Qemal Minxhozi:“Berisha nuk do të pranojë demokratikisht humbjen, ndaj prish KQZ-në”

475
Sigal

Dje pritej që në seancën plenare, PS-ja të paraqiste kandidatura për anëtarët e rinj të KQZ-së. Mirëpo PS-ja nuk paraqiti asnjë kandidaturë, duke kërkuar, njëkohësisht, kthimin në normalitet të KQZ-së, si garanci  të besueshmërisë të procesit zgjedhor.  Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, dje, në intervistën për “Telegraf”, pohoi se e djathta ka qëllim të kamufluar në shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, duke aluduar për manipulim të zgjedhjeve. Kjo shpreh edhe thelbin e çështjes. Ndaj, edhe pyetjes, nëse PS-ja do të japë kandidatura për anëtarë të KQZ-së, zoti Minxhozi, njëfarësoj, e përjashtoi, duke thënë qartë se Opozita kërkon zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe kthimin në normalitet të KQZ. Pra, Opozita kërkon që nga e djathta të hiqet dorë nga prekja e KQZ-së. I pyetur, se cilat do të jenë hapat e mëtejshme të PS-së, zoti Minxhozi tha se, në kohën e duhur PS-ja do të bëjë hapat e domosdoshëm, që në Shqipëri, kësaj here të bëhen zgjedhje me standarde europiane.

– Zoti Minxhozi, shkarkimi i anëtarit të KQZ-së, për cilat motive u bë?

– Absolutisht, dorëheqjet e 3 anëtarëve të KQZ-së janë një reflektim i ndërgjegjes dhe i përgjegjësisë, sepse motivet që u shkarkua anëtari i KQZ-së bien ndesh me Kushtetutën, bie ndesh me detyrat funksionale që duhet të ketë anëtari i KQZ-së, si një person, që, pavarësisht se propozohet nga një parti politike, kur betohet në Kuvend, ka një integritet të plotë. Në shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, maxhoranxa e djathtë fsheh qëllim tjetër, të kamufluar, sepse Muho i ka kaluar të gjitha filtrat ligjorë, për t’u zgjedhur në detyra të larta shtetërore. Flasim për një shtet ligjor, i cili respekton të drejtat e çdo njeriu dhe ligji. Prandaj, them me bindje, se procedura e shkarkimit të anëtarit të KQZ nga kjo maxhorancë ka një prapavijë politike.

Përtej motivit të balancimit politik të KQZ-së, çfarë tjetër kërkon maxhoranca?

– E djathta ka një skenar që të mos zhvillojë zgjedhje të ndershme, zgjedhje që nxjerrin vullnetin e popullit dhe, për t’ja arritur këtij qëllimi të tyre, anashkalojnë çdo procedurë parlamentare dhe ligjore. I tremben zgjedhjeve të ndershme, sepse nuk duan të pranojnë humbjen. Ai që humbet dhe nuk është i gatshëm të pranojë demokratikisht humbjen, përpiqet që të hedhë në erë edhe vetë procesin zgjedhor, duke u treguar i papërgjegjshëm edhe për pasojat e koston politike. Ky është paniku politik i Berishës.

–  Duke patur parasysh këtë konfliktualitet politik parazgjedhor, a është i parashikueshëm që tani vetë procesi zgjedhor dhe rezultati zgjedhor i 23 Qershorit?

– Rezultati zgjedhor i 23 Qershorit dihet. Aleanca e Majtë do të vijë në pushtet. Por këto janë grahmat e një qeverie në rënie, në kalbëzim, që mundohet të shpikë, mundohet që të krijojë alibi të manipulimit të votave.

– Me këto acarime e konfliktualitete  politike parazgjedhore, mendoni se po prishet te ndërkombëtarët edhe imazhi i arritjeve të integrimit të Shqipërisë në Familjen Europiane?

Ky imazh ka rënë në fund, në kuptimin e saj. E djathta, duke rrëzuar vetë KQZ-në, si një institucion kushtetues, ka çuditur jo vetëm opinionin e shqiptarëve, por, më e keqja është sepse ka tronditur edhe opinionin e ndërkombëtarëve. Jemi vend anëtar i NATO-s, jemi vend që aspirojmë të integrohemi në BE dhe në asnjë mënyrë kjo nuk i shërben përpjekjeve e procesit të integrimit. Për fat të keq të të gjithë shqiptarëve, bëjmë hapa mbrapa dhe kostoja politike do të jetë shumë e madhe, për të gjithë. Është prishë, jo vetëm imazhi politik, por edhe imazhi i Shqipërisë. Guri themelor i çdo vendi pluralist janë zgjedhjet e lira. Jemi i vetmi vend në Europë që, vazhdimisht, bëjmë zgjedhje të kontestueshme, problematike.

Duke marrë shkak nga ky realitet i aksidentuar politik që përjetojmë, a ekziston koncepti i demokracisë te politika shqiptare sot?

– Demokraci do të thotë zbatim i ligjit dhe jo ushtrim i dhunës së shumicës së kartonëve, në emër të demokracisë. Demokracia dhe zbatimi i ligjit janë një binom i pandashëm. Po u cenua ky binom, kemi një demokraci iluzionare, imagjinare dhe të gënjeshtër dhe është shumë-shumë larg parametrave europianë, ku duam të shkojmë. Nuk mjafton t’i themi gjërat si europianë, por duhet edhe të veprojmë si europianë. Të sillemi si europianë.

– Cilat janë ato ndryshime që kërkohen, që Shqipëria të bëhet Shqipëri normale dhe Shqipëri Europiane?

– Zgjedhje të lira e të ndershme. Është njëshi dhe vetëm kjo është. Pastaj vijnë edhe të tjerat, që pasojnë këtë realitet.

– Sipas opozitës në përgjithësi dhe PS-së në veçanti, si mund të kapërcehet ngërçi politik i KQZ-së?

–  Mendoj që të flasim njëherë tjetër për këtë. Opozita do ta demonstrojë në kohën e përshtatshme se është e përgjegjshme për përgjegjësinë e saj për të kontribuar që në Shqipëri, më në fund, të zhvillohen zgjedhje me standarde europiane.

Ka një mendim të shprehur, lidhur më këtë çështje. Që PS-ja nuk do të japë kandidatura të tjera për anëtarë në KQZ, pa u sjellë në gjendjen e saj normale ajo KQZ që u votua dhe u betua në Kuvend. A është ky një nga opsionet  politike të PS-së?

–   Problemi është se ne kërkojmë një normalitet dhe normaliteti vjen duke zbatuar nga të gjithë ligjin, Kodin Zgjedhor, duke zbatuar Kushtetutën dhe duke respektuar edhe integritetin moral e profesional të çdo anëtari të KQZ-së.

PS-ja nuk jep kandidatura për KQZ, por kërkon respektimin e Kodit Zgjedhor

– PS-ja, si parti kryesore opozitare, a do të propozojë, sipas të drejtës që i jep  Kodi Zgjedhor,  kandidatura  të tjera për anëtarë në KQZ? Cila do të jetë taktika politike që do të ndjekë opozita?

– Kjo  nuk është çështje taktike, por është çështje principi politik. Dhe, përderisa kohë, principet  shkelen çdo princip bie poshtë. Kemi të bëjmë me 3 dorëheqje të vullnetshme dhe sot për sot, kaq mund të flasim. Është temë që ka shokuar të gjithë dhe këta anëtarë të vetëdorëhequr nga KQZ-ja dëshmuan që nuk janë ushtarë partie, por njerëz me integritet të lartë moral e profesional.

– Faleminderit!