QSUT-Higjena e ulët: 120 urgjenca në 24 orë të infeksioneve të traktit tretës

648
Është kthyer gati në normë ngarkesa e infeksioneve të traktit tretës në spitalin infektiv duke pritur rreth 100-120 raste urgjente në ditë, por kjo sipas mjekëve nuk mund të konsiderohet një situatë e zakonshme.
Infeksionisti Arjan Harxhi thotë se shqetësimet si diare, të vjella, temperaturë janë shtuar ndjeshëm në këto ditë të nxehta verë dhe shkak për këtë po bëhen mikrobet që shqiptarët i marrin nga ushqimet dhe uji ku niveli i pastërtisë lë shumë për të dëshiruar.
“Bëhet fjalë për nivel të ulët të higjenes dhe nivel të ulët të përpunimit dhe ruajtjes së ushqimeve. Pra rrugët janë qoftë përmes ujit, kur uji është jo i pastër, i kontaminuar, jo i sigurt, përmes ushqimeve të cilat janë paraprakisht të kontaminuara, apo ushqime të cilat mund të kontaminohen në momentin e gatimit ose nuk ruhen ashtu siç duhet. Është e rëndësishme të theksohet se vashdon të jetë problematike në Shqipëri infeksionet e traktit gastro-intestinal. Pra janë shkaqe të lidhura edhe me konsumim ushqimesh nëpër lokale por edhe konsumim në ambjente shtëpie. Frekuenca e hasjes së infeksioneve të traktit tretës është një tregues i nivelit higjeno-sanitar po edhe social edhe kulturor të një popullatë”.
Mjekët i bëjnë apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm me ujin e pijshëm dhe ushqimet që konsumojnë në bare dhe restorante.
“Popullata duhet konsumoje ujë të zier ose të amballazhuar kur ka probleme, ndërsa ushqimet të jenë sa më të freskëta. Inspektoriatet duhet të shtojnë kontrollet ndaj restoranteve dhe masat ndëshkuese”.
Ajo që mjekët konstatojnë është rritja e këtyre infeksioneve nga viti në vit të cilat nëse nuk parandalohen nuk parandalohen mund të çojnë në situata ekstreme ndërlikime të mëdha shëndetësore.
Sigal