Pushteti dhe Dija

    893
    Sigal

    gjitha hulumtimet apo kantieret teorike tij – zhvilluara nën patronazhin e pandalur Nietzsche-s – zënë rrënjë në një zonë historike

    Kur, me 1972, botimet Gallimard i kërkojnë autorit një parathënie tw re për ribotimin e veprës së tij të parë Histoire de lafolie a I’age classique (botuar fillimisht nga Plon, më 1961) përgjigjja e Foucault-së është e dyfishtë, madje e trefishtë. “Le të heqim njëherë parathënien e dikurshme”, thotë ai, para se të propozojë një tekst të vockël, ose, më saktë, një objekt të çuditshëm tekstual, njëkohësisht anti-parathënie dhe teori e përgjithshme e parathënieve. Duke e shkruar fjalën me të madhe, si për ta ngritur në dinjitetin e një koncepti, Foucault e quan Parathënien (Preface) një “akt fillestar me të cilin nis të vendoset monarkia e autorit, një deklaratë të vërtetë tiranie”. Dhe pak më pas, vargut të gjatë të prozopopeve ironike të historisë së filozofisë, Foucault i shton figurën e monologut të autorit: “Unë jam autori. Fiksojeni mirë portretin ose profilin tim. Unë jam emri, ligji, sekreti dhe shpirti i thellë i gjithë shëmbëlltyrave që do të rreken të qarkullojnë nën emrin tim [ … ] Unë jam monarku i vetëm i gjithë sa kam thënë dhe ruaj mbi të të drejtat e një sovraniteti të plotë: atë të kuptimit që kam dashur t’u jap fjalëve të mia”. Nuk na mbetet veç ta përfundojmë metaforën: nëse autori kërkon për vete të drejtat e monarkut, lexuesit i kërkohet të mbetet pra një nënshtetas i bindur, i cili duhet të përthithë (ose përtypë, më saktë, të gëlltisë pa e përtypur) atë çka nuk është më propozim teorik apo tekstual, porse një sërë urdhëresash të paraqitura nën format kinse modeste dhe neutrale të refleksionit, kërkimit, studimit apo monografisë. Ky tekst i vogël, ose më saktë makineria tekstuale e kësaj anti-parathënieje do të mund të komentohej pothuaj pafundësisht. Pothuaj i gjithë Foucault, të paktën një pjesë e mirë e tij, gjendet i përqendruar në këto dy faqe sa mizorisht sarkastike aq dhe gazmore. Më e pakta që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me një tekst, ndër të tjera, politik (mjaft të vërejmë, vetëm në pak fjali, teprinë e terminologjisë politike: ligj, e drejtë, monark, tirani, sovranitet, apo evokimin e portretit dhe profilit, që të kujtojnë ato të monarkut në monedhat e shtypura nën sundimin e tij). Kemi të bëjmë me përvijimin, shpalosjen dhe propozimin, por po aq dhe me inskenimin e një politike të tekstit, në kuptimin natyrisht të dyfishtë të kësaj gjinoreje: funksionim politik i tekstit dhe i mënyrave të ndryshme të prezantimit të tij, sa dhe nevojë e një raporti politik me tekstet dhe ndaj tyre. Përkundër monarkisë idealiste të domethënies së tekstit, raport shfuqizues ndaj shumësisë së lexuesve, i cili kulmon në sajesën e sovranitetit autorial, Foucault propozon, për librin e tij dhe për çdo tekst në përgjithësi, një raport tjetër, që do të mund ta cilësonim si demokraci polemike dhe materialiste: raport i gjallë, i cili njeh legjitimitetin e plotë të përdorimit në kuptimin e vërtetë të fjalës (përthyerje, përtypje, shfrytëzim, rimarrje, lexim, kundër-lexim, deri edhe në kundër-përdorim), i cili e fut tekstin në një aventurë kolektive dhe anonime shumëfishimesh, copëzimesh, përsëritjesh, maskimesh dhe zhvendosjesh, aventura apo shtegtime të cilat, në të shkuarën dhe të ardhmen e tyre ende në pritje, janë po aq pjesë përbërëse të tekstit. Jo më njësia e kuptimit, por tërësia e hapur e efekteve përbëjnë qenien reale të tij. “Do të doja pra që libri, ky objekt- ngjarje, pothuaj i paperceptueshëm mes sa e sa të tjerash, të mos e paraqiste veten me statusin e ngrirë të tekstit. Fundja, herët a vone, kritika dhe pedagogjia do ta reduktojnë atë në të tillë, por do të doja që, ndërkohë, libri vetë të kishte guximin dhe mendjelehtësinë të paraqitej si ligjërim mes ligjërimesh: njëherazi betejë dhe armë, strategji dhe përplasje, trofe dhe plagë, takim i çrregullt dhe skenë e përsëritur.” Kjo demokraci e egër dhe luftarake, terren i qëndresave, strategjive, aleancave dhe përplasjeve, kjo demokraci ku arsyeja dhe dredhia (arsyeja e dredhisë dhe dredhitë e arsyes) janë barazisht të shpërndara në të gjitha anët, kjo demokraci pra, në thelb, niçeane, tregon qartë pozicionimin politik të Foucault-së: as ëndërrim i magjepsur konsensualist në emër të ndonjë kushedi çfarë paqeje demokratike post-industriale, as nostalgji e pluhurosur e ndonjë epoke të artë të sundimit të ‘virtyteve” aristokratike, të qeverisjes së “më të mirëve” dhe të popullit të heshtur, porse analiza e një niveli të raportit politik atij të ekzistencës dhe ushtrimit të pushtetit (të ekzistencës së pushtetit përmes ushtrimit të tij, ushtrim përherë i kundërshtuar, i penguar, i kundër-ushtruar madje) – si fushë e një raporti të përhershëm forcash, si terren ku ligjërimet dhe praktikat artikulohen për të prodhuar efekte nga më realet, por, njëkohësisht, përtej çdo lloj universaliteti dhe fataliteti. Dhe ajo çka ka vlerë analitike në këtë nivel raportesh është logjika e aktorëve dhe jo synimi domethënës i autorit, efektiviteti i përdorimeve dhe jo katalogu i qëllimeve, shumësia e përplasjeve dhe zhvendosjeve dhe jo njësia e adresimit. Plani i imanencës – për të huazuar një koncept nga Gilles Deleuze ku vendoset ndërhyrja teorike e politikës fukoldiane mund të përshkruhet kështu si vijon: terreni ku shumësia e lirive të arsyeshme hyjnë në raporte të përhershme forcash, raporte taktiko-strategjike, të cilat përcillen përmes (dhe riprodhojnë) një sërë dijesh, ligjërimesh, arsyesh, institucionesh dhe praktikash. Asgjë nuk i paracakton këto raporte forcash të ngjizen medoemos në formën e kontratës, bindjes, konsensusit, reformave, përfaqësimit apo komunikimit racional. Përkundrazi revolta dhe normalizimi, kryengritja dhe mbikëqyrja disiplinore, juridizimi i sjelljeve dhe çrregullimet plebeje, shkurt pra, faqja përherë e dyfishtë e ekzistencës së pushtetit – ajo e ushtrimit të tij dhe ajo e qëndresave ndaj tij -janë pjesë e së njëjtës historie pa kurrfarë teleologjie. E theksoj fjalën histori duke dashur të vë në dukje se Foucault ishte ndoshta filozofi më brutalisht i ndërgjegjshëm i pasluftës për rëndësinë dhe implikimet e këtij koncepti. Pothuajse të gjitha hulumtimet apo kantieret teorike të tij – të zhvilluara nën patronazhin e pandalur të Nietzsche-s – zënë rrënjë në një zonë historike. Arkiva është vendi material i punës së tij si filozof dhe vendi ontologjik i mishërimit të koncepteve të vëna në punë prej tij. Kurrë Foucault nuk ka bërë ndonjë teori të sistematizuar, të kulluar (abstrakte, jashtë kontekstit) të politikës apo të pushtetit. Edhe kur ligjërimi i tij paraqitet në formë metodologjike (“pushteti nuk duhet parë si…, por duhet analizuar si…etj), edhe kur jep përkufizime të prera konceptesh (represioni dhe ligji, norma dhe disiplina), edhe kur kritikon apo mënjanon qëndrime të caktuara teorike (kundër juridizmit, kundër ekonomizmit, kundër psikiatrizmit, …), ai nuk bën gjë tjetër veçse cakton disa piketa të përkohshme, i jep vetes instrumente pune që i duhen aty për aty: pozicionime taktike në funksion të një situate teorike të dhënë. Ajo që i intereson Foucault-së (dhe ajo çka na intereson tek ai) nuk është ndërtimi i një teorie të re e të padëgjuar të pushtetit, e cila do t’i shtohej vargut tashmë të gjatë të “modeleve” e doktrinave që popullojnë manualet e historisë së mendimit apo të hyrjeve në shkencat politike (megjithëse, siç dhe e pati parashikuar “kritika dhe pedagogjia shpesh e reduktojnë edhe atë në të tillë”). Stricto sensu, megjithë ç’thonë manualet dhe megjithë një përshtypje të pare, mashtruese, një teori fukoldiane e pushtetit nuk ekziston, madje një gjë e tillë do të ishte një kontradiktë në terma. Ajo që l intereson është eksperimentimi 1 implikimeve politike të dijes, zhbirimi, në një situate historike të dhënë (në një çast thyerjeje, në një moment ndryshmi) i artikulimit arbitrar të formave të dijes me forma të tjera të pushtetit. Kështu, tekstet e tij nuk vlejnë për listën e përkufizimeve apo mësimin e ndonjë doktrine. Vetë puna e filozofit (e arkivistit gjenealogjist) është një ndërhyrje teorike në një dispozitiv historiko-konceptual. Ai nuk bën një teori të pushtetit, por praktikon një raport teorik me forma të caktuara pushtetesh. Ndriçimi (në kuptimin pothuajse skenografik të fjalës) i disa nyjëtimeve historike të punës së dijeve me ushtrimet e pushtetit, procedure që Foucault e quan problematizim ose, me fjalë më niçeane, projekt për “t’i zhytur universalet në mbërjen (devenir) e rrjedhës historike”, ky qëndrim pra, e bën punën teorike të konceptueshme si ndërhyrje në një rrjet të dhënë forcash, në një shtresim të caktuar domethëniesh. Ky tipar i teorisë së ndërtuar jo si doktrinë por si një sërë gjestesh anonime për zhvendosjen e domethënieve dhe problematizimin e situatave, përcakton edhe raportin e lexuesit me veprën: kontakti me të është gjithmonë shkas për përjetimin e një përvoje të veçantë, sprovë e një eksperimenti mendor dhe konkret ku evidencat e së tashmes thërrmohen, ku dhuna e normales na bëhet e prekshme, ku e padurueshmja feks në gjirin e përditshmërisë më intime. Historia, pra, dhe zhurma e saj e përhershme është vendqëndrimi themelor i Foucault-së, dhe pika nga ku ushtrohet vështrimi i tij teorik. Po ashtu, objekt i shpeshtë i hetimeve të tij janë versionet e ndryshme të shkrimit të historisë – si armë pushteti apo si mënyrë qëndrese ndaj tij – si dhe mënyrat e ndryshme të konceptualizimit të saj. I tillë është, për shembull, njëri nga objektet e dukshëm (por sa të padukshëm ka në palat e tekstit) të të gjithë leksionit të vitit 1976 në College de France, nga i cili kemi përkthyer këtu dy seancat e para: tapiceri e vërtetë ligjërimore, nën formën e një studimi historiko-politik, mbi format historiko-politike të shkrimit të historisë, ku boshti kryesor është ringjallja e një “episodi” mese qindvjeçar relativisht të harruar, dhe pra, njëkohësisht, nxjerrja në dritë e një arkive të re: bëhet fjalë për ofensivën e rishkrim-ritregimit të historisë monolitike të monarkisë francezë (shkrim i një kundër-historie, i pandashëm nga një kundër-shkrim i historisë), por këtë herë nga pikëpamja e fisnikërisë së rënë nën pushtetin e monarkut, e cila e shpalos historinë jo më si ecuri racionale të sundimit të lavdishëm të monarkut, por si luftë të pandalur racash, si histori vrasjesh dhe spastrimesh, bastardësh e tradhtish, si historinë e vjedhjes së paligjshme të legjitimitetit të saj. Dhe korpusi i ligjeve është një nga provat e kësaj vjedhjeje, instrument i vazhdueshëm i bastisjes historike. Ndërkohë që mbreti ndërtonte kopshtet gjeometrike të Versajës, ideologët e aristokracisë, ndër libra të fandaksur historie e mes rindërtimesh e ëndërrimesh gjenealogjike rishkruanin tragjeditë e Shekspirit.