Qytetarët: Ju tregojmë abuzimet me hapësirat publike

    455
    Sigal

    Ksamili dhe lagjja “Baba Rexhep” në Sarandë, nën terror dhe mospërfillje

     SARANDË: Dy kryeqendrat vendore të jugut shqiptar si metropole të turizmit dhe bashkëjetesës multietnike dhe fetare, ditët e fundit janë tronditur nga abuzimet me hapësirat publike që u takojnë qytetarëve dhe shkeljet flagrante të ligjeve, por edhe me përballje të mospërfilljes së pushtetit lokal dhe qendror. Janë banorët e Ksamilit dhe lagjes “Baba Rexhep” në Sarandë që akuzojnë hapur. Akuza e parë, për abuzime me pasuritë publike, vjen nga një lagje me mbi 200 banorë të Ksamilit dhe pikërisht të lagjes “Lugina”, lagje e cila kufizohet me rrugën “Riviera”. Banorët e shumtë të kësaj lagjeje denoncojnë shitjen e një hapësire publike me sipërfaqe 30×10 metra katror, që para një viti, qytetarit Bujar Saliu, i cili e përdor këtë sipërfaqe si parkim privat, por synimet janë për më tej. Por banorët shprehen se abuzimi shkon deri aty sa të dëmtohet edhe buxheti i shtetit, pasi ndriçimi i parkimit është i lidhur me linjën e ndriçimit rrugor, kosto që paguhet nga taksapaguesit shqiptar. Kjo sipërfaqe është e mbuluar me mushama dhe kjo sjell edhe rrezikun e aksidenteve ndaj fëmijëve në mëngjes gjatë vatjes në shkollë, pasi makinat e shumta fillojnë të lëvizin dhe dalin nga parkimi. Ky shqetësim, prej një viti detyron prindërit, apo pjesëtarë të tjerë të familjes të lenë punët e tyre dhe të shoqërojnë mes frikës fëmijët për në shkollë. Por ky parkim, vijon denoncimi, ka edhe pasoja sociale, pasi kalon mbi tubacionin e ujërave të zeza dhe nën linjën e tensionit të lartë të energjisë elektrike, të cilat i ka dëmtuar dhe rrezikon seriozisht banorët dhe jetën e tyre. Banorët në ankesën e tyre nënvizojnë se shumë herë gjatë një viti janë ankuar pranë Sektorit Urbanistik dhe Kryekomunarit, por janë ndeshur në përgjigjen se shpejt do ta rregullojmë, të shoqëruar me ironi dhe avuj alkooli. Ata denoncojnë edhe të tjera shitje abuzuese të hapësirave publike, duke shtuar se në moszgjidhje të rastit të tyre që t’i kthehet publikut hapësira, që më parë ka funksionuar si rrugë, ata do të përfshihen në protesta dhe kundërshti deri në bllokim rruge e grevë urie.

    Shqetësimi i dytë vjen nga banorët e lagjes “Baba Rexhep” të Sarandës, lagje e cila ka një specifikë ndryshe dhe krijim ngërçi, pasi banorët janë të pasaportizuar në qytet dhe vendi ku ngrihet lagjja me banesa, gjeografikisht i takon komunës së Lukovës. Në këtë lagje, që në embrion të krijimit, pati një gurore e cila aktualisht vazhdon të kryejë aktivitetin e saj, edhe pse banorët ankohen prej vitesh si për ndotjen mjedisore, ashtu edhe për rrezikun e shpërthimit eksploziv. Dhe vetëm para dy ditësh ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm që ka tronditur banorët dhe plasaritur banesat, madje edhe teqenë që ndodhet në këtë lagje. Përfaqësia e banorëve të lagjes e ka përcjellur këtë shqetësim në Komisariatin e Policisë së Sarandës e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka parë nga afër dëmtimet, por ka ngritur edhe një grup ekspertësh për të vlerësuar dëmin. Por, të tejngopur me këto premtime disavjeçare dhe indiferenca e të gjitha qeverive si lokale dhe qendrore, i ka detyruar banorët e kësaj lagjeje që nëpërmjet pleqësisë së lagjes, t’i drejtohen për ndihmë Kryeministrit dhe ministrit të Rendit në mbrojtje të jetës dhe djersës së tyre. Ja çfarë shkruhet në letër:

    KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË, Z. EDI RAMA

    MINISTRIT TË BRENDSHËM, Z. SAIMIR TAHIRI

    Ne banorët e lagjes “Baba Rexhep” në Sarandë shprehim pakënaqësinë për mos ndalimin e shpërthimit të minave masive nga një gurore që qëndron në mesin e lagjes sonë, si ky i datës 24/09/2014, ora 16:00, që ne e konsideruam si shpërthim atomik, ku dëmtoi edhe banesat tona, duke ngjallur një terror të vërtetë tek fëmijët tanë. Me besim tek Ju kërkojmë ndërhyrjen tuaj si dhe krijimin e një komisioni, ku do të verifikohen lidhje kriminale, falsifikim dokumentesh si dhe përvetësim miliona lekësh nëpërmjet gjykatave.

    Përfaqësia e lagjes “Baba Rexhep”

    Firmat

    Zano Çulli, Erbap Stroka, Veip Hajna, Mystehak Muçobega, Agron Kërma

    Sarandë më 24/09/2014

    Agron MEMA