Qyteti Studenti / Anila Shehu spastron administratën, punëson familjarët e saj

    1301
    Sigal

    Drejtoresha e Qytetit Studenti, Anila Shehu e trajton administratën publike si një monopol të saj. Kështu, burime konfidenciale, por dhe vetë banorët e bujtinave në Qytetin Studenti shprehen për gazetën “Telegraf”, se shumica e administratës janë zëvendësuar me të njohur të drejtores Anila Shehu. Këtë e gjë e konfirmon edhe njëra nga kujdestaret e bujtinave, prej më shumë se 20 vjetësh, e cila është pushuar padrejtësisht nga znj.Shehu. “Kam një jetë të tërë që kam punuar si kujdestare në konvikt. Kam punuar me korrektësi dhe dashuri. Jam më shumë se profesioniste dhe e përgatitur për këtë pozicion. Profesionalizmi im i ka rezistuar shumë rotacioneve politike. Por, duhej të vinte Anila Shehu që unë të ikja nga puna ime si një e pavlerë. Patjetër që unë do të shfrytëzoj të gjitha hapat ligjorë për t’u rikthyer në vendin tim të punës dhe të dal e qetë në pension. Nuk mund ta shumëzojë askush, e për më tepër Anila Shehu, me zero profesionalizmin dhe punën time korrekte prej kaq vitesh. Kam dhënë shpirtin në këtë punë. Kam qenë prind për vajzat e konviktit. Nuk mendova kurrë që puna ime të mos shpërblehej dhe të mos merrej fare parasysh”. Ndërsa studentët, bujtës të konvikteve shprehen me keqardhje për punonjësit me të cilët tashmë ishin mësuar dhe shpeshherë i kishin mbështetje. “Është e çuditshme, t’i thuash një personi natën e mirë dhe në mëngjes të gjesh para syve një tjetër, aq sa të të ngelë edhe urimi në fyt”, shprehet një nga studentet e vitit të parë për habinë që pësoi, kur pa se, një tjetër kishte zënë vendin e kujdestares së saj. Largimet nga puna të Anila Shehut në administratën e Qytetit Studenti  u zëvendësuan me të afërm dhe të njohur të saj. Por, të gjitha largimet nga puna prej saj,  përveçse një kosto shpirtërore e sociale, kanë një kosto financiare për vetë të larguarit, por dhe për shtetin shqiptar, pasojat e të cilëve i vuajmë ne taksapaguesit shqiptar.

    Dëmi në buxhet 
    Largimi në mënyrë të padrejtë i punonjësve të administratës publike, veç faktit që ul të ardhurat dhe rrezikon mirëqenien e familjeve të personave që e humbasin punën, krijon dhe një “gropë” të zezë në Buxhetin e Shtetit. Shumica prej të larguarve nga puna, kanë përfituar në shumë raste të drejtën për t’u rikthyer, e në raste të tjera të drejtën e dëmshpërblimit me pagën e një viti. Duke pasur parasysh numrin e lartë të padive për marrëdhënie pune, me shumë gjasë edhe fatura e dëmshpërblimeve do të jetë tejet e lartë, edhe pse për momentin nuk mund të bëhet një përllogaritje, për shkak të faktit se pjesa më e madhe e padive janë në shqyrtim, apo një pjesë tjetër ende nuk janë paraqitur në dyert e gjykatave.