Rama 4 orë në mbledhjen e dytë të qeverisë së tij

406
Sigal

Edhe pse Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ende nuk e ka marrë mandatin nga Presidenti për të krijuar qeverinë e re, kjo nuk e ka penguar kryetarin e aleancës fituese të zgjedhjeve të 23 Qershorit, që të mbledhë  për së dyti herë qeverisë e tij, në hotel “Colosseu” në qendër qytetit të Shkodrës. Pas mbledhjes së parë të qeverisë në Vlorë, Rama e mbledh në Shkodër qeverinë e tij. Edhe pse Kushtetuta nuk e lejon që qeveria e tij të marrë asnjë vendim zyrtar, para se të marrë votëbesimin nga Kuvendi i ri, mbledhja e qeverisë ka zgjatur 4 orë. Vetë Rama raportohet të ketë mbërritur dje rreth orës 15:45 në qytetin e Shkodrës,  Ka filluar rreth orës 17.21, edhe pse fillimisht ishte lajmëruar për në orë 16, e më vonë në orën 17:00. Burime nga brenda takimit bënë të ditur për gazetën “Telegraf” se, në këtë takim është diskutuar për programin e 100 ditëve të para të secilit dikaster, si dhe për programin 4-vjeçar të ekzekutivit të ri, që do të prezantohet ditën që ai do të votëbesohet në Parlament javën e ardhshme. Një ndër çështjet më shqetësuese është edhe ajo financiare, me kryeministrin e zgjedhur, Edi Rama që ka deklaruar më herët se në këtë aspekt qeverisja do të jetë e vështirë, pasi gjendja e financave të shtetit është e rëndë. Edhe kjo mbledhje, ashtu si ajo e Vlorës, pritet të zgjasë 2 ditë.

 Mbledhja pritet të zgjasë edhe ditën e nesërme deri në mesditë. Mbledhja u zhvillua  me dyer të mbyllura dhe pas mbledhjes që u zgjat 4 orë, ministrat e kabinetit pritet të darkojnë. Një fakt interesat është se kryeministri i ardhshëm Edi Rama pritet të kalojë natën në të njëjtën dhomë, ku Sali Berisha ka pushuar për disa orë gjatë takimit që ka pasur me gazetarët e qytetit të Shkodrës, në kohën e fushatës për zgjedhjet e 23 Qershorit. Bëhet fjalë për dhomën 216 në Hotel ‘Koloseu’.

Programi
Mësohet se të gjithë ministrat  paraqitën  para kryeministrit të zgjedhur Edi Rama strategjinë për secilin dikaster, si dhe strukturën e ministrive përkatëse. Ndërkohë, Edi Rama bashkë me ministrat e tij do t’i japin “Ok” programit të 100 ditëve të para të qeverisjes. Pasi kanë përcaktuar prioritetet e punës së tyre në çdo ministri, në një diskutim të hapur dyditor mes tyre, ministrat do të diskutojnë se cilat janë masat më të mira për të frenuar situatën aktuale në ekonomi, rend, polici, arsim, shëndetësi etj. Të gjithë ministrat mësohet se kanë përfunduar ato porosi dhe problematika që kishin dalë në mbledhjen e 10 ditëve më parë të zhvilluar në Vlorë, duke i hedhur në një plan të detajuar pune.

Qeveria pritet të strukturohet edhe me zëvendësministrat

Edi Rama akoma nuk ka bërë publike strukturën e plotë të qeverisë së tij, edhe pse ka shpallur emrat e ministrave dhe disa këshilltarëve të tij, si edhe drejtoreshën e zyrës dhe sekretarin e përgjithshëm të Kryeministrisë. Ende nuk janë dhënë postet e zëvendësministrave dhe kjo pritet të bëhet javën që vjen, pasi qeveria të marrë votëbesimin në Kuvend. Rama nuk ka bërë asnjë negociatë me aleatët që të bëjë ndarjen e posteve qeveritare, sipas kontributit të dhënë në zgjedhje. Madje, nga  qëndrimi që do të mbajë Kryeministri Rama ndaj aleatëve në dhënien e posteve qeveritare, do të varen  edhe marrëdhëniet që do të ndërtojnë shumë aleatë të tij me PS-në dhe atë vetë, si Kryeministër në të ardhmen. Deri tani, Gjinushi, Milo, Ngjela e kanë shfaqur haptazi pakënaqësinë e tyre, që nuk u përfshinë në qeveri, me përfaqësim ministror.