Qeveria shet 1800 ton ushqime të sekuestruara me 30% të çmimit, blen me tender 1600 ton për emergjencat… me çmim tregu!

515
Gazeta “Telegraf” është i vetmi “zë” që denoncon me prova konkrete, skandalet e tenderëve abuzivë, nëpërmjet të cilëve drejtues institucionesh, shërbimesh publike, zyrtarë administrate, anëtarë të komisioneve të tenderëve, ministra, deputetë e pronarë firmash private, vazhdojnë të pasurohen duke vjedhur taksat e shqiptarëve nëpërmjet mekanizmit të qelbur të tenderëve. Mënyrat për të vjedhur fondet publike nëpërmjet tenderëve, janë të shumta. Ato sajohen duke përdorur ligjet, vendimet, urdhrat e drejtuesve të ministrive e institucioneve. Mirëpo hajdutëritë nëpërmjet tenderëve, kanë marrë një tjetër “formë” më të sofistikuar, që po aplikohet lirshëm e “pa zhurmë” prej drejtuesve shtetërorë. Çfarë po ndodh? Për shkelje ligjore, shteti sekuestron nga veprimtaria e krimit ekonomik-financiar automjete, objekte, pajisje zyrash, mobilje, makineri bujqësore e industriale, kancelari, rrobe e mjete pune, detergjentë, troje, produkte ushqimore e gjithçka. Sipas ligjit, këto i bllokon në depot e Rezervave të Shtetit, deri në përfundim të marrjes së vendimeve gjyqësore. Pas vendimeve të formës së prerë të drejtësisë, kur produktet ushqimore rezistente kalojnë në pasuri shtetërore, Drejtoria e Rezervave të Shtetit i nxjerr ato në shitje me ankand. E ndërsa shteti, i nxjerr ushqimet rezistente në shitje me ankand të lirë me vlerë 30% të çmimit real, paralelisht i blen këto produkte ushqimore me vlerë çmimi tregu… pakice! Sot, po ndalemi në një rast të tillë. Në “Buletinin e Prokurimit Publik” Nr. 27, datë 10 korrik 2017, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, ka njoftuar sipas ligjit, se kërkon të blejë mallra ushqimorë oriz, makarona, vaj gatimi, sheqer! Absurdi qëndron në faktin, se këto produkte ushqimore, shteti i ka pasur të magazinuara brenda depove të Rezervave të Shtetit, si mallra të sekuestruar nga subjektet private e të kaluar me vendim gjykate, në pronësi të tij. Në vend që t’i mbante për rezerva ushqimore emergjencash, shteti i ka shitur ato me 30% të çmimit dhe po këto ushqime, i blen përsëri në tregun e lirë me 100% të çmimit! Nëse Drejtoria e Rezervave është e detyruar të zbatojë ligjin, mendojmë se urdhëruesit shtetëror duhen trajtuar për krim ekonomik-financiar shtetëror, mbasi çdo vit, qeveria shet 2800 ton ushqime të sekuestruara me 30% të çmimit dhe blen 1600 ton ushqime të tilla për emergjencat, me çmim tregu pakice!
Sigal