Pushtetet e shumtë, “Burim” Diktaotrësh dhe çmendurie

127

Analizë nga Xhevat Mustafa/ Në 2 mandatet e ‘rilindjes’ ne kemi një Edi Rama të mbingarkuar me pushtete partiake, politike, shtetërore, e cila ka sjellë privatizimin e tij të PS-së  dhe të qeverisë si ekip

Pushtetet e shumtë, “burim” diktatorësh dhe “çmendurie”

 Sidomos në këto dy vite të mandatit të dytë të “qeverisjes rilindëse” ne kemi një Edi Rama të mbingarkuar me pushtete partiake, politike, qeverisëse, shtetërore… Paralelisht, kjo ka sjellë dobësimin, anemizimin, formalizimin, privatizimin prej tij të PS-së, të qeverisë si ekip, të ministrive si dikastere… Por, edhe të institucioneve shtetërore, jashtë sferës së kompetencave të tij…

 Nga Xhevat Mustafa

Më 11 qershor 2018, në një revistë shqiptare , është botuar artikulli me titull: “A të ‘çmend’ pushteti?”, shkruar nga Peter T. Coleman, PhD, Profesor i Psikologjisë dhe Arsimit në Universitetin e Kolumbias dhe përgatitur për këtë organ të publicistikës shqiptare nga Enton Palushi. Sipas prof. Coleman, psikoza apo çmenduria e pushtetit, mbart dhe sjell humbjen e kontaktit të individëve të plotpushtetshëm me realitetin e përditshëm. Si rrjedhojë ata dehen apo tërbohen nga pushtetet, nga përfitimet e pakontrolluara, privilegjet e tepruara, të pajustifikuara dhe të pamerituara ligjërisht. Kështu në vetvete, në mendjen, psikologjinë dhe sjelljen e tyre, fillojnë të mendojnë dhe reflektojnë se janë tejet të zgjuar, të aftë, të fuqishëm, të pakritikueshëm, të pakundërshtueshëm, të padorëheqshëm dhe të parrëzueshëm në rrugë e forma ligjore, demokratike. Shprehur shqip fare: këta mendojnë se mund të ikin nga fronet e partive dhe të pushteteve vetëm kur të velen, mërziten, lodhen, kur t’u dojë qejfi e t’u mbushet mendja. Nga përvoja ndërkombëtare dhe ajo shqiptare del konkluzioni se koha është nxitësi kryesor për evoluimin, degradimin dhe rrënimin e normalitetit fillestar të shumicës së të plotpushtetshmëve. Prof. Coleman shprehet: “Sa më gjatë që njerëzit qëndrojnë në pushtet, aq më shumë ata fitojnë vetëbesim dhe vetëfrenohen gjithmonë e më pak, bëjnë zgjedhje me më shumë risk… Ata fillojnë t’i shohin të tjerët si më të vegjël, edhe fizikisht. Me kalimin e kohës, të pushtetshmit zhvillojnë një ndjesi superoptimizmi, një formë krenarie vetjake ku ndihen se mund të bëjnë apo thonë çfarëdo që ata duan, shpesh herë bëjnë shkelje skandaloze, pasi besojnë se nuk mund të kapen apo ndëshkohen…”. Edhe në realitetin apo arkivin politik dhe qeverisës shqiptar të këtyre rreth 27 viteve të paskomunizmit apo të “demokracisë” nuk është e vështirë të gjenden të plotpushtetshëm me këto cilësi apo karakteristika, që jep si më të dukshmet e më të shprehurat profesor Coleman. Shprehur ndryshe dhe konkretisht, si Sali Berisha, deri para rreth 6 viteve, ashtu edhe Fatos Nano, në “epokën” e tij dhe Edi Rama në këto 6 vjet , mund ta gjejnë lehtësisht vetveten tek tipat e të plotfuqishmëve që përshkruan profesor Coleman. Kjo nënkupton se në vijim ,atyre u bie barra apo detyra edhe e njohjes së gabimeve dhe përgjegjësive të veta, individuale, institucionale, ekipore, partiake, koalicioniste, duke mos i mbuluar më këto me gjethet e fiqve të “meritave dhe rekordeve historike”, “sukseseve” , “fitoreve”… Po sipas profesor Coleman,  “Kur të plotpushtetshmit janë në mosmarrëveshje dhe debate me të tjerët, ata përdorin një stil dominues dhe shpesh herë e humbasin aftësinë për të reaguar në mënyra të tjera tolerante… Ata gjithashtu u kushtojnë më pak vëmendje atyre që kanë më pak pushtet, mbivlerësojnë pushtetin e tyre, nënvlerësojnë pushtetin e të tjerëve dhe janë më të prirur drejt shkeljes së rregullave dhe ligjeve…”. Fatkeqësisht dhe fatmirësisht, realiteti shqiptar politik dhe qeverisës i këtyre 6 viteve jep fakte dhe argumente të bollshëm për përkufizimin apo skanerin edhe të Edi Ramës sipas kësaj “kamere” apo të këtij vizioni tipizues të profesor Coleman. Jo vetëm sipas meje, qeverisja e “rilindjes” apo “Rama”, mund të cilësohet dhe kujtohet si e inkriminimit të politikës, parlamentit dhe të qeverisjes, me rreth 20 deputetë dhe më shumë kryebashkiakë, zv. ministra, drejtorë të përgjithshëm… me të shkuar të largët apo edhe të freskët lidhjesh, procesesh gjyqësore dhe dënimesh në Shqipëri dhe vende të tjera. Gjithashtu, “qeverisja rilindëse” mund të përkufizohet edhe si “thesar” apo “minierë” tenderësh, koncesionesh, PPP-shë, dhuruar bujarisht e pa përgjegjshmëri sponsorëve financiarë dhe politikë të saj, miqve, ortakëve, oligarkëve…, shumica dërrmuese “rastësisht të majtë”. Çmenduria individuale, bëhet kolektive kur këto akte të qartë korruptivë kalojnë në parlament. Sidomos këto dy vitet e fundit, miratimi me ligj në parlament, praktikisht, është bërë mburoja ligjore për çdo shkelje apo vepër penale të mundshme. Koncesionet 600 milionë euro të rrugëve, biznesi 170 milionë euro i faturimit, tjetërsimi i 8 mijë metrave tokë publike tek Teatri Kombëtar, pas shembjes së tij dhe ndërtimit të kullave të kompanisë “Fusha”, do të legalizohen të gjitha me ligj të posaçëm. Pas farsës së votimit në Parlament ato “nuk do të kenë më asnjë shkelje ligjore” dhe sigurisht edhe “asnjë fajtor”, pavarësisht se tjetërsojnë në mënyrë të dyshimtë qindra milionë euro para dhe asetet publike. Sipas ish-deputetes demokrate Jorida Tabaku, në një prononcim të saj, më 30 maj, referuar koncesioneve për segmentet rrugore Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara, programi 1 miliardësh i qeverisë Rama, ka shkuar në 2,2 miliardë në vetëm shtatë projekte, me fatura të fryra, deri në 15- 20 milionë euro për 1 kilometër si dhe me kompani të vetme në konkurrim, “rastësisht”, të gjitha me lidhje të ngushta me mazhorancën dhe Partinë Socialiste.

Një shprehje tjetër e qartë e çmendurisë nga plot-pushtetet dhe përfitimet miliardëshe është kanabizimi, lazaratizimi, siçilianizimi apo kolumbianizimi i vendit, përgjithësisht “nën hundën” e Policisë së Shtetit dhe të dy ish-ministrave të Brendshmëm. Gazeta kryesore e Zvicrës “Neue Zurcher Zeitung” në një artikull investigativ për drogën në Shqipëri, me autor Adelheid Wölfl, botuar më 1 qershor 2019, jep një shifër tronditëse dhe alarmante. Sipas saj “Shqipëria prodhon 900 ton kanabis në vit, me një vlerë prej mbi 5 miliardë franga (4,5 miliardë Euro). Nga kjo bujari reciproke dhe thuajse krejt publike me miliarda euro mes qeverisë dhe miqve të saj oligarkë e bosë bëhet tejet revoltues dhe qesharak justifikimi nga kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij se janë tejet të kufizuara mundësitë financiare të qeverisë dhe të shtetit për rritje të larta, të ndjeshme, të përjetueshme, sa më afër niveleve mesatare të BE-së, të pagave, pensioneve dhe të mbështetjes sociale për shumicën e qytetarëve, të cilat, në të vërtetë, janë më të ulëtat në Evropë… Si për tallje dhe për të larë gojën, në fillim të disa viteve, qeveritë Rama kanë bërë rritje minimale, qesharake dhe revoltuese. Në përqindjet e kryera ato nuk mbulojnë dot as nivelin e rimbursimit të inflacionit dhe të rritjes së pafre të çmimeve të artikujve të ushqimit dhe përdorimit masiv; të faturave të dritave, ujit, të shërbimeve dhe barnave mjekësore; të telefonisë, internetit dhe të paketave televizive; të biletave të avionëve… Simptoma të kësaj “çmendurie nga pushteti” që përcakton profesor Coleman, mund të gjenden edhe në aktet e freskët të publikuar në mediat tona dhe ndërkombëtare për vjedhjen kolektive nëpërmjet kredive fiktive të rreth 3.7 milionë eurove në Fondin “BESA”; në ambicien për karrierë politike dhe qeverisëse, duke fshehur të kaluarën e tyre tyre problematike apo penalizuese nga Valdrin Pjetri etj; në faturat shumë të larta për një natë fjetjeje në hotelet luksoze të Evropës nga ministra, ministresha, kryetarë dhe nënkryetarë bashkiakë… Afro një vit më parë, Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, ishte në Barcelonë të Spanjës, ku fjeti për dy net në një hotel luksi, me rreth 900 euro nata. Faturën e tij në 1800 euro e pagoi Shkëlqim Fusha, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderëve bashkiake në Tiranë, përfshirë edhe ato për kullat mbi gërmadhat e Teatrit Kombëtar. Për të dhënë një dëshmi, se dhurata private për Arbjan Maznikun në çdo vend evropian, do të sillte pasoja penale, dhe minimumi dorëheqjen e përfituesit , po sjell të ashtuquajturin “Rasti Wulff” në Gjermani, me viktimë ish-presidentin Christian Wulf. Në qershor 2010, i mbështetur nga Angela Merkel, u zgjodh President i Gjermanisë. Në ngjitje e sipër të shkallëve të karrierës Wulff humbi kontrollin e vetvetes dhe iu nënshtrua ambicieve, duke pranuar favore falë postit të tij. Pas vetëm 598 ditësh në post Presidenti Wulff u detyrua të jepte dorëheqjen. Muaj me radhë prokuroria heton, hartohen mijëra faqe dosjesh. Në të vërtetë ishte fjala për vetëm 720-750 euro, të cilat çifti Wulff i ka përfituar nga një mik i tyre, një producent filmash, për një darkë, një natë në hotel, një vizitë në festën e birrës dhe për pagesën e një dadoje fëmijësh. Më 27.02.2014 Gjykata e Landit në Hanover shpalli vendimin se Christian Wulf është i pafajshëm dhe se nuk ka shpërdoruar postin për përfitime personale në kohën kur ka qenë kryeministër i Landit të Saksonisë së Poshtme. Por, ai fitoi vetëm pafajësinë dhe jo “virgjërinë” dhe vazhdimësinë si politikan. Në të kundërtën me këtë shembull shumë shprehës që na jep Gjermania dhe shembuj nga vende të tjerë si Suedia, Austria etj., tek ne, në “Shqipërinë e rilindur”, nuk mendohet dhe bëhet dorëheqje edhe kur litari i skandaleve, shpërdorimeve dhe papërgjegjshmërive mund të shtrihet nga Vermoshi në Konispol. Sidomos në këto dy vite të mandatit të dytë të “qeverisjes rilindëse” ne kemi një Edi Rama të mbingarkuar me pushtete partiake, politike, qeverisëse, shtetërore… Paralelisht, kjo ka sjellë dobësimin, anemizimin, formalizimin, privatizimin prej tij të PS-së, të qeverisë si ekip, të ministrive si dikastere… Por, edhe të institucioneve shtetërore, jashtë sferës së kompetencave të tij, si parlamenti, komisionet parlamentare, presidenti, gjykatat, prokuroria, pozita, opozita, mediat, shoqëria civile… Pa treguar shenja vetëpërmbajtjeje dhe autocensure ai mund të bëjë çfarë t’i teket dhe shkrepet në parti, qeveri, prefektura, bashkira, drejtorira, drejtësi, mediat private… Të bën deputet, ministër, zv.ministër, drejtor të përgjithshëm, kryebashkiak, ambasador; të dhuron pension të posaçëm, tender, PPP, pa të parë CV, dëshmi penaliteti, dosje nëpër institucionet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, moshë, vlera, merita, kontribute. Për atë duket se kriteri kryesor për karrierë politike, partiake dhe qeverisëse është pjesëmarrja, angazhimi dhe “meritat” në bordet dhe rrjetin e Sorosit… Në të kundërt, kush guxon ta kundërshtojë dhe t’i kundërvihet, i shumëzohen me zero titujt dhe gradat shkencore e akademike, meritat, kontributet; i bien të gjitha rrufetë, si të Zeusit, shkarkohet nga postet e detyrat, madje edhe në “mediat e pavarura”; fyhet, denigrohet, duke u zëvendësuar edhe me askushë apo edhe me individë me arsimim të lartë dhe specializime të dyshimta apo me gjurmë të pambulueshme plagjiature. Pra, kemi një Edi Rama që pandeh, mendon, sillet dhe vepron sikur ka në duart e tij gjithçka dhe një qeveri, shtet, vend, popull, pozitë, opozitë, parti, gjykata, prokurori…, që trajtohen prej tij thjeshtë si kukulla, kartonë, emra, duar, fytyra, numra, përqindje, si “dele” apo “dhi”… Dëshmitë më të freskëta të “tërbimit” të tij nga plotpushtetshmëria janë sajimi i gjasme dhe palo zgjedhjeve të 30 qershorit 2019; telekomandimi për uljen e “kryebashkiakëve të rinj” në karriget e “fituara” në mënyrë skandaloze dhe qesharake si dhe mos rrespektimi apo nihilizimi institucional i presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke u pasuar me shumë gjasa nga skandali i shkarkimit të tij dhe ai vijues, i emërimit në këtë post i një kukulle të tij… Pas kësaj “fitoreje historike” ai do t’i ketë të hapura të gjitha rrugët dhe dyert për t’u bërë, Enver, Putin, Erdogan, Kim Jong, Maduro…, siç e duan ca komunisto-socialistë fanatikë e të pandryshueshëm, të cilët edhe pse prej 78 vitesh janë mashtruar, keqpërdorur, zhgënjyer dhe turpëruar nga partia e tyre e zemrës me 3 emra, duke ua futur edhe atyre si gjithë shqiptarëve  jo sa krahu, por sa trau, përsëri kanë mendje, fytyrë, gojë, ta duan dhe votojnë.