Punonjësit e HEC-it të Banjës në protestë, kundërshtojnë mungesën e kushteve

    435
    Sigal

    GRAMSH- Rreth 450 punëtorë shqiptarë që punojnë për ndërtimin e Hidrocentralit të Banjës, mbi rrjedhën e lumit Devoll, kanë pezulluar punën, duke protestuar që prej ditës së djeshme. Punonjësit kundërshtojnë mungesën e kushteve në punë. Ndonëse kompania premtoi se do të zgjidhte problemin, ajo nuk ka reaguar për një zgjidhje të mundshme.

    Punonjësit, dje kanë denoncuan publikisht mungesën e transparencës së kontratës mes palëve, si dhe mungesën e sigurisë në punë, mospagimin e orëve jashtë orarit zyrtar dhe të disa shkeljeve të tjera të të drejtave të punëtorëve shqiptarë. Kjo nuk është hera e parë që punonjësit ngrihen në protestë, ditë më parë ata kanë vënë në dukje problemin dhe kanë kërkuar marrjen e masave, por mungesa e një reagimi i ka detyruar në ndërmarrjen e masave ekstreme. Ata i bëjnë thirrje ministrit të Energjetikës, z. Gjiknuri që të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Ata ndihen të harruar dhe paralajmërojnë se nuk do të ndalen, deri dhe në grevë urie nëse nuk do të ketë një reagim nga pushtetarët.