Pyjet dhe mjedisi, në mëshirë të fatit

    411
    Sigal

    Ngrijnë strukturat rajonale, pyjet në mëshirë të fatit e qindra punonjës në qarqe pa të drejtë page

     Nga 1 marsi, punonjësit e agjencive rajonale të mjedisit dhe të drejtorive rajonale të pyjeve, në të gjitha qarqet, janë pa të drejtë page. Pezullimi i punës ka ardhur pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave të 29 janarit, që riorganizon Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe krijon si strukturë të re Inspektoratin Shtetëror të Pyjeve, Mjedisit dhe Ujërave. Me krijimin e këtij inspektorati, janë pezulluar të gjithë punonjësit, të cilët janë në pritje të këtij riorganizimi pa të drejtë page. Aktualisht nuk funksionon policia e pyjeve ose inspektorët e pyjeve, inspektorët mjedisorë dhe po kështu e gjithë administrata në pritje të organizimit të ri. Përveç faktit që të gjithë punonjësit tashmë janë pa punë dhe si rrjedhojë pa të ardhura, duke iu shtuar listës së të papunëve, lind edhe problemi se, kush do të merret me ruajtjen dhe kujdesin e pyjeve dhe mjediseve. Me pezullimin e punës në këto institucione i lihet rruga e hapur banditëve për t’i prerë dhe shkatërruar pyjet dhe mjedisin, për t’i djegur a kontaminuar. Si mund të lihen në mëshirë të fatit mijëra hektar pyjesh dhe pasuri natyrore kombëtare? Çfarë do të ndodh gjatë kësaj periudhe, deri në pritje të riorganizimit, me parqet natyrore, të cilat janë shpallur si pasuri natyrore dhe ruhen nga UNESCO? Siç dihet, një nga pikat që përfshihen në kushtet e vendosura nga BE për integrimin e Shqipërisë është dhe mbrojtja dhe kujdesi për pasuritë kombëtare, pyjet dhe ujërat, por tani që këto janë lënë në mëshirë të fatit, sa mund ta cenojë kjo reformë integritetin e vendit? Kjo gjë është njëra nga anët e medaljes, por se çfarë do të ndodh me punonjësit që tashmë janë pa punë, nuk dihet ende. Kjo është dhe një nga shqetësimet që vjen në redaksinë e gazetës “Telegraf” nga një ish-punonjës i pyjeve, në qytetin e Tropojës, Hasan Kukaj. Ndër të tjera në letrën e tij z.Kukaj shkruan: “Unë që po shkruaj këtë letër quhem Hasan Kukaj, një punonjës i pyjeve, ku për 30 vjet me radhë kam bredhur në çdo cep të Tropojës e nuk kam lënë lis pa iu afruar rrëzë tij apo lëndinë pa shkelur këmba ime. Kudo ku kam punuar më ka ndjekur pas pasioni për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e pyjeve, duke lënë edhe rininë e një pjesë të jetës sime. Jo rrallë herë jam zgjuar në agun e mëngjesit përngjatë këtyre tre dekadave, e me dhimbjen e fëmijëve të vegjël në buzë, jam larguar me pezëm që nuk i kam përqafuar kur janë zgjuar apo s’janë përcjell në shkollë nga babai i tyre. Në çdo sektor dhe zonë kam punuar, duke më lëvizur sa në Tropojë, në pyjet e Nikaj Merturit, nga Paci në qendër, e prej andej në Valbonë, në Parkun Kombëtar, ku mësova magjinë e profesionit të pylltarit, po edhe bukuritë e Alpeve tona. E drejtuesit e ndërmarrjes më kanë lëvizur jo pak, por deri në 7-të herë brenda një viti, duke mos ndodhur me asnjë inspektor tjetër të drejtorisë së shërbimit pyjor. Kam patur fatin të punoj  në lugina e Valbonës që kur është shpallur park kombëtar në janar të vitit 1996. E parë në këndvështrimin e rëndësisë kombëtare që paraqet ky masiv pyjesh, puna ime është përqendruar gjatë periudhës që kam kryer detyrën e inspektorit të pyjeve në atë zonë, në ruajtjen, menaxhimin dhe administrimin e parkut kombëtar, e në veçanti Lumës së Gashit. Për periudhën gusht-shtator 2013, në zonën e Lumës së Gashit, si rezultat i ndryshimit të pushteteve, duke rënë edhe ritmi i drejtimit në ndërmarrje, kurba e dëmtimeve erdhi çdo ditë e në rritje, çka duhej përqendruar edhe efektivi i policisë pyjore, por ndonëse unë kërkova ndihmë, ajo nuk mu dha dhe dëmtimet ishin të konsiderueshme, çka unë nuk i përballoja dot, ndonëse qëndroja 24 orë non-stop në pyjet e Lumës së Gashit. Duke zbatuar legjislacionin e shërbimit pyjor, kam mbajtur dokumentacionin e rregullt dhe kam dorëzuar policisë pyjore dhe drejtorisë 5 proces–verbale penale për dëmtimet në fondin pyjor. Si pasojë e këmbënguljes sime në mbrojtje të fondit pyjor, pa mbështetjen as të përgjegjësit të parkut kombëtar, as të drejtuesve të ndërmarrjes, jam kërcënuar me jetë me mesazhe në telefon nga ata që kishin dëmtuar pyjet dhe unë i kisha denoncuar në prokurori. Respektivisht unë denoncova edhe dëmtimet e mëparshme të kryera në parkun kombëtar Valbonë të prerjes së 1300 copë drurëve të llojit pishë. Gjithashtu, në muajin gusht kam denoncuar për hapjen e një rruge automobilistike pa leje, për të cilën kam mbajtur dokumentacionin e rregullt. Duke qenë se, zona ime nuk mbulohej me inspektor, nga drejtori nuk më është dhënë as leja e zakonshme për vitin raportues. Duke u ndodhur përballë këtyre fakteve, familjen time e kam larguar që në muajin tetor 2013 nga vendlindja, duke e strehuar në një vend tjetër, për ta mbrojtur nga të denoncuarit, të cilët siç e shpjegova më lart, më kanë kërcënuar me jetë familjen, fëmijët dhe mua. Duke u ndodhur përballë këtyre fakteve tragjike për mua, kam bërë edhe denoncim për kanosje në krye të detyrës, por drejtuesit e ndërmarrjes, as që kanë marrë parasysh sakrificat e mia në punën tim funksionale si mbrojtës i pasurisë kombëtare,pyjeve. Për irnoni edhe të fatit, largohem ndër të parët nga puna me motivacionin “ristrukturim”, duke u përballur me disa të këqija që më solli puna e ndershme 30 vjeçare në sektorin pyjor; largimi nga puna, ndarja nga fëmijët dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike. Ja pra, ky ishte shpërblimi im për tre dekada punë në profesionin e teknikut të pyjeve”.