Qendrat shëndetësore në Elbasan, si qendra biznesi

    586
    Sigal

    Janë investuar 25 milionë dollarë/Korrupsion, pamje mesjetare, mungesë investimesh

    Qendrat shëndetësore në Elbasan janë kthyer si qendra biznesi. Mungesa e investimeve, e personelit të trajnuar, e etikës dhe kontrolleve, ka sjellë degradimin e qendrave shëndetësore të këtij qyteti dhe më gjerë në shkallë qarku. Mbi 25 milionë dollarë janë investuar prej 10 vitesh për rehabilitimin e tyre, në një kohë që sot ato janë katandisur si mos më keq. Mungesa e pajisjeve, mjekëve, medikamenteve, kushteve higjieno-sanitare, madje edhe e peshoreve, ku kryhen çdo ditë peshimi nga nënat e reja, i kanë kthyer këto qendra në kthina me pamje mesjetare. Xhama të thyer, mungesë vaksinash, mungesë shtretërish, shiringash dhe mjekimesh… Këto janë disa prej mangësive të përditshme në këto qendra shëndetësore. E ndërsa tek i pyet mjekët dhe infermieret, të përgjigjen se “fajin e ka Ministria e Shëndetësisë, e cila ka vite që nuk na llogarit fare ne”, pasojat rëndojnë mbi qytetarët. Ata e ndjejnë mungesën e shërbimit, medikamenteve, mjekimeve, personelit, etikës dhe investimeve. Në Elbasan vetëm 60 për qind e qendrave shëndetësore janë të plotësuara me pajisjet dhe gjërat e nevojshme, kurse pjesa tjetër ka mbetur si 60 vjet më pare. Po ashtu qendrat shëndetësore në fshatra pothuajse mungojnë. Në shumicën e komunave ato janë shkatërruar, ose nuk kanë as personel dhe as medikamente. Shërbimi mjekësor në lagjet dhe zonat e Elbasanit mbetet një skandal i madh, tek konstaton një situatë e cila i ka bërë qytetarët e çdo shtrese pesimistë për ndryshimin. Dhe si të mos mjaftonte kjo situatë mesjetare, qendrat shëndetësore në Elbasan janë kthyer në qendra biznesi, ku jepen raporte fiktive për nxënësit dhe studentët, apo edhe allishverishe të tjera në kurriz të detyrës dhe institucionit. Kontrollet nga drejtuesit pothuajse nuk ekzistojnë dhe kjo ka degraduar pothuajse totalisht këto qendra shëndetësore, të cilat e kanë për detyrë t’u vijnë të parat në ndihmë qytetarëve për problemet e tyre mjekësore. Mungesa e shërbimit mjekësor në qendrat shëndetësore detyron shpesh qytetarët e Elbasanit t’i drejtohen shërbimit spitalor, duke paguar dyfishin e parave e duke u sorollatur korridoreve të pavijoneve. Pensionistët dhe shtresat e invalidëve janë të parët që e kanë provuar dhe provojnë çdo ditë degradimin e qendrave shëndetësore në Elbasan. Pritje me orë të gjata në radha, mungesa e shërbimit, apo edhe dhënia e recetave me ilaçe të skaduara, janë problemet e ditës për shtresat e dobëta ekonomikisht në qytetin e Elbasanit. Ky shërbim është pothuajse inekzistent në fshatrat e komunat e Elbasanit. Shërbimi shëndetësor atje mungon, ndërkohë që mbi 35 mijë banorët e komunave dynden në klinikat private të mjekëve që ditën punojnë në lagje dhe spitale. Edhe pse Ilir Beqaj, ministri Shëndetësisë ka ardhur mbi 5 herë në Elbasan vetëm për problemet e shërbimit mjekësor ambulator, duket se situata në qendrat shëndetësore ka mbetur e njëjtë, e pandryshuar, dhe nuk ka shanse të ndryshojë. Edhe pse zoti Beqaj në vizitën e fundit në Elbasan në aktivitetin e “luftës kundër duhanit” premtoi investime në rrjetin e qendrave shëndetësore (dhe kjo pas kërkesës së qytetarëve), duket se gjithçka ka rezultuar mashtrim dhe e gënjeshtër. Në shkallë qarku, Elbasani mbetet i pari në Shqipëri për mungesën e shërbimit mjekësor në lagje e fshatra. Gjinari, zona malore me mbi 20 mijë banorë, prej afro 2 muajsh, ka mbetur i izoluar nga Elbasani pas shembjes së rrugës, ndërkohë që banorët dërgohen për 5 orë rresht me mushka, kur kanë raste urgjente për shëndetin. Në Elbasan qytetarët shprehen se “tek ne çdo gjë mund të ketë rilindur, por vetëm mjekësia jo, ajo po shkon çdo ditë e më keq”.

     Nga BEN DELIMETA