Rama dhe Meta u takuan dje për marrëveshjen e kandidatëve për bashkitë

451
Sigal

Koalicioni qeverisës përfshihet nga ethet elektorale të lokaleve të 21 qershorit. Rama-Meta u takuan të mërkurën dhe ky takim  ka shërbyer thjesht për të ndërtuar platformën e ndarjes së bashkive ku do të garojnë kandidatët e PS dhe LSI-së. Sipas burimeve konfidenciale të “Telegraf” Rama dhe Meta dje kanë diskutuar për 12 bashkitë kryesore në 12 qarqet e vendit, që njihen si bashki të nivelit të parë. Vetëm atëherë, kur të jetë arritur marrëveshja për këto 12 bashki, PS-LSI do të diskutojnë emrat e kandidatëve. “Telegraf”, sipas burimeve të mirëinformuara, ka mësuar se Rama i ka propozuar Metës që LSI të marrë 3 bashki dhe PS 9, por Meta nuk e ka pranuar këtë formulë. Negociatat kanë vijuar edhe paraditen e të enjtes, në kafen e Kuvendit, ku Rama dhe Meta kanë bashkëbiseduar për më shumë se 30 minuta, përpara nisjes së seancës plenare. Burimet e “Telegraf” nga Kuvendi pohojnë se Meta ka kërkuar në këtë takim që LSI të ketë bashkitë e Pogradecit, Fierit, Beratit, Lezhës madje edhe Gjirokastrën. Kërkesat e LSI-së për Fierin dhe Gjirokastrën e kanë komplikuar ekuacionin e mbërritjes drejt një marrëveshje. E ndërkohë që aleatët po negociojnë për bashkitë në selinë e LSI, grupi i punës është duke punuar për kandidatët. Emrat që qarkullojnë në LSI për kandidatë në Bashkinë Berat është Gledion Rahovica, aktualisht deputet, Robert Bitri në Fier, Viktor Tushe në Lezhë, ndërsa për Gjirokastrën Vangjel Tavo. Gjithsesi java e ardhshme do të jetë vendimtare për koalicionin qeverisës në ndarjen e zonave se ku do të kenë kandidatët e tyre. Mësohet se maxhoranca synon ta ketë përfunduar këtë proces dhe të njoftojë kandidatët e saj më 5 Mars.