Qeveria Rama dy, bashkëpunim me qytetarët, ja cilat ministri priten të shkrihen

531
“Bashkëqeverisje me qytetarët”. Ky është lajtmotivi i kryeministrit Edi Rama si gjatë fushatës edhe pas zgjedhjeve në turet dëgjimore me qytetarët në të gjithë vendin. Fillimit kërkoi që dëgjesat në rrethe të bëhen nga deputetet e qarqeve. Por më pas iu bashkua këtyre dëgjesave me një kërkesë të vetme, dhënien e mendimeve për të reformuar administratën dhe për të larguar nga zyrat e shtetit grabitqarët. Më shumë se sa reformë, kjo duket thjeshtë një luftë për të larguar nga administrata ata me të cilët bashkëqeverisë që prej vitit 2013-të, pra të emëruarit në administratë nga Lëvizja Socisliste për Integrim. Në kuadër të kësaj thirrje, Rama ka bërë disa spastrime në rang drejtorësh. E pas administratës e cila pritet tëmarrë formën e saj të plotë pas shtatorit, me dorëheqjen dhe largimet në masë, Rama është përqendruar edhe tek formimi i qeverisë së re. Është folur për një shkurtim të numrit të ministrive. E njëjta gjë është thënë edhe për disa drejtori të cilat mund të bashkohen ë një të vetme, duke bërë të mundur heqjen e disa drejtorëve. Pra, duket se katër vjeçari i parë i Ramës që u mbyll me 19 ministri do të shkurtohet në maksimum. Tashmë kryeministri i ka të dyja duart e veta në timon, duke mos ndarë qeverinë në pjesë. Në këto kushte do të jetë në gjendje të shkurtojë disa ministri dhe të ngarkojë me më shumë punë, ministrat që do të jenë në detyrë. Ka të dhëna se edhe zv/kryeministri mund të drejtojë një ministri. Nuk dihet saktësisht se sa ministri do të jenë në shtator, por ajo që është mësuar ka të bëjë me faktin se do të bëhen shkurtime. Deri tani i vetmi ministër i konfirmuar është Fatmir Xhafa në krye të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që ka zëra se në krye të Ministrisë së Drejtësisë do të emërohet Vasilika Hysi. Gjatë fushatës, Kryeministri tha se Rilindja urbane tashmë do të shtrihet në zonat rurale dhe për këtë pritet që Ministria e Zhvillimit Urban të ndryshojë ose t’i bashkohet Ministrisë së Transporteve dhe Inovacionit. Në kabinetin e ri qeveritar pritet të mos jenë më Ministritë pa portofol të marrëdhënieve me Parlamentin dhe Ministria e Pushtetit vendor. Kryeministri gjithashtu ka paralajmëruar edhe shkrirjen e disa Agjencive të mëdha dhe bashkimin e tyre në disa superagjenci ku do të përqendrohen shërbimet. ALUIZNI dhe Zyra e Hipotekave pritet që të bashkohen në një agjenci të vetëm ndërkohë që duhet parë nëse do të krijohet një Ministri e re e cila do t’i koordinojë apo këto do t’i kalojnë nën varësi Ministrisë së drejtësisë. Kabineti i ri qeveritar do të bëhet publik në gjysmën e dytë të gushtit, atëherë kur edhe raportet nga sugjerimet e qytetarëve të jenë përpiluar. Megjithatë asgjë nuk është e sigurt, pasi Ministritë dhe Ministrat e rinj janë ende në kokën e kryeministrit Rama.
Sigal