Rama: 60% e grave, të paktën një herë të dhunuara,duhet sensibilizim

    430
    Sigal

    TIRANË – “Sot në vendin tonë 60% e grave janë dhunuar të paktën një herë në jetën e tyre, prandaj gratë dhe vajzat janë më sensitive ndaj çështjes së dhunës gjinore, por burrat dhe djemtë janë indiferentë dhe të pandjeshëm”. Kështu është shprehur Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, në aktivitetin e organizuar ditën e sotme së bashku me shoqatën e grave “Refleksione”, në kuadër të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore.

    Gjatë fjalës së saj, Linda Rama nënvizoi faktin se dhuna është një fenomen që  prek më shumë gratë sesa burrat, ndërsa pohoi se rreth 60% e grave të paktën një herë kanë qenë të dhunuara në jetën e tyre.

    Bashkëshortja e kryeministrit nënvizoi faktin se ky fenomen është më i pranishëm në zonat urbane se sa në ato rurale. Ajo theksoi se shoqëria jonë sipas saj, është e pajisur me informacion por ka nevojë për më tepër sensiblizim.

    Në këtë kontekst, Rama bëri thirrje për një personel më të kualifikuar të institucioneve lokale dhe qendrore përballë këtij fenomeni, si dhe më tepër mbështetje financiare për organizatat e shoqërisë civile.

    Gjithashtu, Rama sugjeroi që pika e parë e kontaktit për të denoncuar dhunën duhet të jetë policia në vend të pushtetit lokal.

    “Në Pukë, Tiranë, Elbasan, Kuçovë, Lushnje, organizatat për gratë vunë themelet e një qajse që u përhap edhe në 12 bashki të tjera falë kontributit të donatorëve. Dhuna në familje është produkt i një trashëgimie vite më parë. Dhuna në familje rëndom konsiderohet fenomen rural, por që paraqitet edhe në vendet urbane. Dy tregues kryesor të aktiviteteve të rrjetit janë gratë, institucionet. Ngritja dhe funksionimi i këtij sistemi është miratuar nga qeveria si pikë referimi. Të jetë policia në krye kundër dhunës në familje, pa cënuar punën e institucioneve. Sot 60%  e grave kanë rënë pre e dhunës të paktën një herë në jetën e tyre. Perceptimi i përgjithshëm rezulton se publiku është më tepër i informuar se i sensibilizuar për dhunën ndaj grave. Sot janë 12 qendra për dhunën ndaj grave. Duhet thënë qartë dhe me zë të fortë që ky rrjet është në gjendje mbijetese me mungesë të qartë stafi dhe mbështetje. Kapacitetet e institucioneve lokale dhe qendrore kërkojnë staf të trajnuar për çështjet e dhunës me bazë gjinore. Programet e shoqërisë civile janë më të përgatitura për çështjet e dhunës, por ka mungesë fondesh për realizimin e tyre” u shpreh Linda Rama


    Rama: Më tepër angazhim dhe mbështetje nga bashkitë dhe institucionet përkatëse
    Më tej, Linda Rama nënvizoi se problemi i dhunës është një problem që kërkon sensiblizim dhe zgjidhje, për të denoncuar çdo rast dhune dhe padrejtësie.

    Sipas Ramës, të gjitha rastet e dhunës duhet t’i përgjigjen detyrimeve ligjore, jo të mbeten të pandëshkuara. Për këtë ajo kërkoi më tepër angazhim të institucioneve lokale,
    ndërsa shtoi se pritet që me reformën territoriale edhe lufta ndaj këtij fenomeni të japë sinjale pozitive.

    Po ashtu, Rama u shpreh se duhet bërë më tepër përpjekje jo vetëm për njohur profilin e viktimave të dhunës me bazë gjinore, por edhe të agresorëve, siç është sanksionuar nga Kombet e Bashkuara.

    Kjo pasi sipas Ramës, lufta ndaj këtij fenomeni, është më e rëndësishme se gjithçka në një shoqëri.

    “Bashkitë duhet t’i përgjigjen detyrimit ligjor, në përfundim të këtij projekti, ligjet dhe rregullat janë më të forta. Janë ende shumë bashki që këtë ligj nuk e respektojnë por është reforma territoriale që e përmirëson këtë problem. Organizatat e shoqërisë publike janë më të përgatitura por nuk kanë fonde. Gratë dhe vajzat janë më sensitive por burrat dhe gratë janë indiferentë dhe të pandjeshëm. Qasja e OKB për të mos parë dhunën vetëm tek viktima, është një qasje e mirë pranuar për të gjithë shoqërinë. Ne sot dimë shumë për profilin e viktimave të dhunës, por dimë shumë pak për autorët e dhunës. Ne sot dimë shumë për shoqërinë urbane, por shumë pak për atë rurale. Vendet e rajonit e kanë njëlloj problemin e dhunës, pasi problemi i dhunës është më i rëndësishëm se gjithçka.” përfundoi Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama.