Qeveria shet shtetësinë italiane vetëm atyre që mund të paguajnë

    482
    Sigal

    ITALI/ Bashkimi familjar. Kush është dëbuar mund të kthehet në Itali?

     Kush siguron të ardhurat minimale, strehim të përshtatshëm, bën bashkim familjar

    Dua të bëj bashkim familjar me tim shoq që një vit e gjysmë më parë është dëbuar nga Italia. Kur iu dha masa e dëbimit nuk ishim martuar akoma. Si mund të bëj për ta sjellë në Itali?

    – Bashkimi familjar mund të kërkohet edhe për të huajin që është dëbuar nga Italia me kusht që ai të mos përbëjë kërcënim konkret e aktual për rendin publik e Sigurinë e Shtetit.

    Familjari i pranishëm në Itali që plotëson kriteret e parashikuara nga neni 29 i Dekretit Legjislativ 286/1998 (të ardhurat minimale, strehimi i përshtatshëm, dhe dokumentet që konfirmojnë lidhjen familjare), paraqet kërkesën në Sportelin Unik për Imigracionin për lëshimin e autorizimit (nulla osta) për bashkim familjar. Pas nisjes së procedurës, Kuestura lëshon mendimin pozitiv paraprak në rast se nuk ekzistojnë motive penguese për rihyrjen e të huajit të dëbuar në Itali (pra nëse nuk është i sinjalizuar si person i rrezikshëm, nëse nuk ka pasur dënime penale të rënda e nëse ka respektuar dekretin e dëbimit në ngarkim të tij). Në çastin kur autoritetet thonë se i huaji për të cilin kërkohet autorizimi rezulton si person i sinjalizuar nga Sistemi Informativ Schengen – SIS, i interesuari duhet të kërkojë heqjen e tij nga regjistrat e SIS-it, duke i bashkangjitur kërkesës një kopje të dokumentit të tij të identitetit, një kopje të faqes së pasaportës me vulën e daljes nga territori italian, ose atë të një vendi Schengen ku ka ndaluar për të fundit herë para mbërritjes në vendlindje. Për të kompletuar procedurën, Sporteli Unik për Imigracionin fton të huajin e dëbuar të paraqitet në Konsullatën italiane për të ç dokumentacionin që dëshmon lidhjen familjare me kërkuesin. Pas këtij hapi, Kuestura lejon fshirjen e sinjalizimit SIS të të huajit, duke autorizuar lëshimin e nulla ostës përfundimtare nga Sporteli Unik për Imigracionin, me të cilin i huaji do të kërkojë vizën në përfaqësinë diplomatike italiane. Pas lëshimit të vizës, i huaji hyn në Itali duke sjellë me vete edhe dokumentin e lidhjes familjare. Brenda tetë ditëve paraqitet në Sportelin Unik të Imigracionit që ka lëshuar autorizimin ku nënshkruan marrëveshjen e integrimit dhe më pas paraqet kërkesë për lejen e qëndrimit për motive familjare.

    Maria E. A.

    ****************************

    Itali/ Shtetësia italiane. Tani është ligj: kush e kërkon si pasardhës italiani paguan 300 euro

    Dekreti Irpef kthehet në ligj e bashkë me të miratohen edhe tarifat e reja konsullore. Deputeti Borghese (MAIE): “Qeveria shet shtetësinë italiane vetëm atyre që mund të paguajnë”

    – Mëngjesin e sotëm Dhoma e Deputetëve konvertoi përfundimisht në ligj dekretin e qeverisë 66/2014 “Masa urgjente për aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve dhe drejtësinë sociale”, me pak fjalë dekretin që parashikonte bonusin Irpef prej 80 eurosh.

    Dhoma e Deputetëve votoi të njëjtin tekst të dalë nga Senati, që parashikon edhe një taksë të re për pasardhësit e italianëve që jetojnë jashtë Italisë e që duan të rikuperojnë shtetësinë italiane. para që duhet të nxjerrin nga xhepi kur paraqiten në konsullatë për të kërkuar shtetësinë për ius sanguinis duke treguar  me dokumente se një paraardhës i tyre, edhe i para shtatë brezave (nuk parashikohet asnjë kufizim në breza) ishte italian.

    Ligji i ri, për ardhjen në fuqi të të cilit pritet tani vetëm shpallja në Gazetën Zyrtare, fut një pikë të re një tabelën e tarifave të konsullatave italiane në botë. Është fjala për “shumat që duhen kërkuar për përpunimin e kërkesave të njohjes së shtetësisë italiane të paraqitura nga persona në moshë madhore” që është “300 euro”.

    “Babai” i kësaj takse është senatori i PD-së, Giorgio Tonini, që e ka futur me një amendament të paraqitur në komision. “Në Amerikën Latine, në veçanti në Argjentinë – ka shpjeguar ai – ka lista pritjeje shumë të gjata personash që kanë kërkuar shtetësinë italiane sepse janë pasardhës italianësh. Praktika që deri tani ishte falas, do të kushtojë 300 euro. Qëllimi është që një pjesë e kësaj shume të përdoret për shtimin e personelit për përpunimin e praktikave të prapambetura”.

    Protestojnë të interesuarit e drejtpërdrejtë: ata pasardhës emigrantësh italianë të cilët, falë votës jashtë Italisë, kanë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin italian.

    Për ta foli në Dhomën e Deputetëve Mario Borghese, deputet i grupit të përzier MAIE,Movimento Associativo Italiani all’Estero. “Që nesër – tha – kush do të kërkojë njohjen e shtetësisë sipas parimit ius sanguinis duhet të paguajë një taksë prej 300 eurosh. Ndoshta ky është problem i papërfillshëm për këtë Qeveri, por padyshim do të jetë për mijëra pasardhësit e italianëve emigrantë që, prej vitesh, bëjnë radhë në dyert e konsullatave për të pasur njohjen e të drejtës së tyre të shenjtë”.

    “Si mund t’u kërkohen 300 euro italianëve rezidentë jashtë Italisë, që mund të jetojnë në një vend ku kjo shumë është sa një rrogë mujore? E si do të bëjë një familje me dy, tre persona që duhet të kërkojnë shtetësinë? Sot ne të MAIE-s – shpjegoi Borghese – votojmë kundër kësaj Qeverie që shet shtetësinë italiane vetëm atyre që mund ta paguajnë”.E. Pasca

    ***********************

    ITALI/ Linjë e re tragetesh Bari-Durrës

    Tri herë në javë për periudhën e verës

    Nga fundi i qershorit një linjë e re tragetesh lidh kryeqendrën puljeze me Durrësin. Janë tragetet e Anek Lines që lidhin dy brigjet e Adriatikut në një udhëtim prej tetë orësh. Deri më 17 shtator trageti niset ngaBariçdo të martë, të enjte dhe të shtunë e bën lundrimin e kthimit çdo të mërkurë, të premte e të diel. Pas 17 shtatorit, tragetet do të udhëtojnë vetëm dy herë në javë, e do të kthehen sërish tri herë në javë në periudhën e Krishtlindjeve deri në janar 2015.