Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm: Rritet numri i krediteve për mjekët, farmacistët dhe stomatologët

    429
    Sigal

    Aktivitetet, ku mund të përfshihen profesionistët e shëndetësisë për procesin e ricertifikimit

    Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm, e cila zhvillon programin e ricertifikimit të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, bën të ditur se ka ndryshuar numri i krediteve që duhet të grumbullojnë këto persona në fazën e parë të programit të ricertifikimit. Lajmi është konfirmuar nga Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm, ku është përcaktuar se deri në fund të vitit 2014, vit ky, i cili përkon edhe me mbylljen e fazës së parë të ricertifikimit, do të kërkohen 150 kredite nga 100 që ishte më parë. Në lidhje me këtë çështje specialistët e QKEV-së thonë: “Bazuar në disa ndryshime të Dokumentit Rregullator për Ricertifikimin e Profesionistëve të Shëndetësisë, miratuar nga Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit, kërkesat për ricertifikimin e mjekëve farmacistët dhe dentistët janë si më poshtë: Numri i krediteve totale të kërkuara për ciklin e parë, periudha kohore  2010 – 2014 është 150 kredite. Numri i kërkuar i krediteve për vitin 2013 është 20. Po kështu edhe për vitin 2014 numri i krediteve të kërkuara do të jetë 20”.

    Transferimi i krediteve

    Nga ana tjetër burime pranë Qendrës së Edukimit konfirmojnë se, “për të gjithë pjesëmarrësit në Programin e Ricertifikimit, mjekë, farmacistë dhe dentistë, kreditet mund të transferohen nga një vit në tjetrin pa kufizim brenda ciklit 5-vjeçar”. Edukimi në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë është procesi përmes, të cilit profesionistët e shëndetësisë përditësojnë dijet dhe aftësitë e tyre për të plotësuar nevojat e pacientëve, të shërbimeve shëndetësore dhe ato të zhvillimit të tyre profesional, bazuar në të dhënat e  fundit. Termi njeh kontekstin multidisiplinar të kujdesit për pacientin që, përveç njohurive dhe aftësive mjekësore, përfshin edhe aftësitë menaxheriale, sociale dhe personale. “Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ushtrojnë profesionin e tyre në Republikën e Shqipërisë sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore, duhet të jenë të regjistruar në programin e ricertifikimit. Të gjithë profesionistët e përfshirë në këtë program janë regjistruar në një regjistër elektronik dhe kanë një dosje individuale, në të cilën do të dokumentohet pjesëmarrja e tyre në aktivitetet e edukimit në vazhdim, si dhe do të regjistrohen kreditet e përfituara prej tyre. Të gjithë mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët kanë filluar të ushtrojnë profesionin e tyre pas janarit 2010 kanë përgjegjësi të bashkëpunojnë me QKEV-në për regjistrimin e tyre në Regjistrin Kombëtar”,-shprehen burime pranë QKEV-së .