Qytetarët: Dollapi rrit pagat e hajdutëve që ndihmojnë vjedhjen bashkë me të

    368
    Sigal

    Vëzhgim/ Qytetarët reagojnë për  rritjen e pagave të punonjësve të “CEZ Shpërndarje”

    Reagojnë të irrituar qytetarët përsa i përket lajmit të disa ditëve më parë se Sahit Dollapi, administratori i “CEZ Shpërndarje” deklaroi rritjen e pagave për punonjësit. Kjo si pasojë “e përmirësimit të treguesve financiarë dhe uljes së shpenzimeve jo rentabël të “CEZ Shpërndarje”. “Nga rritja e pagave kanë përfituar më shumë se gjysma e punonjësve të kompanisë “CEZ Shpërndarje”. Ose thënë ndryshe 2381 punonjës kanë në llogaritë e tyre paga më të larta. Kjo rritje varion nga 40 mijë lekë të vjetra për punonjës, deri në 110 mijë lekë të vjetra. Kjo nuk është rritja e parë dhe e fundit e pagave të tyre. Parimi im është, kush punon më mirë dhe më shumë, do paguhet më mirë dhe më shumë. Vetëm përmbushja e këtij standardi do të bëjë që çdo punonjës të ecë përpara në këtë kompani.”- është shprehur për mediat Dollapi. Në lidhje me rritjen e rrogave të punonjësve të “CEZ Shpërndarje”,  gazeta “Telegraf” ka marrë opinionet e qytetarëve të ndryshëm në Tiranë.

    Reagimi i qytetarëve

    Alban Z.: I mban njerëzit debitorë pa qenë, ky Sahiti. Si kujton ai,se me afrofe e fatura të rreme do vjedhë prapë. Duhet  të dënohet  për gënjeshtra e vjedhje në energjitikë, si dhe për fatura pa kontratë e afrofe sa 100-fishi i faktit. Edhe për më tepër, guxon me rritë pagat e hajdutëve që rrinë dhe ndihmojnë vjedhjen bashke me të. CEZ vetëm në muajin e parë ra me 7% në mbledhjen e parave, ka 330 mijë debitorë dhe Dollapi merr rrogë ministri.

    Nonda B.: Pasi shkatërroi ndërmarrjen e Ujësjellësit me kredi për të financuar Qeverinë, Dollapi është zgjedhur të shkatërrojë edhe një sektor strategjik për ekonominë e vendit. Të gjithë duhet të përgjigjen për abuzime me detyrën dhe fondet publike. Për të rritur rrogat kanë lekë këta, po për të dëmshpërblyer të përmbyturit e Shkodrës nuk ka lekë.

    Gresa A.: Është vënë në drejtimin e Energjitikës një person që kur drejtonte Ujësjellësin e Tiranës i la pa pikën e ujit. Shpërdoroi të gjitha fondet për Ujësjellësin dhe i përdori për të ndërtuar vila andej jashtë Tirane. Çdo sezon veror në Tiranë shihje botet me ujë që shpërndante Ujësjellësi me pagesë. Të njëjtën gjë do bëjë Dollapi edhe me energjitikën. Këta njerëz të paaftë duhet t’i ndalojmë të na rrënojnë më tej.

    Albert Gj.: Jam dakort me rritjen e pagave të punonjësve, por jam kundra vjedhjes së kunsumatorit! Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri është më i lartë se Greqia dhe se Italia, duke marrë parasysh rrogën minimale të një europiani dhe duke e krahasuar atë me rrogën minimale ose papunësinë e familjeve shqiptare, këto raporte nuk janë aspak logjike! Qeveria duhet të funksionojë si rregullator dhe jo si bashkëautor për grabitjen e thërrimeve të fundit që i kanë mbetur popullit!

    Asim B.: Zoti Dollapi, rriti rrogat, mirë bëri, por një gjë dua ta them, si ka mundësi që kur i mori ky dritat, nga 40-50 mijë lekë në muaj, tani më vijnë tre fish, 130 mijë dhe kontrollorët e sahatëve i kan bërë me kyç dollapët e sahatëve dhe nuk u lë një kyç kujdestarëve të pallateve, sikurse bëhet në çdo vend të botës, që të kemi mundësi ne si qytetarë të mundim të shikojmë sahatin bashkë me kujdestarin e pallatit. Kështu më krijohet mendimi se po bëhet vjedhje ndaj qytetarëve.

    Beni I.: Ky i rrit rrogat për me siguru votën dhe pastaj pasojat i ha populli i shkretë që paguan faturat. S’na mjafton vetëm 1 milion euro humbje nga keqmenaxhimi CEZ, po duhet me pagu tani dhe punonjësit e Dollapit.

    Nita B.: Unë s’po shoh ndonjë rritje të performancës te administrimi i CEZ-it, se jo për ndonjë gjë, po kjo kompani është me humbje! Tani, kur je me humbje, si mund të jetë rritur performanca? Hajde e merri vesh këta, tallen me popullin për qefin e vet!

    Pegi B.: Për çfarë performance flet ky Dollapi, po çfarë parash ka mbledhur CEZ-i kur të gjithë demokratët nuk paguajnë paratë e dritave, se thonë do i fali Qeveria kur të jenë zgjedhjet, se gjithmonë kështu bën.