Qeveria, VKM “speciale” për mbrojtjen e … 5 deshëve “Syska”!

    374
    Çudia e radhës, bënë fjalë për një vendim qeverie, i cili flet për ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri, duke miratuar një projekt rehabilitimi konkret. Në vendim, si në një raport mbledhjeje vjetore e mujore, thuren lëvdata, se gjatë periudhës që prej Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Biodiversitetin (SPVB) të parë për Shqipërinë të vitit 2000, sot në vitin 2016, vendi ka shënuar progres në mbrojtjen e biodiversitetit, nëpërmjet hartimit të kuadrit institucional dhe legjislativ, si dhe në implementimin e zbatimin e tyre në praktikë. 

    E kemi fjalën për mbrojtjen e racave të rralla egra e të buta, të bagëtive të imëta që gjenden në vendin tonë. Sipas raportit të qeverisë dhe sipas vendimit të saj që publikohet në “Fletore Zyrtare” Nr. 8-2016, thuhet se në Shqipëri ka 9 raca autoktone të dhive dhe 5 raca delesh. Në tabelën që pasqyron racat, seksin dhe numrin e bagëtive të racave të veçanta që duhen mbrojtur, publikohet dhe numri i deleve e deshëve të racës “Syska”. Po, sa krerë delesh e deshësh të racës autoktonte shqiptare “Syska” me tipizime të veçanta, janë në Shqipëri? Sipas tabelës së numrit që publikon qeveria, rezulton se në Shqipëri ka 110 dele “Syska” dhe… vetëm 5 desh të racës “Syska”! Theksin, vendimi i qeverisë e vë në mbrojtjen e 5 deshëve “Syska” dhe në shtimin e numrit të tyre. Dhe të që arrij këtë synim, qeveria detyron të punojnë 12 drejtori rajonale të bujqësisë, 12 drejtori rajonale të mjedisit, 36 drejtori rajonale të bujqësisë, 36 drejtori rajonale të mjedisit, 2 ministri (Bujqësia e Mjedisi), të cilët duhet të kujdesen që edhe 5 deshët “Syska” të shtohen e të mos i zënë sëmundjet, apo të mos i hajë ujku!  
    Përparim Halili
    Sigal