Qirjako Kasapi/ Zagoritët, në memorien e kohës

    819
    Sigal

    Zagoritët kurdoherë janë shquar si punëdashës dhe të mençur, arsimdashës dhe atdhetarë. Ata kanë ndërtuar jetën e tyre me vështirësi e ndershmëri në Zagorie, por dhe jashtë saj. Në çdo kohë e në çdo vend ata kanë jetuar e mbijetuar me kulturë e dinjitet të admirueshëm. Por ajo që e zbukuron qenien e tyre njerëzore është lidhja shpirtërore midis tyre, familjes, fisit e shoqërisë aty ku punojnë e jetojnë. Të larguar prej saj, për një jetë  më të mirë i shikon ata teksa mblidhen në ditë gëzimesh, festash kombëtare e fetare, në çdo qendër banimi, ku jetojnë brenda Shqipërisë, por dhe jashtë saj, në qytetet e ndryshme të Greqisë, Italisë, Gjermani, Amerikës, Kanadasë, Argjentinës etj.. Kjo është trashëgimia e të parëve të tyre Zagoritë brez pas brezi.

    Zagoritët takohen e bisedojnë së bashku në vende publike

    Kudo, ku punojnë e jetojnë ata manifestojnë kulturën dhe traditën e kësaj krahine. S’ka më bukur kur shikon moshën e tretë të takohen me më të rinjtë, e të pinë kafen e mëngjesit në Tiranë sipas rastit tek Kafe “Kostarja” (e zagoritit Dhimitër Paskal Kostare), Europa, Shallvaret, Kafe Kruja, Restorant Zagoria me pronar A. Pangon, Pastiçeri Zagoria ku shërben familja e Th.Vitos, Restorant Argjiro e zagoritit P. Minga, ish Bar Restorant Zagoria (pranë Urës së Shallvareve) me pronar K. Kalanë etj.. Këtë mikpritje do ta gjesh  dhe në qytete të tjera që banojnë zagoritët, ku ata takohen e kuvendojnë sipas vendtakimeve të njohura për ta. Ky është një ritual i zakonshëm i tyre, pasi ata  çmallen, qajnë hallet dhe mësojnë për fëmijë, nipër dhe mbesa të njëri -tjetrit, se si janë e ku janë, si shkojnë me punë ,shkollë e familje. Pyesin se si janë nga Zagoria, se kush erdhi e kush iku drejt saj, për t’ju çuar bashkëfshatarëve të tyre përshëndetjet e tyre të përzemërta. Pyesin për shëndetin e gjithsecilit dhe nëse ka ndonjë të shtruar në spital, e lënë kur do shkojnë tek ai për t’i uruar shërim të shpejtë. Pyesin se kush ka gëzime apo hidhërime. E kështu lajmërojnë njëri-tjetrin  dhe ju gjenden në këto raste me fjalë zemre cilido zagoriti. Kënaqësinë e ditëve të shënuara fetare, ditët e emrit etj., si këto, ata do t’i ndajnë  mes tyre si përherë, për të uruar njëri-tjetrin sipas zakonit duke ngritur shëndetin e parë për familjen e madhe zagorite. 

    Zagoritët gjatë verës takohen e çmallen me zagoritët e kthyer në atdhe

    Në pushimet e verës do takosh në këto vende takimi në Tiranë, zagoritët e ardhur nga SHBA-të e nga vende të tjera si: Koço Idrizin, Konstandin Ristanin, Kristjan Bukuroshin, Pilo e Vladimir Bita, Spiro Andoni, Kleo e Sose Laçi (Sevo), Thanas Kllapi, Spiro Vito etj.. Po kështu, në Zagorie apo qytete të tjera do takosh shumë emigrantë të kthyer për t’u çmallur me familjen apo bukuritë natyrorë të Zagorisë. Kështu në çdo fshat të saj do t’i gjesh  zagoritët  në ditët e shenjta për të festuar së bashku në vendtakimet e tyre shekullore sipas traditës. Prandaj urimi i parë dhe respekti duhet të shkojë para së gjithash për të gjitha familjet që banojnë e jetojnë në krahinën e Zagorisë.  Ata i japin jetë me punën e tyre të pa lodhur  emrit të saj. Ja pse këto familje fisnike meritojnë veç mirënjohjen tone të përhershme.

    Marrëdhëniet miqësore midis zagoritëve si traditë e trashëguar

    Duhet theksuar se, takimet e sipër cituara midis Zagoritëve janë për t’u përshëndetur dhe vlerësuar si shenjë e lartë e kulturës dhe traditës së trashëguar nga të parët tanë në çdo kohë dhe në çdo vend. Kështu në memorien e viteve 1935 e në vazhdim, zagoritët në Tiranë do takoheshin; tek  “Qoshja e Çajupit”, lokali me pronar Miço Garuli, Illi e Jano Dado (sot M.H. Kombëtar), tek Foto Studio Ristani, ku do gjeje z. Jani e Vasil Ristani, (sot “Bar London”), tek ish -Restorant Vollga, ku punonin z. A. Sevo, S. Qirko, apo tek Pazari në sheshin “A. Rustemi” (Restoranti ku punonin Z. P. Nika e S. Ristani), tek “Bar Sahati” me pronar Z.V. Dervishi, Foto Studio e Filip e Jorgo Vitos, (sot Pallati i Kulturës) etj.. Po kështu në Gjirokastër. Më 1923 do takoheshin tek restoranti “Shpresa” me pronar zagoritin, Lipe Kasapi dhe Klubi i Gjuetarëve pranë qendrës së saj, apo në Durrës tek Restoranti i z.R. Kondi, etj.. Emra dhe vende në qytete të ndryshme ka shumë dhe kjo duhet sjellë në memorien e lexuesve zagoritë përmes shkrimeve të tjera për kohën në vazhdim. Këto ishin vendtakime, ku zagoritët do ndanin gëzimet dhe shqetësimet e përbashkëta, por dhe orientoheshin për të shkuar drejt një jete më të mirë brenda apo jashtë Shqipërisë.

    Zagoritët në mërgim dhe lidhjet shpirtërore me atdheun

    Në këtë shkrim modest le të kujtojmë edhe lidhjen shpirtërore të zagoritëve në mërgim në raport me Zagorinë dhe Shqipërinë. Zagoritët emigrantë në Amerikë, Kanada, Argjentinë, Greqi, Turqi, Francë, etj., ndihmuan më 1912-n e në vazhdim sa mundën me të holla, duke dërguar për fëmijët shqiptarë tekste shkollorë në gjuhën shqipe, u shquan me krijimet e tyre letrare e zgjimin e ndjenjës atdhetare si dhe me kontribute financiare në interes të krahinës së tyre e më gjerë. Spikatin këtu emrat e nderuara të A.Z.Çajupit, Mihal e Dhiogjen Haritos, Aristidh Rucit, Ilia Dilo Sheperit, Petro Kondit, Sotire Thanas Dilogjikës, Gaçe Puleshit, Vangjel e Petro Garos etj.. Por kështu, me të njëjtin pasion dhe dashuri për Shqipërinë u bashkuan ata në këto shtete për të festuar më 28.11.1912 ditën e shpalljes së Pavarësisë, apo pas vitit 1944 duke festuar së bashku 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të Atdheut. Emrat e tyre  janë të shumtë dhe për ta është shkruar dhe më parë.

    Gazeta “Zagoria”, shembull i lidhjeve shpirtërore me vendlindjen dhe midis tyre

    Zagoria për zagoritët mbeten malli i pashuar. Ata kanë qenë gjithnjë shumë të lidhur midis tyre dhe me vendlindjen sepse kanë pasur një dashuri të pakufishme për atdheun e tyre. Shembull për këtë sot midis të tjerash është kontributi i tyre për të shkruar me pasion zemre në gazetën “Zagoria”, por dhe duke e sponsorizuar atë vullnetarisht në më shumë se 100 numra të saj për mbi 15 vjet. Emrat e tyre i gjen në çdo numër gazete, prandaj ata meritojnë veç mirënjohjen tonë. G. Zagoria si organ i shoqatës “ Çajupi” me të nderuarin Peço Kagjini (themelues dhe ish -kryetar i saj), pasuar nga z. Arkile Vasi e Andon Pango (kryetar në detyrë) e drejtuar nga z.Spiro Dede, Kleanthi Zoto e redaksitë e saj ndër vite, mbeti simbol i lidhjeve  shpirtërore midis tyre e vendlindjes. Së bashku me anëtarët e shoqatës “Çajupi” në Tiranë e degët vendore dhe përkushtimin e zagoritëve të palodhur z.Koço Vllau e Trifon Çarka etj., për mbarëvajtjen e kësaj gazete dhe të shoqatës së tyre qysh nga themelimi i saj, ata mbeten pika referuese për vazhdimësinë e kësaj tradite në të ardhmen. Për këto dhe të tjera virtyte të nderuara që zagoritët  manifestojnë  në punë, jetë dhe shoqëri  ata meritojnë të kujtohen, respektohen dhe vlerësohen.