Qytetari paguan mbifaturimet e korrupsionit të specialistëve të CEZ

    415
    Sigal

    Arrestohet specialisti i përgjithshëm i kompanisë CEZ

    Arrestohet Semidion Daja specialist i përgjithshëm pranë kompanisë “CEZ Shpërndarje”, i dyshuar për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Krimi Ekonomik dhe Financiar ka arrestuar në flagrancë shtetasin Semidion Sebastian Daja, me detyrë punonjës i kompanisë CEZ Shpërndarje Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi rezultoi se ky shtetas gjatë kryerjes së detyrës si specialist pranë kompanisë CEZ Shpërndarje Tiranë, ka ndërhyrë në matësat elektrikë të familjeve të ndryshme, duke bërë të mundur që shuma e kilovatëve për t’u paguar të jetë më e vogël se ajo që shpenzohej realisht. Specialisti i  CEZ-it ndërhynte në matësat elektrik dhe përfitonte nga familjarë të ndryshëm me vlerën prej 30.000 lekësh. Arrestimi i specialistit të CEZ sjell në vëmendje një tjetër problem  të qytetarit të ndershëm, të qytetarit që paguan faturat e veta, por dhe kilovatët e atij që korruptoi Semidionin apo specialistët e CEZ-it. Ja një tjetër mënyrë për të vjedhur qytetarin i cili paguan faturat e majme për shkak të korrupsionit të “specialistëve të CEZ”: Aparatet matëse hyrëse të vendosura nga CEZ në një godinë apo zonë banimi masin kilovatët që harxhohen, kështu që është e logjikshme që qytetarët të paguajnë aq sa harxhojnë. Por atëherë çfarë nuk shkon? Është pikërisht mënyra sesi faturohen qytetarët ajo që nuk shkon. Pra nëse një nga qytetarët e një godine korrupton “specialistët e CEZ” për të paguar më pak, atëherë një qytetar tjetër do mbifaturohet për shkak të këtij korrupsioni. Dhe është pikërisht ai qytetari që paguan rregullisht, që ankohet, por zëri i tij tretet korridoreve të godinave të CEZ, që rri në radhë për të paguar se përndryshe do i duhet të paguajë dhe kamatëvonesën, “Zoti mos e dhashtë!”.

    Mbifaturimet e CEZ, rëndojnë në xhepat e qytetarëve

     CEZ është kryefjala e problemeve të qytetarëve, të cilët vazhdimisht përballen me fatura të larta. Mbifaturimi është bërë një problem shumë shqetësues për qytetarët të cilët në këtë kohë krize përballen me vështirësinë për t’i paguar këto fatura të majme. Këtë gjë, gazeta “Telegraf”, e ka konstatuar nga vëzhgimet në terren e pikërisht në një nga pikat e “Kujdesit ndaj klientit” që ndodhet përballë Postës Shqiptare. Qytetarët ankohen për mbifaturime, ndërkohë që në të njëjtin muaj të vitit të kaluar fatura ka qenë më e ulët. Kjo gjë përpos të tjerave edhe i habit qytetarët, të cilët thonë se kanë të njëjtat elektro-shtëpiake si një vit më parë, por dhe të njëjtin kujdes për të mos shpenzuar më shumë kilovat se ç’u mban xhepi. Një tjetër shqetësim i tyre është dhe cilësia e tensionit që vjen në shtëpitë e tyre. Ata mendojnë, madje disa prej tyre janë konsultuar dhe me specialistë, se tensioni i ulët bën që aparatet matëse të punojnë më shpejt për të përballuar mbajtjen ndezur të një pajisje elektro-shtëpiake. Dhe kështu përballemi me një tjetër mënyrë të vjedhjes së qytetarëve, ku aparati xhiron më shumë për shkak të tensionit të ulët. Gjithashtu luhatjet e tensionit të energjisë elektrike janë shkaku i shkatërrimit dhe amortizimit të dhjetëra mijë pajisjeve elektro-shtëpiake në të gjithë Shqipërinë. Rreth 90% e defekteve të pajisjeve elektro-shtëpiake sipas tyre, vjen nga luhatjet e energjisë së CEZ.  Kështu CEZ e dëmton qytetarin në mënyrë të dyanshme: i bën edhe dëm financiar, por edhe dëm material, i cili më vonë edhe ky përkthehet në financiar, pasi pajisja duhet zëvendësuar.

     Ankesat e qytetarëve

    A.S., pensionist është faturuar nga CEZ për muajin prill me 4,544.80 lekë. Ai duke qenë pensionist dhe i vetëm pretendon se nuk e ka harxhuar këtë sasi energjie për të cilën është faturuar. Është ankuar, por nuk ka marrë përgjigje nga CEZ.

     F.G., një tjetër qytetare e cila ankohet për mbifaturimin. Për muajin mars kjo qytetare është faturuar me 9,820.60 lekë. “Kjo është absurde,-thotë qytetarja. Çfarë paskam bërë unë këtë muaj për të merituar këtë “gjobë”, kur ndërkohë në muajt e shkuar nuk kam paguar më shumë se 3.000 lekë?”. Qytetarja është ankuar, por s’ka marrë asnjë përgjigje nga CEZ.

    N.P., pagoi faturën prej 5.600 lekësh. Qytetari thotë se në të njëjtën periudhë vitin e kaluar, ai nuk paguante më shumë se 3.000 lekë. “si ka mundësi që i njëjti konsum, të njëjtat elektro-shtëpiake, të njëjtët familjarë dhe faturohemi më shumë?”, pyet qytetari, i cili ankohet edhe për tensionin e ulët që i vjen në banesë.