Qeveria u jep 206 lekë bukë konviktorëve nxënës dhe 230 lekë konviktorëve studentë

    384
    Vetëm 8 ditë më parë, qeveria ka miratuar një vendim social për trajtimin ekonomik jetik të dy kategorive shoqërore në arsimin universitar dhe para universitar, të cilët gjatë periudhës shkollore, jetojnë me mjedise strehimi e ushqimi shtetërore, ose në “konvikte”, siç quhen. Konkretisht, qeveria ka vendosur të trajtojë me ushqim nxënësit dhe studentëve konviktorë që përfitojnë bursë trajtimi nga shteti, me një kuotë të caktuar ushqimore në sasi e kalori, të detajuar me gramatura për çdo lloj produkti që përbën bilancin e ushqimit të tyre ditor për vitin arsimor 2015-2016! Sipas VKM Nr. 911, datë 11.11.2015 “Për përcaktimin kritereve për përfitimin e bursave e pagesave dhe për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte, për nxënësit e studentët në institucionet arsimore publike për vitin shkollor 2015-2016”, publikuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 197, datë 18 nëntor 2015, nxënësit e sistemit arsimor para-universitar të cilët trajtohen me bursë, do të ushqehen me 206 lekë në ditë! Ndërsa studentët, të cilët trajtohen me bursë nga shteti do ushqehen me 230 lekë në ditë. Në VKM janë detajuar edhe gramaturat dhe kaloritë ushqyese tallëse e diskriminuese të produkteve që do të konsumojnë nxënësit dhe studentët në 1 ditë jetesë në konvikte. P.sh., në 1 ditë ushqim, ata do të kenë në “menu” edhe 30 gram fasule që përmbajnë 93 kalori dhe 4.5 lekë, ose 25 gram djathë me 40 kalori dhe vlerë 10 lekë, deri tek nënprodukte mishi me sasi 30 gram në ditë dhe vlerë ditore 12 lekë në ditë! Pa bërë komente, po publikojmë tabelat e bursës ushqimore ditore, që qeveria jep për nxënësit dhe studentët në konviktet e shtetit edhe për vitin mësimor 2015-2016.
    Sigal