Pyjet janë në mëshirë të fatit, zoti ministër!

    56

    Letër e hapur drejtuar z. Lefter Koka, ministër i Mjedisit

    Riorganizimi e ri i shërbimit pyjor dhe Inspektoratit Mjedisor në shkallë vendi, që ka ndërmarrë Ministria e Mjedisit, ka nisur më në fund të “kristalizohet” nëpër qarqe e rrethe, në saje të një “strategjie bashkëkohore”, mbi bazën e përzgjedhjes sipas “meritokracisë” dhe bekimit që kanë dhënë Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në qarqe dhe partitë politike. Nga mënyra se si është organizuar dhe se si do të funksionojë shërbimi pyjor dhe Inspektorati Mjedisor lë për të dëshiruar në shumë drejtime, duke nisur tek më kryesorja që është ushtrimi kontrollit të territorit për mbrojtjen dhe menaxhimin e fondit pyjor, qe deri dje mbulohej nga inspektorët e shërbimit pyjor. Ky riorganizim dhe kjo reformë është mbajtur fshehur nëpër zyra dhe nuk është bërë publike, pa iu nënshtruar diskutimit me specialistët. Nga mënyra e përzgjedhjes së personelit që do të punojë në këto dy shërbime, lidhur me detyrat dhe misionin e tyre, ka mundësi që hartuesit e kësaj reforme nuk e dinë se çfarë kanë dashur të bëjnë. Është fatkeqësi kombëtare që sot me qindra specialistë pyjesh (inxhinierë dhe teknikë të mesëm) hidhen në rrugë të madhe duke i zëvendësuar më persona që nuk kanë njohuri minimale dhe asnjë lidhje profesionale më detyrat që u janë caktuar në pyje. Edhe në vitin 1924 qeveria e asaj periudhe ka menduar për të përgatitur specialistë pyjesh, duke dërguar më dhjetëra vetë nga mbarë vendi në kurs 1-2 vjeçar në Itali, për të marrë dijet dhe kulturën profesionale mbi pyjet. Ndërsa sot, në vitin 2014, me mbi 100 vjet shtet, i kemi specialistët me arsimin përkatës, të cilët po shpërfillen, denigrohen, largohen nga puna, nga Ministria e Mjedisit. Nuk është menduar aspak se shteti për përgatitjen profesionale të tyre ka investuar për vite e vite. Edhe në vendet më të pazhvilluara në botë, nuk ndodh ky fenomen, që specialistët të flakën në rrugë masivisht. Për mendimin tonë kjo reformë duhet të ishte konsultuar, debatuar, tërhequr mendimi dhe përgatitur nga specialistë të fushës, të cilët janë më shumicë në vendin tonë, duke nisur nga ish-drejtuesit që kanë drejtuar pyjet në Ministri në këto 30 vitet e fundit, të cilët kanë një përvojë të gjatë pune, profesorë e pedagogë të fakultetit të Pyjeve, të punësuarit në sektorin shtetëror, OJQ, në sektorin privat etj. Specialistët e mirëfilltë asnjëherë nuk do ta kishin qenë dakord më ketë mënyrë reformimi të shërbimit pyjor. Nga mënyra e konceptimit të reformës, lidhur me organizimin, strukturën dhe funksionimin e këtyre dy shërbimeve, shihet qartë që nuk është hartuar nga profesionistë, pasi nuk përshtatet me realitetin dhe kushtet e vendit tonë. Si ka mundësi që Mirdita me mbi 67.000 ha sipërfaqe pyjore dhe kullosore të ketë të njëjtën strukturë me Laçin, Lezhën, ku të dyja këto rrethe së bashku nuk kanë sa gjysma e sipërfaqes pyjore që ka Mirdita!? Dihet se pyjet janë në Mirditë, Pukë, Librazhd, Mat etj. dhe jo në qendrat ku janë vendosur administratat e shërbimit pyjor dhe Inspektoratit Mjedisor. Vendi ynë nuk ka kushtet, infrastrukturën dhe një mendësi të shoqërisë për kujdesin dhe mbrojtjen e natyrës, siç e ka një vend perëndimor apo nordik, nga mund të jetë kopjuar ky organizim, pasi atje kanë të tjera standarde. Specialistët që janë liruar nga detyra janë profesionistë që i kanë menaxhuar pyjet, kanë dhënë kontribut ndër vite për pyjet, kanë derdhur mundin dhe djersën për të mbrojtur dhe shtuar këtë pasuri kombëtare. Kanë pyllëzuar, përmirësuar e sistemuar më mijëra hektarë sipërfaqe pyjore që sot i trashëgojmë, nga jugu e në veri dhe anasjelltas. Në sajë të kësaj reforme të nxituar sot kjo traditë dhe punë e mirë që është bërë po zhbëhet dhe pylltaria po lihet për t’u administruar nga persona pa aftësi profesionale. Ne jemi përpjekur me gjitha mundësitë për t’i shërbyer sa më mirë kësaj pasurie, duke përballuar presionet politike, shtetërore dhe njerëzore nga më të ndryshmet në këto 23 vite demokraci. Ky shërbim ka qenë nën trysni të vazhdueshme, siç po vazhdon edhe sot të jetë. Personeli pyjor nuk është mbështetur për kryerjen e detyrës, por përkundrazi në shumicën e rasteve është neglizhuar si shërbim, duke mos i plotësuar detyrimet ligjore lidhur me statusin që i takonte, uniformën, duke e shkurtuar vazhdimisht, vitet e fundit duke e privuar dhe nga mosrritja e pagave, në ndryshim nga institucionet e tjera. Më qeverinë e re shpresuam se do të gjenim përkrahje dhe mbështetje më të madhe në punën tonë, por ndodhi e kundërta duke na nxjerrë në rrugë mbi 500 specialistë të lartë dhe të mesëm në shkallë vendi. Nuk e meritonim ketë dënim kolektiv. Çdo ish-punonjës i shërbimit pyjor është i liruar nga detyra, me urdhra fotokopje, me datë 21. 02. 2014, ndërsa komunikimi na është bërë më datën 03.04.2014 në Seksionin pyjor të Mirditës. Drejtuesit e D. Sh. Pyjor Lezhë nuk vijnë të bëjnë komunikimin për urdhrat e lirimit zyrtarisht, por i sjellin dorazi dhe nuk pranojnë të bëjnë shënimet përkatëse lidhur me datën e komunikimit të urdhrave për lirimin tonë. Për ne ky veprim është i djallëzuar, për të mos përfituar të drejtat që na jep ligji, për asistencë etj. Kur është miratuar struktura të ishin bërë dhe lirimet nga detyra, siç ndodh në të gjitha institucionet e tjera, në mënyrë që secili të kërkojë të drejtat që i takojnë. Ne si ish-punonjës të shërbimit pyjor nuk arrijmë të konceptojmë dot se si Ministria e Mjedisit do të arrijë të monitorojë dhe kontrollojë territorin nga prerjet ilegale, gjuetia e paligjshme, mbrojtjen nga zjarret etj. Fondi pyjor kombëtar është lënë në mëshirë të fatit, në kuadër të këtij riorganizimi të ri, sipas nesh çorganizues. Më këtë organizim nuk i bëhet shërbim mbrojtjes dhe ruajtjes së fondit pyjor, por punësimit të individëve sipas dëshirave të individëve dhe subjektit politik që drejton këtë ministri. Në qoftë se e kanë pasur detyrim punësimin e militantëve, nuk duhet ta kishin bërë në kurriz të pyjeve, më mirë t’u çonin rrogat në shtëpi. Atëherë lind natyrshëm pyetja, pse të mos mbyllet fakulteti Pyjeve dhe shkolla pyjore në Shkodër që i ndjekin me qindra studentë çdo vit, siç po veprohet nga kjo Ministri mbase do të ishte më mirë të hapte një “fakultet Partie”? Kjo kështu funksiononte në kohën e monizmit, mjaftonte të kishe “shkollën e Partisë” dhe me mentalitetin e asaj periudhe ishe i aftë të drejtoje në çdo fushë, të emëroheshe në çfarëdolloj detyre. Vendi ynë nuk ka luftuar një sistem monist për të sjellë një sistem monist pluralist të veshur më vello demokratike. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ky vend ka nevojë për energji të reja e freskim të administratës, por secili sipas aftësive, arsimit përkatës dhe meritokracisë. Siç po veprohet sot, shumë të rinjve dhe fëmijëve tanë po u ndërpritet perspektiva, pasi të zësh një vend punë duhet të blesh një diplomë, të jesh pasanik për sponsorizim partish dhe t’u shkosh mbrapa zyrtarëve, pasi pak rëndësi ka formimi, përvoja e punës dhe arsimimi profesional. Nuk mund të drejtojnë, menaxhojnë, kontrollojnë, mbrojnë fondin pyjor “veterinerë”, “mësues”, “ushtarakë”, “ekonomistë”, “juristë”, pasi nuk kanë aftësitë dhe kulturën për të kryer këtë detyrë, do të kishte qenë më mirë që aftësitë e tyre t’i kishin shpalosur në profesionet e tyre etj. Ne si ish-personel i shërbimit pyjor mendojmë se, përzgjedhja e specialistëve në administratën e re që është krijuar duhet të ishte bërë më konkurs për çdo pozicion pune në shërbimin pyjor dhe Inspektoratin Mjedisor. Vetëm në këtë mënyrë duhet të ishin marrë specialistët më përvojë në këtë fushë, do të ishin shmangur të paaftit nga drejtimi, rekrutimet klienteliste, etj.. Propagandohet me të madhe se, një nga përparësitë e kësaj Ministrie dhe Qeverisë, është mbjellja e mbi 10 dhjetë milionë drurë pyjorë dhe urojmë që të kjo bëhet realitet dhe nuk do të mbetet në kuadër të propagandës siç është vepruar deri tani. Por a ka menduar e bërë llogari kjo Ministri se sa drurë po priten e do të priten deri në përfundimin e kësaj reforme nga mungesa e ushtrimit kontrollit të territorit, pasi gjithçka është lënë në mëshirë të fatit? Nuk e kuptojmë se si do arrihen të kryhen punime, apo thithen fonde nga Banka Botërore e donatorë të ndryshëm me këtë administratë jo profesioniste që sapo është rekrutuar nga Ministria e Mjedisit, e cila zor se mund të bëjë projekte bashkëkohore? Po fati i pyjeve komunale si do të vejë? A mund të ruhen e zhvillohen zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare me diletantizëm “pyjor”? E sa e sa pyetje të tjera që kërkojnë përgjigje shtetërore. Ne si ish-punonjës të shërbimit pyjor Mirditë, inxhinierë dhe teknikë të mesëm, kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Mjedisit të rishikohet kjo reformë dhe të rikthehen në punë specialistët, pasi jemi ne që e kemi konsoliduar këtë shërbim dhe nuk e meritojmë ketë përbuzje profesionale dhe ndëshkim kolektiv. Gjithashtu, kërkojmë të na jepen të drejtat që na takojnë duke na dhënë pagën deri në ditën e komunikimit të urdhrit të lirimit nga detyra dhe plotësimin e të gjitha detyrimeve të tjera në bazë të ligjit.

     *Nga ish-punonjësit e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, Mirditë