Rama i “lutet” LSI-së: Koalicioni strategjik, t’i lëmë mosmarrëveshjet

518
Kryeministri fton edhe një herë partinë e Ilir Metës, por nuk mungojnë “shigjetat”: Çdo aleat duhet të jetë krenar dhe i nderuar që të jetë me PS-në
Kryeministri Edi Rama i shtriu edhe një herë dorën Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke kërkuar vazhdimin e koalicionit qeverisës, pavarësisht polemikave të fundit mes dy partive që bashkëqeverisin prej vitit 2013. Kryesocialisti pranoi se brenda partisë së tij ka mendime të ndryshme për marrëdhënien me LSI-në, por nënvizoi dëshirën për të hyrë së bashku në zgjedhje dhe për të qeverisur në katër vitet e ardhshëm. Gjatë një mbledhjeje të Asamblesë Kombëtare të PS-së, shefi i qeverisë deklaroi dhe një herë se vazhdimi i koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim është strategjik dhe shkon përtej mosmarrëveshjeve që palët kanë sot me njëra-tjetrën. Rama megjithatë theksoi fort faktin se Partia Socialiste sipas tij është forca e vetme që mund të udhëheqë vendin dhe se aleatët e saj duhet të ndjehen krenarë të jenë në krah të tyre. Rama megjithatë vlerësoi rolin e LSI-së, duke i mëshuar faktit se koalicioni matet nga rezultatet e arritur dhe reformat e realizuara së bashku dhe jo “me gjërat që nuk shkojnë në bashkëqeverisjen e sotme, nuk matet as me sasinë e helmit që hera-herës, më shumë kohët e fundit, hedhin partnerët tanë të vegjël në ujin e bashkëqeverisjes, jo me sa rrallë flet, sa pak flet dhe kur flet LSI-ja për ato që janë arritur dhe me sa qejf i thumbon ministrat tanë më të suksesshëm”. Që prej fundvitit të kaluar socialistët po presin një përgjigje nga aleati i tyre kryesor Lëvizja Socialiste për Integrim për të ardhmen e koalicionit të tyre. Një përgjigje e cila është shtyrë në pritje të mbledhjes së forumeve të LSI-së, ndërsa 8 prilli është data e fundit për regjistrimin e partive në zgjedhje dhe 18 prilli afati i fundit për deklarimin e koalicioneve. Duke u shprehur se ndërprerja e bashkëpunimit nuk do të ishte pozitive, Rama nuk mungoi ta shigjetojë LSI-në. “Për vetë fazën ku janë reformat dhe ku është procesi historik i të bërit shtet, nuk do të ishte më e mira për Shqipërinë që duam, që partneriteti ynë qeverisës të ndërpritej, pavarësisht se ne do të shkojmë në këto zgjedhje më të vendosur se asnjëherë, për të marrë çdo votë të mundshme për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Sepse këto reforma mund t’i bëjë vetëm Partia Socialiste, sepse Shqipërinë mund ta bëjë shtet vetëm Partia Socialiste, sepse qeverinë mund ta vërë në shërbim të shqiptarëve vetëm Partia Socialiste. E patjetër që ne jemi të nderuar që kemi dhe aleatë, por çdo aleat duhet të jetë krenar dhe i nderuar që të jetë me ne, në këtë betejë për të bërë shtet”, tha Rama. 

Për opozitën
Duke ju referuar protestës së opozitës, ai u shpreh se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor dhe se nuk është i shqetësuar nga mospjesmarrja e mundshme e opozitës. “Asnjë merak për qeverinë teknike. Është guri i hedhur në lumin që ka marrë Partinë Demokratike. Kush shkon për ta nxjerrë atë gur, të bëjë kujdes se mund të mbytet në atë lumë”, tha kryesocialisti. Në ndryshim nga LSI-ja, sipas së cilës, nuk mund të mendohen zgjedhje pa opozitën, kryeministri Rama theksoi se nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve. Ai këmbënguli edhe një herë në qëndrimin e bërë tanimë të ditur të socialistëve. “Nuk e kemi fare merakun se mund të mbetet vendi pa opozitë, nëse nuk vjen Saliu, bashkë më ata llafazanët e çetës së tij, në Parlamentin e ri. Opozita është prodhim i lirisë, jo liria prodhim i opozitës. E përderisa jemi në liri, të jeni të bindur, opozita kurrë nuk do të mungojë. Edhe nëse PD-ja, bashkë me zotin Nardi, bashkë me zotin Vangjeli, nuk hyjnë në zgjedhje, të jeni të sigurt se do ndryshojnë emrat, do ndryshojnë flamujt, por opozitën në parlament do ta shikoni”, tha Rama. Megjithatë, nga ana e saj, opozita e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike. 
Sigal