Qeveria ul taksat në mënyrë selektive për disa biznese

922
Sigal

Projektligji 2015, ulja e rentës minerare, zerimi i akcizës së pijeve energjike dhe i tarifës doganore për naftën bruto

Një numër shumë i vogël biznesesh në Shqipëri do të përfitojnë ulje taksash për vitin e ardhshëm, bëhet e ditur nga paketa e projektligjeve fiskale dhe relacioneve përkatëse të lidhura me buxhetin e vitit 2015. Një prodhues kromi, kompanitë e pijeve energjike, si dhe kompanitë e huaja, që operojnë në tregun e hidrokarbureve, ndryshe nga pjesa tjetër e shqiptarëve, mbi të cilët do të rëndojnë 112 milionë euro taksa shtesë.

 Ferrokromi merr ulje taksash

 Janë disa biznese që duket se e kanë “bindur” qeverinë që t’ia ulë taksat. Një histori e zakonshme klientelizmi kjo, që përsëritet pavarësisht ndryshimit të qeverive. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave për taksat kombëtare, një shoqatë e quajtur “Shoqata e Mineraleve të Shqipërisë”, ka kërkuar uljen e rentës minerare për kromin e përpunuar në vend. Qeveria ka pranuar që renta minerare të ulet me 30 për qind për kromin e përpunuar. Problemi është që kjo masë ligjore duket se i shërben vetëm një biznesi, të vetmit biznes që disponon fabrikën e Ferrokromit në Elbasan.

Shoqata e Mineraleve të Shqipërisë nuk rezulton e regjistruar si grup interesi pranë Kuvendit të Shqipërisë dhe duket se ndërhyrja e kësaj shoqate është bërë pranë qeverisë. Qeverisë do t’i kushtojë 45 milionë lekë (rreth 300 mijë euro) në vit ulja e rentës minerare për kromin.

 Jo më akcizë për pijet energjike

 Grupi i dytë i përfituesve është ai i prodhuesve dhe importuesve të pijeve energjike. Qeveria vendosi një akcizë vitin e kaluar mbi pijet energjike në masën 50 lekë për litër. Por vitin e ardhshëm kjo taksë do të hiqet. Megjithëse në tregun e pijeve energjike ka shumë prodhues dhe importues, është vetëm një importues ai që disponon shumicën dërrmuese të tregut. Gjithsesi, relacioni i qeverisë për kuvendin nuk paraqet hapur si në rastin e kromit, ndërhyrjen e mundshme të ndonjë grupi interesi. Qeveria ka mbledhur rreth 500 milionë lekë akcizë nga pijet energjike këtë vit, të cilat nuk do t’i ketë më vitin e ardhshëm./Gjergj Erebara

Relacioni i qeverisë për uljen e rentës së mineraleve që përpunohen në vend 

 Në adresim të kërkesës së Shoqatës së Mineraleve të Shqipërisë të uljes së rentës minerale për mineralin e kromit të përpunuar në vend, dhe me qëllim nxitjen e investimeve direkte vendase dhe të huaja nëpërmjet rritjes së shkallës së përpunimit të këtij minerali në vend, do të propozohet që përqindja e rentës minerare për përmbajtjen e mineralit krom në nënproduktin minerar të jetë në masën sa 2/3 e normës së rentës së mineralit. Aktualisht, struktura e eksportit të kromit mbizotërohet nga minerali i papërpunuar, ku pesha specifike e mineralit të papërpunuar të kromit zë rreth 91% (koncentrati i kromit dhe ferrokromi zënë në total rreth 9%). Rritja e shkallës së përpunimit të këtij minerali në vend që vjen si pasojë e uljes së masës me 1/3 e normës së rentës, pritet të sjell rritjen e të ardhurave të arkëtueshme nga renta minerare. Me gjithë efektet negative që do të sjellë kjo masë në të ardhurat nga renta në masën 45.3 milionë LEKË, efektet pozitive të pritshme nga ulja e rentës minerare të nënprodukteve të kromit, janë më të larta, në drejtim të inkurajimit të investimeve në industri përpunuese; rritjes së furnizimit me lëndë të parë në vend kundrejt eksportit; rritjes së investimeve kapitale në vend; apo stimulit të vendeve të reja të punës.

Cili është destinacioni i naftës pa taksë?

 Projektbuxheti i vitit 2015 penalizon qytetarët shqiptarë, ndërsa favorizon kompanitë e huaja. Kështu, rritja e taksës së karburanteve 2 herë brenda vitit varfëron direkt xhepat e shqiptarëve, ndërsa zerimi i taksës doganore të naftës, çon paratë në xhep të kompanive të huaja, që operojnë në tregun e hidrokarbureve. Aktualisht, sipas legjislacionit në fuqi, taksa doganore për kompanitë që importojnë naftë bruto, është 10 %. Porse ligji, me qëllim nxitjen e këtij sektori në vend, i jep të drejtë qeverisë të bëjë përjashtime për kompanitë në pagesën e taksave. Qeveria, me heqjen e kësaj takse për naftën bruto, vetëm sa ka hequr nga vetja rrezikun e futjes në ndonjë skandal korruptiv, siç edhe ndodhi vitin e kaluar me kompaninë kanadeze Bankers Petroleum. Në këtë mënyrë, i ka lënë dorë të lirë kompanive të huaja që administrojnë nëntokën shqiptare, ndërsa dyshimi vazhdon të qëndrojë nëse ky karburant shkon në të vërtetë për linjat teknologjike të investimit, apo hidhet në treg. Veçse, nëse qeveria ka menduar të kontrollojë të gjithë procedurën e importit të naftës bruto, pse jo dhe të shoqërojnë naftën bruto deri në destinacionin për të cilën është importuar, që të mos përsëritet kontrabanda e ligjëruar në kurriz të konsumatorit shqiptar.

 

 

 

Paketa Fiskale 2015, Bregasi: Përkeqësohet tatimi në ndërtim, pesha mbi sipërmarrësin

 Paketa Fiskale e vitit 2015 ka qenë objekt diskutimi dje në Komisionin e Ekonomisë, ku grupet e interesit u mblodhën për të diskutuar mbi të.  Kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi u shpreh se shoqata ka qenë e ndërgjegjshme për propozimet e bëra dhe kjo do të ndihmonte për bërjen e biznesit dhe zhvillimin e saj. “Ne kemi kërkuar uljen e taksave lokale dhe atyre vendore. Gjithashtu përmirësimin e disa ligjeve që rrisin kostot e bizneseve dhe ndër më të rëndësishmen, që gjithashtu është rekomanduar nga disa ekspertë të Harvardit, uljet e TVSH-së në sektorin e turizmit”, deklaroi z. Bregasi. Bregasi nuk la jashtë vëmendjes listimin e disa pikave, që sipas tij, ishin negative në peshën që i jepet biznesit shqiptar. “Në fushën e ndërtimit, është përkeqësuar tatimi, pasi bie pesha vetëm mbi sipërmarrësin, duhet të paguajë edhe pronari i tokës. Tatimi është shtuar me 15 %, këtë propozim e kemi bërë edhe më parë dhe nuk është pranuar. Tjetër pikë, në turizëm, kemi kërkuar uljen e TVSH-së, mesatarja e rajonit është 7 %, ne e kemi 20 %. Kjo do rriste investimet në turizëm, është shumë vështirë të fitosh në këtë sektor”, u shpreh më tej Bregasi. Për faturat tatimore, Bregasi u shpreh qartazi që të penalizohet tatimpaguesi që nuk lëshon faturë të rregullt, jo ne që e marrim. Gjithashtu, së fundmi, ai u ndal në pajisjet fiskale.