Qytetari: Më faturojnë 75 mijë lekë me aktivitet të mbyllur prej 4 vitesh

    430
    Sigal

    Fenomeni/ CEZ Shpërndarje, qindra denoncime nga qytetarët për mbifaturime

    Sërish kanë filluar radhët pranë sporteleve të CEZ Shpërndarje për të paraqitur ankesat me shkrim për mbifaturimet me energjinë. Megjithëse, kohët e fundit po flitet shumë për abuzimet me faturat e energjisë elektrike me qytetarët, duket se, faturistët nuk po pyesin shumë për pasojat që kanë ato në xhepat e tatimpaguesve dhe vlerat e tyre fiktive. Madje qytetarët shprehen për “Telegraf” se faturistët nuk vijnë fare në banesat e tyre për të parë matësat elektrike dhe për të matur sasinë e kilovatëve që kanë harxhuar. Ata ankohen se faturat e tyre janë fiktive, nuk tregojnë sasinë reale të kilovatëve të harxhuar dhe për më tepër kilovatët, sipas tyre, u shënohen nga faturistët pa lëvizur fare nga zyrat e tyre. Qytetarë të ndryshëm ankohen se, faturat e energjisë elektrike u vijnë me vlera marramendëse, me kilovat, të cilat ata nuk i kanë mundësitë t’i harxhojnë. Ky problem, sipas tyre nis nga dembelizmi i faturistëve të cilët nuk shkojnë në çdo apartament dhe shtëpi banimi për të parë matësin elektrik, veprim i cili është e detyrueshëm me ligj. Pas këtij veprimi të jashtëligjshëm të faturistëve vazhdon sërish monotonia e shkeljes së ligjit me mbushjen e faturave me vlera fiktive. Shpesh dhe në mënyrë të veçantë gjatë kësaj periudhë si asnjëherë më parë, faturistët e energjisë kanë qenë objekt i ankesave nga qytetarët, por edhe nga subjektet private. Kjo gjë ndodh, pasi punonjëset nuk kanë kërkesë llogarie nga lart, si shkak edhe i emërimeve dhe punësimeve nepotike në administratën e CEZ Shpërndarje. Këto kohët e fundit abonentët e zonave të ndryshme të kryeqytetit dynden çdo mëngjes në Drejtorinë e CEZ Shpërndarje dhe tek Kujdesi ndaj Klientit, për t’u ankuar për faturat e kripura. Ka mjaft prej tyre që nuk jetojnë fare në Tiranë, ka prej tyre që janë 2 persona në familje dhe nuk kanë pajisje që mund t’ u harxhojnë kilovatët e shënuar, por ata sërish përballen edhe muajin e ardhshëm me fatura të tilla. Qytetarët shprehen të indinjuar, sepse kanë vite që merren me të njëjtin problem me faturistët e CEZ, të cilat i mbushin faturat në tavolinat e kafeneve apo të zyrave, sipas ndonjë urdhri apo shkaku tjetër. Sqarimet e marra në sportelet e CEZ-it nuk u mbushin mendjen qytetarëve, të cilët kërkojnë shpesh ndihmën e mediave apo organeve të drejtësisë. I tillë është dhe rasti i qytetarit me emër Vath Dharmi.

    Qytetari: Fatura prej 7,5 mijë lekësh për një aktivitet të mbyllur që në 2010-n

     “Kam një bodrum afër Ministrisë së Drejtësisë, i cili është përdorur përpara disa vitesh si qendër interneti dhe është mbyllur si aktivitet që në shkurt të vitit 2010 dhe që atëherë ka qenë e mbyllur. Çdo muaj për 4 vjet me radhë kam paguar taksën e shërbimit prej 340 lekësh në muaj për të mos mbyllur kontratën me CEZ Shpërndarje. Kur shkova të paguaj për muajt prill dhe maj, ajo zonja te posta më tha se fatura e prillit ishte 75 mijë lekë (të vjetra). U habita se që prej 4 vitesh që paguaj të njëjtën shumë prej 340 lekësh dhe më del se fatura e prillit qenka 75 mijë lekë. U revoltova dhe nuk e pagova, sepse ky është një abuzim ndaj qytetarëve. Pse duhej të paguaja gjithë këtë shumë parash, ndërsa objekti ka qenë i mbyllur, siç e thashë dhe më lart, p5rej 4 vitesh? Ky është një abuzim i hapur që i bëhet qytetarëve. Kur do të funksionojë siç duhet shteti tek ne dhe mos të abuzohet më me qytetarin?” shprehet për “Telegraf” qytetari Vath Dharmi. Ai tregon shumë i irrituar se ka paraqitur ankesë pranë sportelit të CEZ Shpërndarje, edhe pse nuk ka fare besim se kjo faturë do t’i fshihet ndonjëherë. “Me ç’dëgjova dhe pashë atje, nuk besoj fare se punonjësit e CEZ do të merren me rastin tim”, shprehet qytetari.

    Shkodër, CEZ penalizon kolektivisht 300 familje, banorët: Do bllokojmë rrugën, nuk jemi debitorë

     Shkodër- Kompania CEZ Shpërndarje nis në Shkodër penalizimet kolektive, ndërsa qytetarët në këto ditë me temperatura të larta përballen jo vetëm me mungesën e energjisë, por edhe pasojave të tjera që vijnë prej saj. Prej 48 orësh, banorët në zonën e “ish zooteknikës” në lagjen Guerrile të Shkodrës nuk furnizohen me energji elektrike. Shkak për këtë situatë që ka lënë në errësirë të plotë mbi 300 familje, është bërë ndërprerja kolektive e energjisë. Banorët e zonës kundërshtojnë aksionin e kompanisë CEZ, pasi sipas tyre është e patolerueshme që të gjithë të vuajnë pasojat e atyre që nuk paguajnë energjinë. Ata thonë se do të vijojnë të protestojnë deri në zgjidhjen e kësaj situate. Ndërsa kompania CEZ- Shpërndarje për problemin në fjalë, pretendon se në masë nga banorët nuk janë paguar faturat e energjisë elektrike. Sipas kësaj kompanie banorët nuk do furnizohen me energji nëse nuk e paguajnë atë sipas kontratës dypalëshe.

    Por kjo sjellje e kompanisë është tërësisht e palogjikshme, pasi pasojat po i vuajnë edhe qytetarë që çdo muaj paguajnë shuma të konsiderueshme konsumi mujor.

    Nuk është hera e parë që në Shkodër nga CEZ kryhen dënime kolektive, pasi vetë kompania nuk është në gjendje të penalizojë vetëm debitorët.

    box

    Ankesat e qytetarëve, Totozani takon përfaqësues të CEZ

    Avokati i Popullit, Igli Totozani ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Kujdesit ndaj Klientit të CEZ, Arben Pregja dhe përfaqësues nga Enti Rregullator i Energjisë për të diskutuar në lidhje me ankesat e paraqitura nga qytetaret përsa i përket problemeve të energjisë elektrike. “Për periudhën 01.01.2013- 29.04.2014, pranë institucionit të Avokatit të Popullit janë paraqitur 133 ankesa, nga të cilat 73 ankesa për vitin 2013 dhe 60 ankesa për periudhën Janar-Prill 2014.”- thuhet në njoftimin e AP-së. Nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit, bazuar në ankesat e qytetarëve janë konstatuar:

    • Rishikimi i dispozitave të lidhjes së Kontratës Tip të Furnizimit me energji elektrike duke vendosur trajtimin me tarifa të diferencuara për shtresat në nevojë (Romët, Personat me Aftësi të Kufizuar, Pensionistët, etj.)

    • Rishikimi i Udhëzimit Nr. 29 datë 27.12.2011, Për disa shtesa e ndryshime në udhëzimin Nr. 1 datë 08.01.2009, “Për përcaktimin e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive”, të ndryshuar”, lidhur me subjektet të cilët përjashtohen nga pagesa e saj, duke ju referuar objekteve të pabanuara (sikundër mund të jenë kasollet) apo vendeve ku nuk ka sinjal të Televizionit Publik Shqiptar.

    • Ankesa e Bashkisë Orikum në të cilën parashtrohet mosrespektimi i dispozitave të Kontratës së Furnizimit me energji elektrike ndaj konsumatorëve të kategorisë familjare dhe jofamiljare.

    • Keqfaturimi i energjisë elektrike duke përfshirë mbifaturim dhe nënfaturim të sasisë së energjisë elektrike. Kështu janë trajtuar pretendime për mosfaturim të rregullt dhe total mujor të energjisë në bazë të Kontratës Tip në fuqi ndërmjet paleve nga ana e Kompanisë CEZ Shpërndarje sh.a, për disa muaj duke e faturuar “sasinë gjendje” në një muaj të vetëm. Kështu, konsumatorë të ndryshëm, kanë pretenduar se prej 4-5 muajsh pas vendosjes së matësit në banesë, kur bëhej fjalë për hapjen e një kontrate të re, nuk faturoheshin prej 4-5 muajsh.

    • Masa administrative e gjobave për dëmtim matësi, të konstatuara nga vetë Kompania “CEZ Shpërndarje sh.a.”.

    • Ankesat nga konsumatorë, të cilët rezultonin debitorë, kjo për disa shkaqe:

    a) Moskreditim të faturave të mëparshme të energjisë elektrike të paguara në bankë apo shërbimet postare kryesisht për periudhën 2007-2008.

    b) Moslikujdim i detyrimeve nga ana e ish banorëve të mëparshëm të apartamenteve

    c) Vonesa në pagesat e energjisë elektrike (detyrime të cilat janë likuiduar nëpërmjet sistemit bankar apo edhe filialeve të shërbimit postar) e për të cilat nuk është arkëtuar kamat-vonesa, por si detyrim është mbartur në vijim.

    • Faturimi i taksës vjetore për Radio-Televizionin Shqiptar, si dhe tarifën fikse të shërbimit, për kontratat e konsumorëve që kanë parashtruar kërkesë për “pezullim të përkohshëm të energjisë në banesë, dhe ndërprerje të energjisë”. Në këtë kontekst ka pasur dhe ankesa për faturim të padrejtë nga CEZ Shperndarje sh.a, mbi taksen e Radio-Televizionit Shqiptar për garazhet e mjeteve lëvizese.

    • Ka mungesë transparence për ballafaqim me matësat nga abonentet që pretendojnë mbifaturim të energjisë për muaj të caktuar nga CEZ Shperndarje sh.a.