Punsim dhe emigrim në Kanada

    2182
    Kanada, ndryshojnë rregullat për marrjen e shtetësisë
    Nga dje janë vënë në zbatim masat që do të prekin edhe dhjetëra mijëra shqiptarë. Çfarë përcakton paketa e re dhe pse sistemi është më elastik
    Qeveria e Kanadasë, nën drejtimin e kryeministrit Justin Trudo, ka nisur zbatimin e ndryshimeve të forta ligjore që prekin marrjen e shtetësisë kanadeze. Prej ditës së djeshme kanë hyrë në fuqi masat e reja, ku përcaktohet se miratimi dhe zbatimi i këtyre ndryshimeve të rëndësishme për përfitimin e shtetësisë kanadeze e bën procesin më fleksibël për rezidentët e përhershëm, të cilët dëshirojnë të aplikojnë për shtetësinë kanadeze. Masat u prezantuan nga ministri i Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Ahmed Husen, dhe janë pjesë e angazhimit të qeverisë kanadeze për ta bërë më fleksibël plotësimin e kërkesave për ata, të cilët dëshirojnë të marrin shtetësinë kanadeze. Kërkesat e reja do të japin më shumë elasticitet si për emigrantët në moshë të re dhe ata më të vjetrit, në mënyrë që të përfitojnë shtetësinë. Gjithashtu, masat e reja të nisura nga 11 tetori do të ndihmojnë individët, të cilët kanë nisur ta ndërtojnë jetën e tyre në Kanada, për ta arritur sa më shpejt fitimin e shtetësisë. Për të përfituar nga masat e reja, aplikantët duhet ta nisin procedurën prej 11 tetorit, në mënyrë që aplikimet e reja të jenë të efektshme.

    Një numër i madh shqiptarësh, emigrojnë çdo vit drejt Kanadasë. Procedura e përfitimit të lejes së qëndrimit e punësimit, në ndryshim nga Shtetet e Bashkuara, është e bazuar në një listë profesionesh më të preferuara dhe në aftësitë individuale. 

    Masat
    “Aplikantët përfitues për shtetësinë kanadeze duhet të jenë fizikisht të pranishëm në Kanada vetëm në 3 ndër 5 vitet e fundit përpara aplikimit për shtetësinë kanadeze”, thuhet në ndryshimet e vëna në zbatim nga qeveria e Justin Trudo. Gjithashtu, aplikantët përfitues për shtetësinë kanadeze duhet të plotësojë deklaratën e taksave, nëse kjo i kërkohet sipas Aktit të të Ardhurave e Taksave për 3 ndër 5 vitet e fundit, duke përkuar me kërkesat për praninë fizike. Ndryshim tjetër është fakti se aplikantët për shtetësinë kanadeze nuk janë të detyruar të jenë të pranishëm fizikisht në Kanada për 183 ditë në 4 ndër 6 vitet që i paraprijnë aplikimit të tyre. “Aplikantët përfitues për shtetësinë kanadeze mund të numërojnë çdo ditë që ata ishin të pranishëm fizikisht në Kanada si rezident i përkohshëm ose person i mbrojtur, përpara se të bëhen rezidentë të përhershëm, si gjysmë dite për të plotësuar për praninë fizike të kërkuar për shtetësinë, deri në një maksimum prej 365 ditë, brenda 5 viteve që i paraprijnë datës së aplikimit”, thuhet në paketën e re të kërkesave. Gjithashtu, aplikantët midis moshës 18 deri në 54 vjeç duhet të plotësojnë kërkesat për gjuhën dhe dijet të kërkuara në aplikimin për shtetësinë.

    Një tjetër masë është edhe shfuqizimi i aftësisë për të revokuar shtetësinë nga ata që gëzojnë shtetësi të dyfishtë, në rast se dënohen për krime kundër interesit kombëtar. Gjithashtu, aplikantëve nuk do t’u kërkohet më të vazhdojnë të qëndrojnë në Kanada, në rast se u jepen shtetësia. Ndër të tjera, procesi është bërë më i lehtë për minorenët, të cilët aplikojnë për shtetësi pa pasur prindërit të pajisur me shtetësi kanadeze ose leje qëndrimi të përhershme. Më vonë gjatë vitit 2017 dhe më tej në vitin 2018 pritet të hyjnë në fuqi masa të tjera për forcimin e procesit të revokimit në rastet kur Gjykata Federale është vendimmarrëse në shumicën e rasteve, si dhe duke u dhënë autoritet të qartë oficerëve, të cilët trajtojnë çështjet e shtetësisë, të bllokojnë dokumente false apo të dyshuara si të tilla.

    Synimet e qeverisë kanadeze
    Kanadaja është një vend që është krijuar dhe zhvilluar nëpërmjet emigracionit. Pavarësisht nga shifrat shumë të larta, në përgjithësi, dyert për emigrantë nga e gjithë bota kanë qenë gjithmonë të hapura. Vetëm në vitet e fundit, Ministria e Emigracionit ka përcaktuar si kuotë-objektiv shifrën rreth 225 mijë emigrantë, që duhet të pranohen çdo vit në Kanada. Kriteret e reja të pranimit të emigrantëve të pavarur, të vetëpunësuarve, sipërmarrësve dhe investitorëve u aprovuan në maj të vitit 1997. Këto kritere janë aktualisht në fuqi dhe është e nevojshme që çdokush që është i interesuar të emigrojë në këtë vend të njihet me to para se të fillojë aplikimin. Duhet thënë që procesi i aplikimit ka koston e vet dhe njohja me kushtet e aplikimit është domosdoshmëri në mënyrë që të shmangen shpenzimet e panevojshme nga ata që nuk i plotësojnë kushtet për të fituar aplikimin. Objektivi i qeverisë kanadeze është të fusë çdo vit në Kanada njerëz të kualifikuar, që me eksperiencat e tyre profesionale të mund të kontribuojnë në mënyrë produktive në përparimin ekonomik të këtij vendi.
    Masat e reja:
    1 – Aplikantët përfitues për shtetësinë kanadeze duhet të jenë fizikisht të pranishëm në Kanada vetëm në 3 ndër 5 vitet e fundit përpara aplikimit për shtetësinë kanadeze.
    2 – Aplikantët përfitues për shtetësinë kanadeze duhet të plotësojë deklaratën e taksave, nëse kjo i kërkohet sipas Aktit të të Ardhurave e Taksave për 3 ndër 5 vitet e fundit, duke përkuar me kërkesat për praninë fizike.
    3 – Aplikantët përfitues për shtetësinë kanadeze nuk janë të detyruar të jenë të pranishëm fizikisht në Kanada për 183 ditë në 4 ndër 6 vitet që i paraprijnë aplikimit të tyre.
    4 – Aplikantët përfitues për shtetësinë kanadeze mund të numërojnë çdo ditë që ata ishin të pranishëm fizikisht në Kanada si rezident i përkohshëm ose person i mbrojtur, përpara se të bëhen rezidentë të përhershëm, si gjysmë dite për të plotësuar për praninë fizike të kërkuar për shtetësinë, deri në një maksimum prej 365 ditë, brenda 5 viteve që i paraprijnë datës së aplikimit. 
    5 – Aplikantët përfitues për shtetësinë kanadeze midis moshës 18 deri në 54 vjeç duhet të plotësojnë kërkesat për gjuhën dhe dijet të kërkuara në aplikimin për shtetësinë.
    Punësimi, si mund të emigrohet drejt Kanadasë
    Sipas rregullores që ka përcaktuar qeveria kanadeze, aplikimi kalon nëpër disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret edhe vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit. Intervista zhvillohet në Konsullatën Kanadeze midis një oficeri të imigracionit kanadez dhe aplikantit. Pas përfundimit me sukses të saj duhet që aplikanti të kryejë një kontroll mjekësor nga një mjek i njohur prej Qeverisë Kanadeze. Ky kontroll duhet të bindë Ambasadën se personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij nuk paraqesin problem për shëndetin publik kanadez me gjendjen e tyre shëndetësore. Disa ambasada pas marrjes së rezultatit të analizave mjekësore i kërkojnë aplikantit të transferojë fonde të mjaftueshme monetare në një llogari bankare në Kanada të hapur në emër të tij. Nga ana tjetër, që Ambasada të marrë vendimin përfundimtar, pra lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.

    Profesionet
    Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësohen formularët e duhur, në bazë të interesit të treguar për t’u punësuar. Nëse jeni një profesionist i kualifikuar dhe nëse nuk keni një ofertë pune, atëherë duhet të pajiseni me një kod (NOC), që përbëhet nga katër shifra dhe që identifikon profesionin në të cilin ju dëshironi të punoni. Ekziston një listë prej 520 lloje punësh. Profesionet më të kërkuara janë: kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikolog, asistentë socialë, elektricistë, hidraulikë dhe ndërtues. Pasi të keni identifikuar profesionin, do t’i nënshtroheni një testimi, ku duhet të grumbulloni të paktën 67 pikë ndaj 100 pikëve të mundshme.

    Sistemi me pikë, kush favorizohet
    Shteti kanadez për të vlerësuar emigrantët e mundshëm përdor sistemin e vlerësimit me pikë. Duke u bazuar në pikët që do të mblidhen, aplikantët krijojnë një ide, se sa të favorizuar janë për të fituar një vizë punësimi në Kanada. Faktorët kryesorë për vlerësimin me sistemin e pikëve janë: mosha, niveli i arsimit, vlerësimi për edukimin e nevojshëm për profesionin (ETF), profesioni që do të ushtroni në Kanada, përvoja e punës, aftësitë në gjuhën angleze dhe frënge, faktori demografik (i përcaktuar 8 pikë), aftësia për t’u përshtatur a integruar në Kanada si dhe të afërmit që jetojnë atje.

    Pikët
    Sa i përket moshës, personat nga 21 deri 44 vjeç, marrin pikët maksimale, 10 pikë. Për sa i përket arsimimit, komisioni i vlerësimit jep 18 pikë ata që kanë diplomë Master apo Doktoraturë, 15 pikë personat që kanë diplomë Bachelor, 13 pikë për ata që kanë mbaruar të paktën një vit universitet dhe 10 pikë për ata qe kanë mbaruar vetëm gjimnazin apo shkollën e mesme profesionale. Më të favorizuarit, sipas këtij drejtimi janë grupi i parë dhe i dytë i aplikantëve. Për vlerësimin e arsimimit të kërkuar për profesionin (ETF), përcaktimi i pikëve bëhet në bazë të profesionit dhe ky vlerësim bëhet nga një komision i quajtur “Human Resources Canada Center”. Sipas profesionit, që individët fitues do të ushtrojnë në shtetin e Amerikës Veriore, vlerësimi me pikë për profesionin është i përcaktuar në një listë të përcaktuar që quhet: “General Ocupation List”. Lidhur me përvojën e punës, vlerësimi në pikë bëhet në varësi të pikëve që merr profesioni në listën e përcaktuar të ETF-së. Për shembull nëse profesioni ‘arkitekt’ merr 15 pikë në ETF, për një vit pune jepen 2 pikë, për 2 vite- 4 pikë e kështu me radhë. Aftësia për t’u përshtatur është një faktor që përcaktohet nga oficeri i imigracioni, i cili i merr aplikantët në intervistë.
    Sigal