Qeveria “Renzi”. Alfano, Poletti dhe Mogherini do të qeverisin imigracionin

    484
    Sigal

    ITALI/ Ministria e Punës do të programojë hyrjet për punë në Itali të emigrantëve

    Ministri i Brendshëm, ai i Punës dhe ministrja e Punëve të Jashtme kanë rolet kyçe për politikat dedikuar të huajve në Itali. Zhduket ministria e Integrimit.

    – Mes eksponentëve të qeverisë së re që do të udhëhiqet nga Matteo Renzi, çështjet e imigracionit do të administrohen kryesisht nga Angelino Alfano, Giuliano Poletti dhe Federica Mogherini.

     Angelino Alfano, 44 vjeç, është rikonfirmuar ministër i Brendshëm, por ka humbur postin e zëvendëskryeministrit që mbante në qeverinë “Letta”. Ish- sekretari i Popullit të Lirive, “delfini” i Berlusconit, u përplas keq me babanë e tij politik (kur ky i fundit vendosi t’i hiqte votëbesimin qeverisë “Letta”) dhe themeloi dhe drejton forcën “Nuovo Centrodestra”, parti që edhe pse ka pak parlamentarë është jetike për maxhorancën që duhet të mbajë në këmbë qeverinë “Renzi”. Ministria e Brendshëm, nga e cila varet Policia e Shtetit, është në linjë të parë në luftën kundër imigracionit të parregullt, administron riatdhesimet dhe Qendrat e Identifikimit dhe të Dëbimit (CIE). Administron gjithashtu edhe thuajse të gjithë burokracinë e imigracionit të rregullt, nga lëshimi e ripërtëritja e lejeve të qëndrimit deri te bashkimet familjare e kërkesat për shtetësinë. Është e pranishme në territor përmes Kuesturave dhe Sporteleve Unike për Imigracionin.

    Në Ministrinë e Jashtme, në vend të Emma Bonino, vjen Federica Mogherini, 41 vjeçe. Deputete e Partisë Demokratike, anëtare e komisioneve të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, dhjetorin e shkuar u thirr nga Matteo Renzi në sekretarinë kombëtare të PD-së si përgjegjëse për Evropën dhe Marrëdhëniet ndërkombëtare. Në të shkuarën ka qenë përgjegjëse e marrëdhënieve ndërkombëtar e Demokratëve të Majtë (DS), një nga partitë që më pas formuan PD. Ministria e Jashtme, që ka selinë e saj në Farnesina, ka për detyrë të lidhë dhe të administrojë marrëdhëniet me vendlindjet e imigrantëve dhe përmes rrjetit të konsullatave është front office e Italisë në botë, gjë që e di kushdo që kërkon një vizë hyrjeje për në këtë Vend. Me projektet e kooperimit ndërkombëtar bashkëpunon me Vendet në zhvillim.

    Ministri i ri i Punës është “tekniku” Giuliano Poletti, 53 vjeç. Nga viti 2002 është president kombëtar i Lega Coop, nga viti i shkuar udhëheq Aleancën e Kooperativave, që bashkon siglat më të rëndësishme të kooperimititalian. Ekspert agrar, ka punuar për shumë kohë si teknik agrar. Në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë ka qenë përgjegjës komunal dhe sekretar federal i Partisë Komuniste Italiane në Imola. Ministria e Punës është ajo që programon hyrjet për punë në Itali me anë të dekreteve të flukseve në bazë të nevojave të sipërmarrjeve dhe familjeve. Këto vitet e fundit, me krizën e thellë ekonomike, ka zgjedhur të frenojë ardhjet e reja, edhe për të mbrojtur imigrantët e shumtë që kanë humbur vendin e punës. Administron edhe ndërhyrjet, fondet dhe projektet kushtuar integrimit dhe është ministria e referimit për pritjen e të miturve të huaj të pashoqëruar. Në kabinetin e ri qeveritar të prezantuar në Presidencën e Republikës nga kryeministri Matteo Renzi mungon një ministër Integrimi. Posti i mbuluar në qeverinë Monti nga Andrea Riçardi dhe në qeverinë Letta nga Cècile Kyenge nuk ekziston më. Nëse nuk ngrihet apostafat një nënsekretari e posaçme në brendësi të kryeministrisë, kompetencat do të shpërndahen mes ministrive ekzistuese.

    E. Pasca

    Pasaportat biometrike. Për toponimet greke zgjidhje sipas të drejtës ndërkombëtare

     

    Para disa ditësh Ministri ynë i jashtëm  Bushati priti zëvendës kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Venizelos.  Një ndër problemet që Bushati preku me Venizelos ishte dhe  problemi i toponimeve greke në pasaportat biometrike shqiptare. Në fund të bisedimeve  ministrat thonë se po shkon drejt zgjidhjes “sipas të drejtës ndërkombëtare” Konkretisht ministri Bushati theksoi se:  “Kemi gjetur gjuhën e përbashkët në parim për të konsideruar çështjen e toponimeve si një çështje të një karakteri të qartë teknik dhe përsa na takon do të trajtohet si çështje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.  Nga ana tjetër edhe ministri Venizelos u shpreh se, çështja e toponimeve nuk është politike dhe nuk duhet konsideruar e tillë.  Ai u shpreh se:  “Vlerësoj deklaratën e z. Bushati se çështja e toponimeve nuk është politike, nuk ka paragjykime, por ka respekt të madh dypalësh për fqinjësi të mirë dhe zgjidhet teknikisht sipas të drejtës ndërkombëtare, e cila do të na japë një zgjidhje të shpejtë, të plotë dhe të zbatueshme”.

    ITALI/ Ndihma për nënat e reja dhe familjet me shumë pjesëtarë më në nevojë

    Shuma e çekut të mëmësisë është 338,21 euro në muaj

    Jepen shumat e reja dhe të ardhurat tavan për të përfituar ndihmat e komunave për nënat e reja dhe familjet me të paktën tre fëmijë të mitur më në nevojë. Komunikata e Presidencës së Këshillit të ministrave

    – Janë botuar më 20 shkurt në Gazetën Zyrtare shumat e reja dhe kriteret për çeqet e dhëna nga Komunat dhe të paguara nga INPS-i për nënat e reja dhe familjet me shumë pjesëtarë më në nevojë. Një situatë që certifikohet nga Treguesi i situatës ekonomike (indicatore delle situazione economica – ISE) që përllogaritet falas në një patronat çfarëdo.

    Shuma maksimale e çekut të mëmësisë për vitin 2014 është 338,21 euro në muaj dhe merret për pesë muaj.

    Është një ndihmë për nënat e reja që nuk punojnë në rast se lindin, adoptojnë apo u besohet një fëmijë. U takon shtetasve italianë dhe të Bashkimit Europian, por edhe qytetarëve të huaj që kanë lejeqëndrim afatgjatë apo kartë qëndrimi.

    Për të përfituar këtë shumë, kërkohet që treguesi ISE të mos jetë më i lartë se 35.256,84 euro për familjen me tre pjesëtarë, shumë që rritet nëse numri i familjarëve është më i lartë. Kërkesa paraqitet në zyrat e komunës së rezidencës brenda gjashtë muajve nga lindja (apo data e adoptimit, e dhënies në besim).

    Shuma maksimale e çekut për familjet me shumë pjesëtarë për vitin 2014 është 141,02 euro në muaj e jepet 13 herë në vit.

    U takon shtetasve italianë dhe të Bashkimit evropian, por edhe qytetarëve të huaj që kanë lejeqëndrim afatgjatë apo kartë qëndrimi. (risi kjo e ardhur në fuqi në 4 shtator 2013), si edhe familjarëve që nuk kanë shtetësinë e një shteti të BE-së që kanë të drejtën e qëndrimit apo të qëndrimit të përhershëm në Itali.

    Për familjet me pesë pjesëtarë, me të paktën 3 fëmijë të mitur, treguesi ISE nuk duhet të jetë më i lartë se 25.384,91 euro. Kërkesa paraqitet në Komunë brenda 31 janarit të vitit që pason atë për të cilin kërkohet çeku.