Qyteti Studenti mirëpret mes kaosit banorët e rinj!

    404
    Sigal

    Dionis Xhafa

     Ndodhemi përpara hyrjes së Qytetit Studenti, vendi ku rinia është e përjetshme. Janë orët e para të ditës e në hyrjen e qytezës studentore, ku si sigël hapëse shërben një tabelë me vite tashmë në atë vend, hyjnë studentët e rinj që të gjithë me çanta e bagazhe, që i tërhiqnin në rrugicat e qytezës. Dita e parë e jetës studentore, një hap i ri për të rinjtë, ka nisur nën pikat e shiut. Thuajse asgjë nuk ka ndryshuar nga një vit më parë dhe gjendja vijon të mbetet po e njëjtë. Në të hyrë, nga e djathta, të bie në sy trotuari i pashtruar. Ecim dhe hymë brenda qytezës së rinisë e në rrugë e sipër shfaqet një tabelë e madhe që na dëfton rrugën përmes një harte, e cila dëfton të gjitha pikat kyçe të Qytetit Studenti.

    Prishja e lokaleve në Qytetin Studenti

    Qeveria e re e votëbesuar nga shqiptarët ka nisur një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në Qytetin Studenti. Tashmë prej ditësh, lokale që ndodhen brenda territorit të qytezës studentore janë shembur dhe kanë mbetur vetëm ngrehinat e ndërtesave. Në mes të grumbullit të mbeturinave të mbetura, disa punëtorë po bëjnë spastrimin e fundit. Ata shprehen se janë në përfundim të punës, e ndërsa në mes tyre është edhe roja i objektit që është shembur, i cili ka indinjatë për shembjen e ndërtesës, pasi ka humbur vendin e tij të punës. “Unë jam dakord për rrafshimin e objekteve pa leje, por nga ana tjetër mbetem i shqetësuar, për shkak se tashmë mbetem në mes të katër rrugëve”, – shprehet Lorenci, një 35-vjeçar që kishte punuar në lokalin e shndërruar tanimë në rrënoja.

    Gjendja e godinave

    Godinat ku studentëve nga rrethet do t’u duhet të qëndrojnë gjatë të gjithë periudhës së studimeve, sot janë mbushur përplot me studentë, që interesohen për t’u rehatuar në dhomat e tyre e për të nisur vitin akademik. Së bashku me studentët, jo të paktë janë edhe prindërit, që i shoqërojnë fëmijët për të nisur një jetë të pavarur nga familja. Një ndër konviktoret në “Bujtinën 24”, Daniela, e cila studion për Gjuhë-Letërsi në vitin e dytë, thotë se kushtet nuk janë të mira. “Nga jashtë godinat duken jo aq keq, por situata ndryshon thuajse tërësisht në ambientet e brendshme, ku ne jetojmë për çdo ditë. Të gjitha mjetet në kuzhinë janë të vjetruara, duke nisur nga raftet, krevatet e deri tek lavamanët, që ende reflektojnë kohën kur është ndërtuar godina, atë të komunizmit.” – shprehet Daniela. Ajo përmbyll me shqetësimin se në kushtet mjaft të vështira në konvikte, ajo që mbetet më shqetësuese është fakti se shteti nuk po vë dorë për të rregulluar situatën. Tjetër problematikë që theksohet nga studentët është pagesa mjaft e lartë që atyre iu duhet të paguajnë për të qëndruar në godinë, pagesë që shkon në 45.000 lekë të rinj në vit, e njëjtë me një shtëpi me qira që mund të merret edhe në Tiranë.

    Mungesa e ambienteve për studentë

    Në qytetin Studenti ngrihen biznese të shumëllojshme, duke rënë në sy mungesa e ambienteve të domosdoshme për studentë, të tilla si libraritë, bibliotekat, apo kafe-libraritë. Në të gjithë territorin e Qytetit Studenti gjendet vetëm një librari në krye të rrugës kryesore, “Pjetër Budi” dhe një bibliotekë e një internet falas, që shpesh nuk frekuentohet, duke qenë se cilësia në rrjet lë për të dëshiruar. Siç shihet, bie në sy mungesa e ambienteve të posaçme në nevojë të studentëve dhe nga ana tjetër kemi ambiente argëtimi të shumta në numër, të tilla si kafene, qebaptore dhe biznese lojërash të ndryshme elektronike.

    Funksionalizimi i pjesshëm i kinemasë verore dhe mungesa e higjienës

    Në mes të Qytetit Studenti, pranë një lulishteje, është ngritur prej disa vitesh tashmë edhe një kinema verore. Kinemaja e improvizuar mund të jetë funksionale vetëm gjatë verës, pasi duke qenë në një ambient të hapur, kushtëzohet nga kushtet atmosferike. Edhe pse nuk ka shumë kohë që qëndron në atë vend, kinemaja e ka humbur thuajse tërësisht funksionalitetin e saj. Problematikë tjetër mjaft e mprehtë mbetet higjiena, e cila përveç se në ambientet e brendshme në godina, mungon edhe në oborrin e Qytetit Studenti. Megjithëse, për karshi “Bujtina 15” janë vënë në dispozicion dy kosha mbeturinash, këta të fundit janë të shpërndara kudo pranë këtyre koshave, duke dëshmuar mungesën e kulturës nga ana e banorëve të qytezës.

    Edhe pse Qytet Studenti, banojnë edhe familjarë

    Edhe pse Qyteti Studenti është dedikuar vetëm kësaj kategorie, studentëve, në godinat e saj banojnë edhe familjarë. Më konkretisht, në “Bujtina 19” banojnë vetëm familjarë, megjithëse qyteza, siç dihet është një ambient për të banuar studentë.  Me një situatë thuajse të njëjtë si një vit më parë, mes zhurmës e kaosit, lëmë pas Qytetin Studenti ku nis një tjetër vit i ri akademik e përgatitet të nisë rrugën e universitetit një tjetër brez i ri.