Punonjësja e Sigurimeve Shoqërore: Asnjë minator nuk ka dalë në pension me këtë ligj

    471
    Sigal

    Skandali/ Minatori Sali Shushka, thirrje për ndihmë në zbatimin e Ligjit nr. 10165 për daljen 60 vjeç në pension

     Thellohet më tej papërgjegjshmëria e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në mos zbatimin, që prej 5 vjetësh, të Ligjit nr. 10165, datë 15.10.2009 “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”. Pas rastit të minatorit Adem Pengu (të botuar në datën 16 korrik), një tjetër qytetar thërret për ndihmë në zbatimin e një të drejte të fituar me ligj, por që nuk është zbatuar kurrë. Edhe minatorit Sali Shushka i është mohuar e drejta e daljes në pension të plotë pleqërie në moshën 60 vjeç, pasi ka përmbushur kushtin, sipas ligjit të sipërpërmendur, të periudhës së përgjithshme të sigurimit 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet punë në nëntokë. Por, punonjësja e Sigurimeve Shoqërore Korçë, znj. Monda, e siguron qytetarin Shushka se asnjë punonjës nëntoke në Shqipëri nuk ka dalë në pension me këtë ligj. “Më thuaj një person dhe unë do të veproj”, është shprehur punonjësja e Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa qëndrimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore është i njëjtë si në rastin e z. Pengu. E njëta përgjigje zyrtare, vetëm ndryshon emri i nëndrejtorit që ka firmosur. Në këtë rast është Hasan Hoxha, zv/Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së që ka firmosur moszbatimin e ligjit në fjalë. “Ligji nr. 10165, datë 15.10.2009 “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”, nuk ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore për llogaritjen, caktimin dhe pagesën e përfitimeve”, ka përfunduar shkresën zyrtare zv/drejtori Hoxha. Pra, edhe pse vetë punonjësja e sigurimeve shoqërore e ka konfirmuar moszbatimin e ligjit, ajo është vulosur edhe nga autorittet më të larta të Sigurimeve Shoqërore. Ndërkohë, qytetari Shushka, i ndodhur përpara realitetit të moszbatimit të ligjeve në vendin tonë, vazhdon më tej me pasigurinë që shoqëron çdo qytetar në vend. Ai është shumë skeptik edhe për gjykatat tona, me frikën se të drejtën e tij nuk do e gjejë as te drejtësia. Minatori Sali Shushka kërkon ndihmë dhe garanci që çështja e tij do të gjejë zgjidhje në gjykatë.

     Letra, drejtuar gazetës “Telegraf” dhe z. Fadil Kepi

     Quhem Sali Shushka nga fshati Mborje i Korçës. Lexova me vëmendje përgjigjen tuaj në gazetën “telegraf” të datës 3 korrik. Me bindje të plotë shkova te Sigurimet Shoqërore dhe ia paraqita përsëri kërkesën time për zbatimin e ligjit për të fituar të drejtën time. Përgjigjja e përgjegjëses së Sigurimeve Shoqërore znj. Monda, duke thirrur alla korçarçe ishte kjo:

    Lëre mo ç’thonë gazetat, asnjë punonjës nëntoke në Shqipëri nuk ka dalë në pension me këtë ligj. Më thuaj një person dhe unë do të veproj”.

    Dola nga zyra shumë i mërzitur. Tani, zotërinj, në qoftë se unë hap proces gjyqësor, a mundem ta fitoj të drejtën time? Po ju dërgoj dhe përgjigjen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore. Ju lutem më ndihmoni!

    Me respekt

    Sali Shushka

    Mborje, Korçë

    Shkresa e ISSH-së, drejtuar qytetarit Shushka

     Lënda: Kthim përgjigje

    Drejtuar: Z. Sali Shushka, Mborje Korçë

    Në përgjigje të shkresës suaj nr. 1882 prot, datë 22.08.2013, me të cilën kërkoni mendimin tonë mbi zbatimin e Ligjit nr. 10165, datë 15.10.2009 “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës”, ju sqarojmë se:

    Subjektet përfituese të këtij ligji janë punonjësit e nëntokës, me periudhë pune të klasifikuar në kategorinë e parë, sipas dispozitave të kreut I të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958 të Këshillit të Ministrave “Për ndarjen e punës në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, që kanë arritur moshën 60 vjeç dhe kanë periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet punë në nëntokë.

    Pensioni llogaritet sipas rregullave të përcaktuara për pensionet e pleqërisë në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe efektet financiare të këtij ligji, deri në mbushjen e moshës, sipas Nenit 92 të këtij Ligji përballohen nga Buxheti i Shtetit.

    Ligji nr. 10165, datë 15.10.2009 “Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës” nuk ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore për llogaritjen, caktimin dhe pagesën e përfitimeve.

    Ju faleminderit për bashkëpunimin

    Hasan Hoxha

    Zv/Drejtor i Përgjithshëm