbajtur për ushtarakët

    99

    Forum/ Flasin Kolonel Pëllumb Zaimi dhe Zyhdi Kroi, presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve

    Ushtarakët ndihen të zhgënjyer dhe ca më keq akoma të mashtruar nga qeveria “Rama”. Sipas tyre, asnjë premtim i fushatës elektorale për ushtarakët nuk është mbajtur. Kolonel Pëllumb Zaimi në një prononcim për “Telegraf” shprehet se “asnjë nga premtimet elektorale të qeverisë së sotme nuk është mbajtur. Nuk e di nëse ka një arsye politike, strategjike, ekonomike, nëse është gënjeshtër apo mashtrim. Mesa po duket, ka shumë mundësi të përdorin faturën ekonomike për t’u justifikuar me ne ushtarakët dhe për të na lënë me gisht në gojë siç na kanë lënë për 23 vjet me radhë, sidomos ne ushtarakët në rezervë dhe në lirim”. Për të është injorues dhe paradoksal fakti që qeveria e re nuk është kujtuar për ta dhe nuk i ka thirrur për konsultime e mendime për gjëra të rëndësishme, siç është Strategjia e Sigurisë Kombëtare. Ndërsa Zyhdi Kroi, presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve kujton tre premtimet kryesore të PS-së për ushtarakët gjatë fushatës elektorale: premtimi për anulimin e Aktit Normativ, për rikthimin e SHQUP-it ushtarakëve si dhe premtimin për çlirimin e ambienteve të Spitalit Ushtarak. Në takimin me ushtarakët ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u ka propozuar atyre që të gjithë debitorët që nga vitit 2009 të bëjnë një kërkesë me shkrim për faljen e borxhit, ndërsa u kërkoi kohë përsa i përket Aktit Normativ. “Por edhe tani janë të vonuar, ndërsa në fushatë elektorale ky ishte refreni i Edi Ramës”, shprehet Kroi. Ndërsa rikthimin e SHQUP-it ai e shikon të pamundur, pasi sipas tij qeveria frikësohet se mos anulimin e vendimit e marrin si një sulm ndaj opozitës. Më tej Kroi tregon për Spitalin Ushtarak se vetë ministrja Kodheli ishte e habitur me faktin që mjekët e ushtarakut nuk lejohen të futen në spital.

     Kolonel Pëllumb Zaimi: Rama s’mund të jetë socialist, e ka etiketuar LANÇ-in si luftë civile

     Asnjë nga premtimet elektorale të qeverisë së sotme nuk është mbajtur. Nuk e di nëse ka një arsye politike, strategjike, ekonomike, nëse është gënjeshtër apo mashtrim. Mesa po duket ka shumë mundësi të përdorin faturën ekonomike për t’u justifikuar me ne ushtarakët dhe për të na lënë me gisht në gojë siç na kanë lënë për 23 vjet me radhë, sidomos ne ushtarakët në rezervë dhe në lirim. Nëse do të ketë një paradë për 70-vjetorin e ushtrisë shqiptare, a nuk duhet të ketë një kuadrat për ushtarakët në rezervë, të cilët kanë dhënë kaq shumë për ushtrinë shqiptare. As nuk na kanë konsultuar, as nuk na kanë marrë ndonjë mendim, ky është një turp që po i bëhet kuadrove të vërtetë të ushtrisë shqiptare. Është shumë injoruese dhe paradoksale që nuk u konsultuan me ne as për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Strategjia është një dokument politiko-ushtarak dhe miratohet në Parlament. Të na kishin dhënë tekstin projekt dhe ne të jepnim sugjerimet apo mendimet tona, në fund të fundit siç veprohet me të gjitha projektligjet ku konsultohen grupet e interesit. Në 2004 na thirrën dy javë rresht për t’u konsultuar dhe ne u përgatitëm seriozisht dhe lamë gjurmë me mendimet tona. Kjo, sepse ata nuk duan ta përmendin Luftën Nacional Çlirimtare, sepse vetë kryeministri Edi Rama në librin e tij “Refleksion” e ka quajtur Luftën Nacional Çlirimtare luftë civile. Çfarë mund të presësh prer tij, ai kot i thotë vetes socialist. Gjendja e ushtarakëve të Shqipërisë është mizerabël. Në jemi të pakrahasueshëm me vendet e NATO-s, ku dhe jemi pjesë, si nga ekuilibri i fuqisë ushtarake, si nga trajtimi i ushtarakëve, rëndësia, pagat, pensionet, etj.

     Zyhdi Kroi, President Nderi i SHKURSH: Rama ka harruar refrenin e fushatës elektorale për ushtarakët

     Ndër premtimet elektorale të Qeverisë kujtoj anulimin e Aktit Normativ që përgjysmon pensionet e parakohshme dhe i ka nxjerrë ushtarakët debitorë ndaj shtetit. Ky Akt ndryshoi dhe formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm që bëhej sipas Ligjit 8087 dt. 13. 03.1996, çka bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin, ku thuhet se një e drejtë e fituar me ligj nuk kthehet më. Premtimi i dytë ka qenë shfuqizimi i vendimit për SHQUP-in. Premtimi i tretë ka të bëjë me Spitalin ushtarak që kaloi në varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas Ligjit për Statusin Ushtarak të vitit 2004, ushtarakët kanë të drejtë të vizitohen dhe të kurohen në këtë spital. Tashmë ky spital është kthyer në qendrën e Traumës, ambientet e saj janë tjetërsuar, shkatërruar, janë dhënë me qira. Spitali është i madh, por 2-3 godina t’i rikthehen ushtrisë, ku të rikthehen shërbimet për ushtarakët.

    Lidhur me premtimin për shfuqizimin e Aktit Normativ, ministrja Kodheli me të cilën jemi takuar na ka thënë se “jemi në përfundim të Ligjit “Autoritetet e Komandimit të Gradave Ushtarake” dhe pastaj do të merremi dhe me Aktin Normativ”. Na propozoi që debitorët nga viti 2009 të bëjnë propozim me shkrim për faljen e debive”. Duhen bërë amendime dhe janë të vonuar, ndërkohë që ky ishte refreni i Ramës në fushatë elektorale për ne ushtarakët.

    SHQUP-i, një objekt që është i lidhur me punën dhe aktivitetin tonë, u harrua. E shoh të zorshme rikthimin edhe pse me një vendim qeverie ajo mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme. Është e vështirë se ka hyrë politika në mes. Ndoshta kanë frikë se e marrin si sulm ndaj opozitës.

    Ndërsa përsa i përket Spitalit Ushtarak ministrja Kodheli na shprehu me habi se sapo kishte marrë vesh që në “spitalin e Traumës nuk lenë mjekët e Spitalit Ushtarak të hyjnë”. Ndërsa na tha se, “40 % e pronave ushtarake janë inventarizuar, është një amulli me pronat e ushtrisë dhe po përpiqemi shumë për t’ia dalë në krye”.