Rama: “E dua një gol ndaj Zvicrës!”

438
Sigal

Flet mesfushori i Valadolit në Primera Divizion. Valdeti ka shënuar kundër Norvegjisë dhe Islandës

Valdet Rama është shndërruar në vetëm pesë ndeshje, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares sonë. Mesfushori i Real Valadolit në Spanjë është lindur në Prizren, më 20 nëntor 1987. Me Kombëtaren ka shënuar 3 gola në 5 ndeshje, një rendiment i jashtëzakonshëm për një lojtar që është ambientuar shumë shpejt me lojtarët e tjerë kuqezinj, duke qenë kështu edhe një nga zbulimet e De Biazit. Kosovari është i vetëdijshëm për sfidën ndaj Zvivrës dhe në konferencën për shtyp u pa tepër entuziast. “Ne të gjithë së bashku do të mundohemi ta fitojmë ndeshjen me Zvicrën. Matematikisht kemi ende shanse, por detyra jonë është që të marrim gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë kundërshtarët tanë”. Shqipëri ndodhet në vendin e parafundit, me 10 pikë, tri më pak se Islanda e vendit të dytë, vend që të çon në “play-off”-in e Botërorit “Brazil 2014”. Valdeti është dhe lojtari i fundit shqiptar që ka shënaur në këto eliminatore, pikërisht në humbjen 2-1 me Islandën, ndërkohë që është autor edhe i golit të barazimit 1-1 me Norvegjinë (goli i tretë i tij është ai në miqësoren e fituar 2-0 me Armeninë). “Kam dëshirë të shënojë sërish gola. Do të jap maksimumin në stërvitje dhe do të mundohem të shënoj gol në ndeshje. Kam besim te skuadra ime, e cila më ndihmon shumë në lojë”. Kombëtarja Shqiptare ndodhet në vendin e 45-të me 652 pikë në renditjen aktuale të FIFA-s (muaji shtator). Zvicra pozicionohet  e 14-ta, pra 29 vende më mirë se kuqezinjtë.

Valdet Rama u aktivizua në pjesën e dytë në humbjen 4-1 të Valadolid në “Camp Nou” me Barcelonën. Shqetësimi më i madh është për sulmuesit e kombëtares, ku në listën e De Biazit mungojnë Bogdani dhe Çani. Hamdi Salihi nuk ka luajtur në ndeshjen e fundit të JYangsu Sainti në kampionatin kinez, ndërsa Agon Mehmeti qëndroi 90 minuta në stol në humbjen 2-0 të Olahenses në fushën e Belehense. Edhe pse De Biazi ka përfshirë në listë një numër të madh futbollistësh, përveç mbrojtësve, lojtarët e tjerë përgjithësisht nuk janë protagonistë në skuadrat e tyre, çka rëndon edhe në rendimentin e tyre më kombëtaren.

Eliminatoret “Botërori 2014”

Grupi E

Ndeshjet e mbetura

11 tetor

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

Slloveni-Norvegji

 

15 tetor

Norvegji-Islandë

Qipro-Shqipëri

Zvicër-Slloveni

RENDITJA

1 Zvicra        8    14-5       18

2 Islanda       8    14-14      13

3 Sllovenia     8    11-10      12

4 Norvegjia     8    9-9        11

5 Shqipëria     8    8-9        10

6 Qipro         8    4-13       4

Shkëlzen Gashi: “Ndeshje speciale për mua”

 Sulmuesi Shkëlzen Gashi u shpreh i emocionuar para mediave: “Jam rritur në Zvicër, por dua të fitoj kundër saj edhe për tifozët tanë atje. E rëndësishme për mua është që mora lejen e FIFA-s për të luajtur me ekipin kombëtar. Ndeshja me Zvicrën për mua është speciale, pasi jam rritur atje. Ne duam të fitojmë me Zvicrën, këtë duan dhe shqiptarët që jetojnë në Zvicër, të cilët më kanë thënë: “Na e mundni Zvicrën”. Ne kemi tifozë të mrekullueshëm që do të na mbështesin në këtë ndeshje dhe ne shpresojmë t’ua shpërblejmë me fitore.

 Katër shqiptarë luajnë në Zvicër

 Trajneri Xhani De Biazi ka thirrur katër lojtarë të Kombëtares shqiptare, të cilët luajnë në kampionatin zviceran, Superliga. I vetmi shqiptar është Jahmir Hyka, i cili luan me Lucernin dhe rikthehet thuajse pas një viti mungesë në Përfaqësuese. Në listën kundër Zvicrës janë edhe Ermir Lenjani i St.Galenit, si dhe dy lojtarët e Grashopersit, Amir Abrashi dhe Shkëlzen Gashi. Në një prononcim për mediat, duke folur për Zvicrën dhe gjashtë shqiptarët e saj, Jahmir Hyka tha: “Dihet kush është Zvicra, por ne nuk duhet të trembemi. Kualitetet në ekip na lejojnë ta presim Zvicrën si të barabartë dhe pa frikë. Duhet me patjetër të zhvillojmë lojë të bukur, në mënyrë që të kënaqim tifozët tanë, të cilët na kanë mbështetur përgjatë gjithë edicionit. Unë besoj shumë se mund ta mposhtim Zvicrën. Gjashtë shqiptarët? Janë lojtarë profesionistë, por presioni për ta do të ekzistojë”. Kjo është hera e parë që, Behrami, Shaqiri, Xhemaili, Xhaka, Ahmedi dhe Kasami do të luajnë në Shqipëri. Më parë, De Biazi ka thirrur edhe Vullnet Bashën e Sionit si dhe Burim Kukelin e Cyrihut.

Luajnë në Zvicër

Jahmir Hyka – Lucern

Ermir Lenjani  – St.Galen

Amir Abrashi  – Grasshopers

Shkëlzen Gashi  – Grasshopers

Kapiteni i Shqipërisë emigroi në moshën gjashtë vjeç në Zvicër, së bashku me familjen e tij

 Lorik Cana e ka nisur me Lozanën

 Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, aktualisht te Lacio, ka luajtur nga viti 1997 deri në vitin 2000 me të rinjtë e Lozanës në Zvicër. Nga mosha gjashtë deri në 16 vjeç, Cana jetoi së bashku me familjen e tij nga Kosova, si emigrant në komunën e Sheso-syr-Lozanë. Kur Paris Sën Zhermeni tregoi interes për të, atëherë Cana mori pasaportë franceze dhe tërhoqi në vitin 2000 dhe familjen e tij për në metropolin francez. Në vitin 2002 Cana debutoi me ekipin e parë të Paris Sën Zhermenit, dhe vetëm disa muaj më pas, ai mori ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë. Rasti e solli, që debutimi i Canës të përkonte me një ndeshje kundër Zvicrës, pikërisht më 11 qershor 2003, në kualifikueset e Europianit, në Gjenevë, një ndeshje e përfunduar 3-2.

Me kalimin e viteve Cana u rrit si futbollist dhe u bë një lojtar i Kombëtares, por dhe të dilte në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2005, Loriku u transferua nga Paris Sën Zhermeni te Olimpiku i Marsejës, ku mesfushori luftarak u bë kapiten. Më pas, destinacioni ishte Sandërlendi në Angli dhe Gallatasaraji në Turqi. Pas Stambollit, Cana u stacionua në vitin 2011 në kryeqytetin italian, tek Lacio e Romës. Ngjyrat e vendit të tij i japin një pasion të veçantë, dhe kjo e nxit atë të japë dhe të bëj gjithçka, qoftë në fushë, por dhe në formën e tatuazheve. Pranë shqiponjës dykrenare qëndron e shkruar në trupin e Canës edhe një pjesë e himnit shqiptar. Zviceranët do të përballen me këtë simbol të ekipit shqiptar, që nuk bën kurrë kompromis me veten dhe jep gjithçka, dhe, këtë e tregoi edhe në ndeshjen e së premtes, në fitoren 3-1 ndaj Qipros, ku Cana ishte më i miri në fushë.

  Belgjika e thërret, Januzaj e refuzon

 Trajneri i Belgjikës, Mark Vilmots, në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Kroacinë pohoi se e thërriti Januzajn për të zëvendësuar Kompaninë, por ai nuk e ka vendosur ende se për cilën kombëtare do të luajë. “Vendosa ta thërras Adnanin pas dëmtimit të Kompanisë, por Junajtid m’u përgjigj se ai nuk ka vendosur në këtë pikë. I dhamë një sinjal të qartë që duam të luaj me ne. Vendimi i takon atij. Ne do e respektojmë cilido qoftë ai”, – tha trajneri i Belgjikës. Një lajm i publikuar në gazetën serbe “Kurir” ditën e hënë e ka bërë edhe më enigmatike telenovelën e së ardhmes së Adnan Januzajt. Sipas së përditshmes beogradase, edhe ballkanasit kanë bërë gati planin për të joshur shqiptarin me origjinë nga Istogu, paraardhësit e të cilit kanë origjinë serbe. Për t’i thënë “po” kombëtares serbe, federata do të përdorë shokun e skuadrës së 18-vjeçarit në Mançester, kapitenin Nemanja Vidiç