Qyteti i Durrësit nën terrorin e eksplozivit

403
Sigal

Në harkun e 72 orëve të fundit, tri tritolvënie, asnjë i ndaluar

Ngjarjet e ditëve të fundit të ndodhura  në Durrës, kanë krijuar tmerr e panik tek qytetarët, dhe pasigurinë  për jetën e tyre. Brenda 72 orëve në Durrës kanë ndodhur tre ngjarje të tmerrshme, ku janë hedhur në erë me eksploziv  tre automjete, duke krijuar një klimë terrori psikologjik e fizik. Ngjarja më e fundit ishte ajo e ndodhur  mëngjesin e të hënës, në automjetin  e drejtorit të Burgut të Fushë-Krujës Arben Sulos, kur ky i fundit ishte duke lëvizur  në rrugën e portit. Policia pas këtij akti kriminal u mjaftua vetëm me një njoftim të thatë për mediet “Makinës së drejtorit të burgut në Fushë-Krujë, Arben Sulo i është vendosur eksploziv, ngjarja ka ndodhur  rreth orës 08.25 të ditës së hënë brenda  portit të Durrësit, ku mjeti  i drejtorit të burgjeve ishte në lëvizje teksa ka shpërthyer. Nuk dihen ende rrethanat, ndërsa strukturat tona  po hetojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes”. Arben Sulo  ka mbetur i plagosur rëndë dhe  ndodhet në ambientet e spitalit të Durrësit.  Ai ka punuar edhe më parë në strukturat policore të Drejtorisë Policisë Durrës, dhe njihet si njeri  korrekt në detyrë. Ngjarja e rëndë e ndodhur ndaj tij, padyshim ka lidhje me detyrën që ai  mban si drejtor  i burgut të Fushë-Krujës. Ngjarjet e ditëve të fundit në Durrës, shpërthimet me eksploziv, duke pasur si objektiv  persona të veçantë, e kanë rikthyer në këtë qytet frikën dhe panikun e banorëve. Duket se edhe arrestimi i katër personave duke u kapur atyre në cilësinë e provës material një sasi të konsiderueshme eksplozivi  të montuar në celularë gati për shitje e veprim kriminal, nuk e ka larguar frikën e qytetarëve. Ata shprehen se “jemi të tmerruar, po shpërthejnë makinat me eksploziv në mes të qytetit, në mes të plazhit, në qendra të banuara, kurse policia si gjithmonë vjen dhe rrethon vendin e krimit, fëmijët tanë po flenë me ëndrra bashkë me ne”. Neglizhenca  dhe paaftësia  e uniformave blu, ulja e forcës goditëse dhe zbuluese, apo edhe më keq akoma bashkëpunimi me element të veçantë të botës kriminale, e kanë zbehur punën dhe propagandën për “polici të qytetarëve”. Në Durrës si asnjëherë tjetër, krimi po godet në qendër të qytetit, në mes të ditës, në mes të objekteve të rëndësisë së veçantë siç është porti  për të treguar “dhëmbët” e tij, për të treguar  sfidën e fituar me policinë, dhe futur  panik në popull. Situata më e fundit, kur në çdo 24 orë në Durrës ka pasur një automjet të hedhur në erë me eksploziv , duke regjistruar  edhe persona të plagosur  dhe të lënduar, tregon rritjen e forcës goditëse të krimit, dhe paaftësinë apo edhe më tek edhe panikun e policisë. Por ata që e vuajnë me pasoja  traumalogjike  këtë situatë terrori janë qytetarët e thjeshtë. Ata shprehen se “kemi nisur të kontrollojmë qysh herët në mëngjes  makinat sapo dalim nga shtëpia, pasi mund të na ndodhë ndonjë hata  ne dhe fëmijëve tanë që shkojnë në shkolla, kjo  situatë  është  për  të  vënë  ulurimën, shteti  duhet të shkundet dhe jo të  bëjë  propagandë  arritjesh”. Ngjarja ndaj drejtorit të burgut të Fushë-Krujës

Ngjarja e rëndë  (dhe e radhës me eksploziv)  ndaj Arben Sulos drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, ka ndodhur  rreth orës 08.25 në mëngjesin e të hënës, kur  ai  ishte nisur si zakonisht, duke dalë nga rruga përmes  Portit –Detar, për tu futur në autostradë drejt Vorës me makinën e tip tip opel me targa AA 654 AS. Por  sapo kishte kaluar posbllokun  tek Drejtoria  e APD dhe ishte duke kaluar me shpejtësi  normale  drejt  daljes  tek Ura e Dajlanit, makina e Arben Sulos ka shpërthyer , duke u përplasur me kangjellat e rrethimit të portit. Vetë ai ka mbetur i plagosur  dhe po i nënshtrohet  ndërhyrjeve mjekësore. Dy prej forcave të Sigurisë Portuale që e kishin parë ngjarjen, pasi  ishin në shërbim, thanë se “ishte e tmerrshme, makina  ka lëvizur sikur e shtynte dikush me dorë, shpërthimi ishte i fuqishëm, u tmerruam, ishte e papritur, shkuam menjëherë dhe ndihmuam të plagosurin”. Arben Sulo i është nënshtruar ndërhyrjeve mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po punon  dhe shpreson të zbulojë shkaqet dhe autorët e këtij krimi makabre. Ai mban postin e drejtorit të burgut të Fushë-Krujës  prej  1 viti, dhe policia dyshon tek ndonjë konflikt i mundshëm  për shkak të detyrës. .

Artur  AJAZI