Qemal Lame: Populli nuk pranon zgjidhjet e deritanishme

578
Reforma në drejtësi përballet me provën sfiduese të dinjitetit të shtetit dhe manipulimit nga politika. 
21 Janar 2011 mbete aktual
-Loja e turpshme politike e juridike është demaskuar dhe vazhdon të irritojë ndërgjegjen kombëtare —-Është e domosdoshme të vihet në vend drejtësia, dinjiteti i shtetit dhe i kombit 
21 janari 2011, mbetet një ngjarje e errët për historinë e shtetit dhe të drejtësisë shqiptare. Kjo ditë dëshmon dhe akuzon njëkohësisht shtetin dhe drejtësinë, gjendjen e rëndë të paligjshmërisë, korrupsionin politik e juridik, përmasat galopante, të frikshme e me pasoja të rënda për veprimtarinë shtetërore, ligjshmërinë, sigurinë e jetën e popullit. Në atë ditë me diell, u përhapën mjegulla e frikës e terrorit shtetëror të pushtetit autoritar që është në kundërshtim me demokracinë e shtetin e së drejtës. Populli që demonstronte paqësisht dhe ata që ndoqën ngjarjen me anë të medias, ndjenë dhe përjetuan pushtetin autoritar që ndëshkon me egërsi primitive popullin e pafajshëm dhe imponon zgjidhje haptazi të kundërligjshme nga prokuroria dhe gjykata. Opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar, kanë dënuar me indinjatë falsifikimin, fshehjen dhe zhdukjen e provave, si dhe injorimin e ekspertizave shkencore të kryera nga ekspertët kompetentë shqiptarë, amerikanë etj.,të njohur ligjërisht e publikisht nga institucionet zyrtare, policia, prokuroria e gjykata. Çështja mbetet aktuale, derisa të hetohet dhe gjykohet me përgjegjësi ligjore, shtetërore dhe kombëtare, të vihet në vend personaliteti i viktimave dhe të qetësohen në ndërgjegje familjarët që vuajnë e vajtojnë përditë e më shumë padrejtësinë dhe paaftësinë e shtetit e të drejtësisë. Akuzohen me forcë dhe urrejtje politikanët, pushtetarët, hetuesit, prokurorët e gjyqtarët që kanë orkestruar padrejtësinë dhe inskenuar paligjshmërinë. Kërkohet drejtësi dhe vetëm drejtësi. Për herë të parë në historinë e shtetit, të qytetit të Tiranës dhe të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, u vranë katër persona të pafajshëm, në sytë e praninë e mijëra demonstruesve paqësorë, forcave të rendit, përfaqësuesve të lartë të politikës e të shtetit. U vranë katër demonstrues të pafajshëm, pasi kishte përfunduar demonstrimi i kryesuar nga partitë politike në opozitë. Populli nuk pranon zgjidhjet e deritanishme. Loja e turpshme politike e juridike është demaskuar dhe vazhdon të irritojë ndërgjegjen kombëtare. Drejtësia nuk ka dhënë drejtësi. Ligji nuk u zbatua. Pushtetarët, prokurorët e gjyqtarët injoruan ligjet, dinjitetin e shtetit e të drejtësisë. Prokurorët e gjyqtarët besnikë të pushtetit autoritar e absolut, vepruan në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale e rregullave ligjore, për të mbrojtur fajtorët kryesorë dhe për t’i dhënë formën ligjore zgjidhjes së çështjes, sipas manipulimeve të së vërtetës të bëra me qëllime të qarta nga politikanët kryesorë për të falsifikuar pafajësinë, vënien e vetes mbi ligjin, prokurorinë e gjykatën. Reforma në drejtësi përballet me provën sfiduese të dinjitetit të shtetit dhe manipulimit nga politika. 
Është e domosdoshme të vihet në vend drejtësia, dinjiteti i shtetit dhe i kombit. Çështja mbetet shumë e vështirë për t’u rihetuar e rigjykuar. Këtë vështirësi objektive kërkohet ta përballojnë prokuroria e gjykata. Pas miratimit të ndryshimeve të Kushtetutës dhe ligjeve për prokurorinë e gjykatën speciale etj., nuk mund të pranohen justifikime të tjera. Drejtësia kërkohet të veprojë. Populli nuk dëshiron të dëgjojë përsëri, se “Drejtësia vonon, por nuk harron.”
Sigal