Sigal

Pasi për katër vjet përfituan nga ulja e akcizës, nga 50 lekë, në 30 lekë për litër, tani qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë me ligj shitjen e pijeve energjike si dhe atyre të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar për të gjithë personat nën moshën 18 vjeç.

Projektligji është dorëzuar kuvendit dhe diskutimet do të nisin brenda këtij muaji. Sipas projektligjit, do të kufizohet edhe reklamimi i këtyre produkteve.

Organizata Botërorë e Shëndetësisë në një raport të fundit ngre alarmin se konsumi i tepërt i këtyre pijeve sjell mbipeshë, sjellje agresive, krijon varësi dhe po ashtu dëmton shëndetin dentar.

Bizneset që tregtojnë pije energjike do ta kenë të detyrueshme që të vendosin tabelën “Ndalohet shitja e pijeve energjike personave nën 18 vjeç”, njësoj si për pijet alkoolike.

Subjekti që nuk e respekton këtë ligj, nëse miratohet do të gjobitet më 10 mijë lekë. Ndërsa gjoba për të rriturit që shoqërojnë fëmijën që konsumon pije energjike varion nga 10 mijë lekë deri në 30 mijë lekë.

Por për ata që kanë pak kujtesë, në vitin 2014 qeveria uli akcizën për pijet energjike nga 50 lekë, në 30 lekë për litër.

Në paketën e re fiskale, në atë kohë, qeveria pati propozuar heqjen e plotë të akcizës për këto produkte, nën argumentin se kjo taksë nuk aplikohet nga vendet e Bashkimit Europian.

Por, më shumë se përafrim legjislacioni, ky propozim dukej një masë e diktuar nga lobimi i tregtarëve dhe i një ambasade të huaj, çka shkaktoi debat të fortë jo vetëm mes komunitetit të biznesit, por edhe brenda vetë radhëve të mazhorancës.