Qytetarët denoncojnë te emisioni i Bashkim Hoxhës dhe Eliana Hoxhës

    442
    Sigal

    Vetë shkruan, vetë vulos…

     Është fjala për KK Zagorie të Gjirokastrës, që nuk bëri kurrë shtet në atë krahinë me tradita atdhetare e kulturore, përkundrazi, shkeli ligjet dhe thelloi anarkinë. Ka kohë që nuk qëndron në krye të detyrës dhe nuk zgjidh asnjë ankesë, duke shëtitur sa në Gjirokastër e sa në Tiranë.

    Vetë shkruan dhe vetë vulos, kur bëhet fjalë për fondet e shtetit… Ka gjetur dhe një Kryetar Këshilli të Komunës, që nuk i kursen firmat edhe në dokumentet financiare!

    Gjatë katër vjetëve, ato pak ndërtime që ka nisur, i ka lënë gjysmake. Kështu, Vatrës së Kulturës në Nivan, era që fryu ia ngriti çatinë avadan. Rruga shumë milionëshe me beton në fshatin Zhej po kthehet në rrënojë se firma ndërtuese punoi pa cilësi. Kroi i Beratit në Çajupin e bukur ka mbetur përgjysmë.

    Ujësjellësi i fshatit Hoshtevë mbeti pa përfunduar. Në një festë në Zagorie u blenë disa qindra mijëra lekë lule në Gjirokastër dhe u sollën në ”vendin e luleve”! Shkollat në pronësi të Komunës si në Doshnicë është rrëzuar, në Hoshtevë është në prag rrëzimi!…

     Kryetari në asnjë mbledhje Komune nuk i “ndriçon” shpenzimet e bëra. Edhe kur u pyet mbledhjen e fundit nga përfaqësuesi i “Lliare” ”sa kushtoi ujësjellësi i fshatit?” nuk u përgjigj, po doli jashtë! Sa të ardhura mblidhen nga shitjet e kullotave malore në varësi të Komunës? Një Zot e di dhe Kryetari në ikje… Sa shiten vendburimet e rërës… sa arkëtohen nga taksat e blegtorëve? Po kontroll financiar ushtrohet mbi këtë Komunë? Po… Por zbutet nga marifetet e Kryetarit. Këshilli trajtohet si kukull e Kryetarit Arqile Menkshi dhe ai ”shkruan e vulos dhe nuk i thotë njeri, mos!”. Ligjin e ka marrë lumi!

    Jorgo Dede

    Anëtar i Këshillit të Komunës

    Blindi i Postës në Korçë shpërndan dru

    Sa herë që shihet makina e postës të shkon mendja se po kryhen shërbimet postare dhe është plot me letra apo pako postale. Gjithmonë kështu ka ndodhur. Ky është funksioni i makinës së Postës. Porse ndryshe po ndodh së fundmi në Korçë. Tashmë, kjo makinë përdoret për të transportuar dru. Kështu është shprehur një qytetar korçar në emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” e Bashkim Hoxhës në televizionin “News 24”. Shkon e vjen fshatrave të Korçës, e ngarkuara me dru. Mesa duket, drejtori/ja e postës në Korçë e ka gjetur biznesin për të bërë ca para, duke përdorur mjetet e institucionit që drejton. Se shoferi nuk mund të bëjë me kokën e vet gjithë këtë zallamahi në ditën me diell…, përndryshe i fluturon vendi i punës. Në fakt, ndryshimi i destinacionit të blindit (makinës) të postës i ka habitur qytetarët korçarë. Kështu që kanë zgjedhur të denoncojnë këtë skandal në media, pasi fakti i një abuzimi kaq të hapur me detyrën, nuk mund t’i lejojë të denoncojnë te titullarët e institucioneve abuzues…

    Fshatrat e Vlorës, të harruar nga policia

    Banorët e fshatrave në rrethin e Vlorës denoncojnë situatën e frikshme të mungesës së rendit dhe sigurisë në vendet e tyre. Banorët thonë se shtëpitë e fshatrave po grabiten e vidhen, madje nuk mungojnë as rastet e përdhunimeve. Fakti se shumica e burrave në këtë zonë janë në emigracion, i bën ato fshatra një shënjestër më të lehtë për krimin. Banorët kanë frikë të flenë apo të lenë fëmijët vetëm, sepse shtëpitë e tyre nuk janë më të sigurta. Ndërsa forcat e rendit, të zënë me futjen në burg të hajdutëve të energjisë, i kanë lënë këto fshatra në mëshirë të fatit. Banorët kërkojnë nga policia të mos rrijë duarkryq, por të kryejë detyrën e saj duke garantuar rendin dhe qetësinë e munguar prej kohësh. Banorët madje kërcënojnë se nëse nuk do të zgjidhet problemi i sigurisë së tyre, do të bllokojnë rrugët me protesta.

     Klos, Bulqizë, invalidët 3 muaj pa marrë pagesat

    Prej tre muajsh, personat me aftësi të kufizuar, në Klos të Bulqizës, nuk janë trajtuar me pagesën që iu takon me ligj nga shteti. Gjatë këtyre muajve, ata janë detyruar të marrin borxhe për të përballuar pagesat për shërbime të ndryshme; ujë dhe energji elektrike, si dhe ushqime e barna me lista. “Nuk ka gjë më të rëndë për një prind, se sa kur fëmija kërkon të hajë dhe nuk ke çfarë t’i japësh, kur fëmija kërkon një rrobë a një lodër dhe nuk ke mundësi t’ia blesh. Ne kemi 3 muaj pa marrë pagesën. Justifikimi është se ende nuk kanë ardhur paratë në Postë. Është tepër e vështirë të përballohet jetesa pa para, thjesht duke marrë ushqime nëpër dyqane”, thotë një nga invalidët në emisionin e mëngjesit të bashkim Hoxhës. Invalidët e Klosit i kërkojnë qeverisë të jetë më e përgjegjshme, se nga ana e saj ajo kërkon nga qytetari që të paguajë detyrimet e tij, madje të fut dhe në burg nëse nuk i paguan, ndërsa nga ana tjetër nuk plotëson detyrimet që ka ajo për qytetarët e saj. Për shkak edhe të sëmundjes së tyre, ata duhet të blejnë një sërë barnash të cilat i kanë të domosdoshme, por mungesa e parave prej 3 muajsh i ka detyruar që t’i marrin, duke shënuar emrin në listën e farmacisë, njësoj si për ushqimet në dyqanet e lagjes. Por kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht… si farmacistja, ashtu dhe tregtari kërkojnë paratë e tyre. Ndaj invalidët e Klosit kërkojnë që qeveria të verë veten në vendin e tyre dhe të jetë më e përgjegjshme, duke u dhënë paratë sa më shpejt.

     Pylli pas Dajtit digjet, shteti krihet

    U bënë 3 ditë që në pyjet pas Dajtit ka rënë zjarri dhe askush nuk kujtohet për shuarjen e tij. Ndërkohë që bëhet me dije, nga banorë të zonës, se vatra e zjarrit është shpërndarë në një sipërfaqe akoma më të madhe. Terreni i vështirë malor e bën të vështirë ndërhyrjen e banorëve përqark, të cilët edhe pse kanë lajmëruar dikasteret përkatëse për rënien e zjarrit, askush nuk është kujtuar të vijë e të marrë masa për të parandaluar shkretimin e pyllit. Ndikimi i erës dhe ditët me diell kanë ndihmuar që zjarri të përhapet më tej, duke rrezikuar që flakët të përfshijnë gjithnjë e më shumë sipërfaqe të pyllëzuar. Çuditërisht, çdo vit digjen me qindra dhe mijëra hektarë pyje dhe qeveria gjithmonë gjendet e papërgatitur. Nuk ka pasur asnjë lloj investimi për mjete për luftimin e zjarreve; as zjarrfikëse të reja, as helikopterë, as avionë nuk janë blerë me qëllimin për të krijuar mundësinë për ta luftuar këtë fenomen. Ndërsa duke mos pasur më fidanishte në vendin tonë, është rritur automatikisht kostoja për ripyllëzimin e sipërfaqeve të djegura. Në kohë krizash, pasuritë natyrore shfrytëzohen në mënyrë barbare nga të gjithë dhe për dëmet nuk mendon askush.

     Në DRSSH Tiranë mungojnë formularët e kompensimit të energjisë

    Ndërkohë që Instituti i sigurimeve Shoqërore deklaron se ka filluar plotësimi i formularëve të kompensimit të energjisë elektrike, drejtoritë rajonale, ende nuk janë furnizuar me këto formularë. Pensionistët, të informuar nga mediat janë drejtuar në drejtoritë rajonale të qyteteve të tyre për të plotësuar formularin e ri me qëllim kompensimin e energjisë elektrike prej 648 lekësh, por janë gjetur përballë faktit të mungesës së këtyre formularëve. Kështu deklaron një pensionit nga Tirana në emisionin e mëngjesit të Bashkim Hoxhës “Koha për tu zgjuar”. Pensionisti shprehet se me gjithë pamundësinë e tij për të ecur rrugëve për shkak edhe të sëmundjeve të ndryshme, kur ka mbërritur në DRSSH Tiranë, i kanë thënë se ata ende nuk janë furnizuar me formularët për kompensimin e energjisë nga Instituti i sigurimeve Shoqërore. Ndaj duhej të interesohej në një moment tjetër për mbërritjen e formularit për ta plotësuar më pas. Pensionisti tregoi se u zhgënjye shumë, pasi kishte dëgjuar se ishin marrë të gjitha masat nga ana e sigurimeve shoqërore, porse rezultoi ndryshe. Ndërsa natyrshëm të lind pyetja: Nëse formularët mungojnë në Tiranë, si paraqitet situata në qytete e tjera?