Qeveria do sekuestrojë shtëpitë e fukarenjve, që nuk paguajnë dot energjinë elektrike

    410
    Sigal

    Reagon specialisti i ekonomisë, Zef Preçi: Pra marrja e shtëpisë  si kompensim për energjinë e OSHEE tingëllon antikushtetuese

    Qeveria e rriti çmimin e kilovatorit të energjisë elektrike nga 77 lekë në 94 lekë/kv, e kjo në emër të rritjes së performancës së OSHEE-së. Kjo ishte masa e dytë e qeverisë, pasi më parë kishte ashpërsuar Kodin Penal dhe fukarenjtë i çoi te burgu, si masë penale, për të detyruar të  gjithë ata  të paguajnë energjinë elektrike. Mirëpo,  siç duket edhe burgu nuk i doli dot me sukses qeverisë, ndaj qeveria e vrau dhe e vrau mendjen, dhe për të dalë nga qorrsokaku i saj, po ndërmerr masën e tretë, më ekstreme se masa e burgimit dhe se rritja e çmimit të kilovatorit.

    Sekuestro edhe shtëpia, pasi u mbushën burgjet

    Kështu, derisa fukarenjtë do të kalojnë kohë të gjatë në burg, qeveria mendoi që t’u sekuestrojë edhe shtëpinë (nëse kanë), të gjithë fukarenjve, (meqë në burg qiranë e kanë falas nga qeveria) për ca qindarka borxh që i kanë OSHEE-së. Projektligji i ri, i miratuar nga qeveria, parashikon masa që shkojnë deri në sekuestrimin e banesës për ata klientë të cilët nuk shlyejnë detyrimet e energjisë elektrike, sipas dispozitave të përcaktuara në kontratë. Ky ligj vendos barrën hipotekore  për të gjithë klientët familjarë, të cilën nuk kanë paguar vlerën prej 150 000 lekësh, duke i njohur të drejtën OSHE për mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara.Barra hipotekore vendoset mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike sipas kontratës.Klientët do të njoftohen me postë rekomande nga furnizuesi i tij para se të nisë procedimi i përcaktuar në ligj.

    Ky procedim do të ndërpritet në momentin që klienti shlyen detyrimet  për pagimin e energjisë elektrike.

    Zef Preçi: Përfshirja direkt e OSHEE-së, një shkelje kushtetuese

    Ende, që në formatin e projektligjit, vendimi i qeverisë që t’u sekuestrojë edhe shtëpitë fukarenjve, meqë nuk kanë mundësi dhe të ardhura që t’i paguajnë OSHEE-së lekë për dritat, po ngjall reagime të ashpra. Specialistët i vlerësojnë këto projektligje të qeverisë, jo vetëm ekstreme, por edhe antikushtetuese. Zef Preçi, ekonomist argumenton. “ Ndër lajmet e ekonomisë veçova këtë lajm, jo sepse jam kundër përshkallëzimit te masave për stabilizimin e pagesave të energjisë elektrike nga të gjithë konsumatorët, por se jam kundër paligjshmërisë së djeshme, të sotme dhe kurdo që të ndodhë. Në rastin në fjalë, mendoj se duhen marrë në konsideratë dy apo tri probleme kryesore:
    1) Detyrimi i shtetit për të siguruar strehim për të pastrehët, si detyrim kushtetues. Vendimmarrësit shqiptarë mund të mos e dinë, por në Kuvend debati rreth kësaj teme nuk mund të anashkalohet. Pra marrja e shtëpisë së banimit si kompensim për energjinë e papaguar përmes sekuestrimit nga vetë OSHEE-ja tingëllon aspak ligjore… Do të përdoren nesër paratë publike për të strehuar këto familje që ju merret shtëpia e banimit? “Privatizim i përfitimeve dhe shoqërizim i humbjeve” – kjo nuk funksion kështu askund..
    2) Përfshirja direkt e OSHEE-së në një veprimtari që anashkalon gjykatat e vendit është gjithashtu një shkelje kushtetuese dhe lehtësisht e kontestueshme, edhe thelbësisht por edhe për faktin se kështu humbet çdo mundësi mbrojtjeje e familjarëve dhe shkelet parim i barazisë së palëve. E ku tjetër, si kudo në botë, mund të mbrohet qytetari/konsumatori përveçse në gjykatë? Kush do të vlerësojë çmimin e mallit në fjalë (shtëpisë), kur dihet katrahura e krijuar nga përfshirja e bankave, p.sh në vlerësimin e aseteve të klientëve debitorë, përmes vlerësuesve të përzgjedhur prej tyre dhe jo nga gjykata, si e tillë (d.m.th jo palë në konflikt). Gjithsesi, mendoj se kjo çështje duhet debatuar qetësisht – jo emocionalisht dhe se respektimi i kontratave për energjinë duhet bërë si për çdo kontratë tjetër dhe jo nën efektin e propagandës.

     Petraq Barjami