Punonjësit e DRSSHT-së u bëjnë ping-pong pensionistëve për dhënien e kartelave

    94

    Marrja e një libreze pensioni nga 60 ditë që është afati shkon 6 muaj për pensionistët

    Pensionistët janë një ndër kategoritë e personave që kanë më shumë nevojë dhe përkujdesje nga shoqëria. Por jo gjithmonë ato janë të respektuar dhe marrin atë që meritojnë. Pasi kanë punuar një jetë të tërë normalisht që duhet të shpërblehen për djersën dhe mundin që kanë dhënë sipas profesioneve që ato kanë. Por në Shqipëri dhe në institucionet tona kësaj kategorie nuk po i jepet ajo që meriton dhe nuk po respektohen aq sa e meritojnë nga institucionet përkatëse të shtetit tonë. E për këto arsye të mosrespektimit të rregullave dhe afateve ligjore vuajtjet dhe problemet e moshës së tretë me marrjen e pensioneve nuk kanë fund. Shpesh në korridoret e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, janë lumë ankesat e të moshuarve. Ankesa për shërbimin e dobët, për vonesat e panevojshme, ankesa për mosllogaritjen mirë të shtesave që janë bërë etj. Teksa i sheh të lodhur nga mosha që mbajnë mbi supe, ato tregojnë se i lodh edhe pritja me orë të tëra pas dyerve të institucionit përkatës për procedurat e pensionit.
    Pensionistët: Shpërblimi i punës tonë është sorollatja për marrjen e pensionit
    Ata shprehen se, si shpërblim për punën e tyre të dekadave të shkuara, sot po marrin radhët e pritjes dhe indiferencën e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Në sytë dhe në fytyrat e tyre shihen rrudhat e moshës, të cilat ua rëndojnë më shumë ditët e pritjes për të marrë ato pak lekë që u takojnë për vitet e tyre të punës që kanë bërë. Në një vëzhgim që ka bërë gazeta “Telegraf” mori rrëfime nga më të ndryshmet nga pensionistë hallexhinj që nuk arrinin që të merrnin librezat në afatet e caktuara. Një person i moshuar me inicialet A.B, u shpreh për gazetën se: “Për marrjen e kartelës së pensionit duhet të vish disa herë dhe nuk të japin sqarime punonjësit se përse nuk e nxirin kartelën”. Të moshuarit tregojnë se është e qëllimshme sorollatja e tyre nëpër zyrat e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, për marrjen e ndonjë përgjigje për problemet që kanë për pensionet. A.L, tregon se: “Kur vjen këtu për të marrë sqarime punonjësit të kalojnë tek njëri tjetri dhe të bëjnë si top ping-pongu, dhe nuk mbaron punë në këto zyra. Këtu duket se nuk njihet ligji, pasi as për një problem nuk mund të mbarosh punë në afatin e caktuar”
    Afati për marrjen e një kartele është 60 ditë, por ekziston vetëm në letra
    Sipas afatit ligjor një kartelë do maksimalja 60 ditë kohë për të kaluar të gjitha procedurat e nevojshme. Pas 60 ditësh ajo duhet që të jetë e gatshme për qytetarin. Ndërkohë që ky afat as që bëhet fjalë që të zbatohet nga punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Afati që nga fillimi i procedurave për nxjerrjen e një kartele pensioni në këtë drejtori sipas pensionistëve e kalon kufirin ligjor prej 60 ditësh. Afatet për marrjen e një kartele sipas të moshuarve shkon me muaj madje nuk përjashtohen rastet që të shkojë edhe me vite. Kjo është një nga afatet kohore më “normale” thonë të moshuarit, pasi ka raste sipas tyre që afati e kalon edhe një vit. Këto vonesa vijnë për shkak të pengesave të panevojshme dhe nga paaftësia e punonjësve të këtij institucioni.
    Ja si punohet më dy standarde për raste të njëjta
    Afatet ligjore duket se nuk gjejnë aspak vend për t’u zbatuar në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, por përveç kësaj faktet flasin se aty punohet edhe me dy standarde për raste gati të njëjta. Një rast i tillë ka ndodhur në zyrat e kësaj drejtorie. Në lidhje me trajtimin me dy standarde flet për “Telegraf”, një pensionist i quajtur Nazif Kurti. Ai tregon se ka punuar 41 vjet mësues matematike dhe në muajin shtator ka mbushur moshën për të dalë në pension dhe ka dorëzuar dokumentet së bashku me një shokun e tij në të njëjtën kohë. Sipas rrjedhës kronologjike zoti Nazif shprehet se: “I dorëzova dokumentet së bashku me një shokun tim dhe pas disa javësh ai mori pensionin, sepse njihte dikë atje, ndërsa unë nuk e mora sepse nuk kisha njeri atje. Dhe unë kam që nga muaji shtator deri tani që jemi në janar që nuk më ka dalë libreza e pensionit”. Ai ka shkuar disa herë për të folur me punonjësit, por ato i kanë thënë që eja pas disa ditësh, herë tjetër i thonë që nuk po e gjejmë dosjen tendë, e të tilla si këto. “Nuk e di si do shkojë kjo punë, por unë e kam të nevojshme që të marr paratë e pensionit që më takojnë, nuk kam mundësi që të sorollatem nëpër zyra çdo ditë. Por ajo që më çudit është se nuk kam as probleme me dokumentet asgjë. Thjesht më thonë eja tani eja pastaj dhe unë nuk po kuptoj asgjë” shprehet zoti Nazif.

    Ankesat bëhen, por ankesat nuk dëgjohen
    Në lidhje me ankesat pensionistët shprehen se nuk i dëgjon njeri fare. “Kemi bërë ankesa nuk na dëgjon njeri, as që i marrin fare parasysh ankesat tona” shprehet një zonjë që interesohej për marrjen e kartelës së pensionit. Të moshuarit theksojnë se kemi bërë ankesa por nuk do t’ja dijë njeri fare, madje as na presin për ankesat që kemi. Ata shprehen se: “E para nuk bëhet pritja në sektorët përkatës. Por i kanë grumbulluar tek nëndrejtoresha të gjithë personat që vijnë për ankesa. Ajo nuk i sqaron njerëzit se kur do i presë për problemin që ato kanë. Nëndrejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ikën dhe nuk lë një orar se kur do të vijë sërish në zyrë”, shprehet H.A