Rama lançon “Komisariatin dixhital”: “Spiunët” e policëve të terrenit

498
TIRANË – Për kryeministrin Rama komisariati dixhital është një histori suksesi që në pak muaj frenoi vrasje e grabitje.
Por qeveria e joshur nga teknologjia lançon projektin e ri: “Spiunë dixhitalë për çdo polic në terren”
Ai përshëndeti dhe vlerësoi bashkëpunimin e qytetarëve më policinë, në denoncimin e të gjitha rasteve që ata kanë evidentuar në shkelie të ligjit.
Kryeministri tha se kjo është shifra më e madhe e denoncimeve të ardhura në komisariatet e policisë që prej vitit 1992 duke u bërë thirrje qytetarëve që të vijojnë të bashkëpunojnë me policinë dhe të denoncojnë të gjitha rastet sepse kështu kontribuojnë për një shoqëri të qetë, larg çdo kërcënimi.
“14 mijë denoncime në 10 javë janë një shifër fantastike për të besuar në suksesin e aplikacionit dhe në historinë e suksesit të përditshëm të policisë së shtetit, për tu bërë më shumë të efektshëm në kohë reale, në dhënien e përgjigjeve të qytetarëve dhe konsolidimin e orareve.
Me këtë instrument policia ka arritur që në kohë reale tu japë përgjigje një numri të konsiderueshëm përgjigjesh e shqetësimesh e të parandalojë vrasjet e grabitjet si shkak i lajmërimeve nga qytetarë aktiv.
Do vijojmë të punojmë në krijimin e bindjes së qytetarëve se në rast se angazhohen dhe bashkëpunojnë me policinë ja vlen. Është një përpjekje me rezultat. Shifrat e 10 javëve flasin vetë. Ka shumë gjëra akoma për të ndërtuar e për të thënë. Ka akoma për tu bërë në monitorim dhe në cilësinë e reagimit, por është e sigurtë që do ja dalim. Sepse gurë gurë do të ngrihet një mur i madh midis institucionit, policisë së shtetit dhe qeverisë për të parandaluar sjellje të këqija që bien ndesh me sjelljen e përbashkët të komuniteteve për të jetuar në mjedise ku rendi ligjor është i padiskutueshëm.
Po fillojmë të marrim frutet e para të një pune të ndërtuar me themel për rimëkëmbjen dhe rilindjen e vendit.
Në 6 mujorin e parë të vitit ne kemi 50% më pak vrasje krahasuar me çdo vit. Nga 92 deri më sot ka 50% më shumë raste të zbuluara dhe kjo është një e dhënë shumë inkurajuese. Është fakt që Shqipëria ka ndryshuar pozicion edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë në asgjësimin dhe parandalimin mbjelljes së drogës. Nuk ka paqe midis atyre që trafikojnë drogë dhe Policisë së Shtetit”, – tha Rama
Projekti nis në vjeshtë në Tiranë
Teksa lançoi projektin e ti ”spiunë dixhitalë për çdo polic në terren”, Rama tha se ky projekt do të fillojë të zbatohet në terren në Vjeshtën e këtij viti. Zbatimi i tij do të nisë fillimisht në Tiranë e më pas edhe në qytete të tjera të shqipërisë. 
“Janë arrestuar 36 efektivë në 6 muaj si rezultat i kundërveprimit të vetë të policisë ndaj elementëve që janë të padenjë për të qenë pjesë e policisë së shtetit.
Shumë shpejt do të dalë në dritë një hap tjetër i rëndësishëm për vënien në dispozicion të teknologjisë së re, në transformimin fizik të trupave të policisë në terren përmes lidhjes online të çdo polici në terren me sallën operative të monitorimit të veprimtarisë së policisë së shtetit. Ky projekt do të fillojë në vjeshtë me Tiranën. Ata do të jenë të lidhur përmes kamerave që do të kenë në trup me qendrën operative. Ata do të monitorohen për gjithçka: lëvizjen, sjelljen e gjithçka tjetër. Kjo do të sjellë një lehtësi shumë të madhe për drejtuesit për të kuptuar planin dhe efektivitetin e çdo patrulle si dhe nivelin e efektivëve për përdorimin e të gjitha paisjeve që kanë në dispozicion. Kjo do të ndihmojë që askush të mos ngrejë telefonin për të pretenduar që polici apo patrulla e policisë i ra më qafë kot, që sjellja e tyre ishte brutale, që askush të mos mundohet të manipulojë policin kur ka një ankesë sepse çdo gjë do kontrollohet me zë e figurë. Çdo polic do jetë i monitorueshëm në çdo sekond të veprimtarisë së tij.
Projekti që do fillojmë në Tiranë dhe do të përhapet në të gjithë Shqipërinë, brenda pak viteve do kemi në gjithë territorin e Shqipërisë një efektiv policie të lidhur online nga çdo cep i vendit dhe përmes koordinimit të sallave do të jetë e mundur që qendra të koordinojë edhe operacione që kërkojnë ndërveprim, të monitorojë dhe korrigjojë mënyrën sesi operojnë komisariatet në pikëpamje të shfrytëzimit të burimeve njerëzore.
Besojmë që se akademia e rilindur e rendit do të na japë në pak vite atë që na mungon dëshpërimisht, një ripërtëritje jo vetëm nga pikëpamja sasiore por cilësore të trupës së policisë. Kemi policinë me moshën më të madhe, më të paarsimuar, dhe numrin më të vogël të efektivëve në territorin e Shqipërisë. Në këto tre pika po përpiqemi të ndërhyjmë vazhdimisht. 
Fakti që ministria e Brendshme është bërë sot lokomotiva e inovacionit brenda qeverisë sonë është fakt për tu lëvduar me zë të lartë dhe na inkurajon shumë fort. Komisariati dixhital tregoi se sot jetojmë në një kohë ku distancën me vendet e zhvilluara e shohim si një distancë që mund ta mbyllim shumë më shpejt, pasi pavarësisht prapambetjes sonë mundësitë që na jep epoka dixhitale janë aq të mëdha saqë mjafton të vrapojmë me vizion, ide, vendosmëri dhe ti vëmë në shfrytëzim këto mundësi për tu gjendur shumë më shpejt në një situatë të re në çdo sektorë. Ky sektor është padyshim një nga zonat më kuptimplota të suksesit”, – tha më tej Rama. 
Sigal