Rama i përgjigjet protestës së PD ‘Propagandë e pushtet’humburve’

546
Sigal

TIRANE – Dy ditë nga protesta e opozitës më 22 nëntor, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të komentojë një më një akuzat e ardhura nga kundërshtari i tij politik, kreu demokrat Lulzim Basha për rritje të taksave por edhe të kundërshtive për aksionet e fundit të qeverisë.

Duke theksuar se socialistët u votuan më 23 Qershor për të vendosur ligjin në vend, Rama thotë se vetëm duke respektuar rregullat do të rritet mirëqenia dhe punësimi.
E pikërisht aksionet e ndërmarra kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë, apo prishjes së ndërtimeve pa leje, thotë Rama, shprehin atë që duan vetë qytetarët që zbatojnë ligjin.

Rama: Punësimi e mirëqenia vjen vetëm duke respektuar rregullat
“Jemi votuar të bëjmë shtetin e qytetarëve që duan ligj, punë e mirëqenie, jo rrumpallë! Punësimi e mirëqenia rriten me respekt për rregullat”, shkruan Edi Rama.
Përmes disa statuseve në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, kreu i qeverisë Edi Rama i kthen përgjigje opozitës për të gjitha sulmet e saj.

Rama: 95 % e shqiptarëve paguajnë më pak taksa se një vit më parë
Dhe e nis me taksat, ku thotë se ndryshe nga një vit më parë, 95 % e shqiptarëve paguajnë më pak.
 “Ankohet për rritje taksash kush s’paguan asnjë taksë! 95% e taksapaguesve shqiptare sot paguajnë më pak taksa se një vit më parë”, shkruan Rama.

Rama; Cmimet s’janë rritur, përkundrazi është rritur konsumi
Rama ka vijuar më tej me akuzat e rritjes së çmimeve, por thotë se kjo është vetëm propagandë e opozitës, pasi sipas tij në të vërtetë është rritur konsumi.
“Ankohet për rritje çmimesh kush dëgjon propagandën e pushtethumburve! Çmimet s’janë rritur, përkundrazi: Eshtë rritur konsumi”, shkruan kreu i qeverisë.

Rama: Cmimi i naftës më i ulët se vjet, nuk do të rritet
“Ankohet për rritje të naftës kush nuk sheh xhepin po SHQUP-in! Çmimi i naftës sot është më i ulët se vjet dhe as do të rritet”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Rama: Ankohen për çmimin e energjisë kush vjedh dritat
Më tej, kryeministri shpreh edhe njëherë qëndrimin e tij se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritur, por nga ana tjetër, aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme nga qytetarët dhe bizneset, do të vijojë, thotë Rama.
“Ankohet për çmimin e energjisë kush si paguan po i vjedh dritat! Çmimi i energjisë s’do rritet, operacioni kundër hajdutërisë do ashpërsohet”, shprehet kryeministri.

Rama: Shkulim çibanët e mbirë në rrugë, legalizojmë shtëpitë në zonat informale
Ndërsa sa i përket akuzave të opozitës se Inspektorati ndërtimor Urbanistik Kombëtar po shemb në mënyrë të selektuar ndërtimet pa leje dhe po lë pa prishur objektet e personave që kanë lidhje me qeverinë, Rama thotë se janë “janë mësuar të zënë shesh për përshesh”!

“Legalizime falas shtëpive në zonat informale, shkulje e çibanëve mbirë rrugëve”, përfundoi kryeministri.