Punësimet katastrofike në Administratën Publike

781
Katër ditë më parë, OSBE “vulosi” një raport përfundimtar në lidhje me rekrutimet në administratën publike në Shqipëri. Pas një “hetimi” disa mujor, në bashkëveprim me institucionet kontrolluese e ligj-zbatuese shqiptare, u zbulua e vërteta e “cilësisë, pastërtisë dhe përbërjes nepotike” të personave që janë punësuar në administratën shtetërore e në shërbimet publike, duke nisur nga zyrat e larta të shtetit e deri në zyrat fundore të pushtetit lokal dhe të sektorëve të shërbimeve shtetërore. Nuk është fjala për punonjësit fundor të shërbimeve bazë si mësuesit, infermierët, mjekët, elektricistët, sanitarët, rojet etj, por për doganierët, policët, për nëpunësit e shërbimit diplomatik, të tatimeve, të ushtrisë dhe për drejtuesit e sektorëve e të institucioneve të shtetit në çdo nivel të administratës, të cilët kanë në dorë zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë “filtër” kanë kaluar edhe drejtorë të lartë të ministrive, drejtorë rajonalë, zv/ministra, ministra, drejtues të lartë policie, shefa ushtrie, arsimi, shëndetësie, dogane, tatimesh, inspektoratesh të larta, portesh, aeroportesh, financash, ujësjellësish, diplomatë të çdo rangu që shërbejnë në selitë diplomatike në botë e në administratën qendrore në Ministrinë e Jashtme Shqiptare!

 Të dhënat që përmban raporti “special”, i cili do të dërgohet KiE si “notë vlerësuese” për integrimin e Shqipërisë në BE, bëjnë me dije një skandal të rëndë e tronditës në lidhje me “profilin” e nëpunësve dhe drejtuesve të administratës publike shqiptare, numri i të cilës tejkalon shifrën totale 98 mijë! Sipas fakteve të evidentuara në dosjet e rekrutim-punësimit të nëpunësve, rezulton se në përqindjen më të madhe, pranimi i tyre në zyrat e shtetit është bërë në shkelje të plotë të ligjit, vendimeve dhe urdhëresave e udhëzimeve për rekrutim-punësimet në administratë e në shërbimet publike. Sipas raportit që OSBE e ka në sirtar dhe do ta çoj në tavolinën e KiE, rezulton se 70% e atyre që “kapardisen” në administratën e lartë e të ulët publike, janë punësuar në kundërshtim të plotë me ligjin, me Kodin e Punës e madje edhe në kundërshtim flagrant e të qëllimshëm me Ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil. Praktika e pranimit dhe rekrutimit të tyre në administratë e në shërbimet publike është bërë duke shkelur e shpërfillur plotësisht procedurat përkatëse, të detyrueshme për zbatim! Në këtë skandal abuzimi me emërimet dhe rekrutimet në administratë përfshihen edhe ata që fshihen pas gjoja termit “post përfaqësimi politik”, ku bëjnë pjesë ministrat, zv/ministrat, ambasadorët, drejtorët e lartë në qeverisjen qendrore dhe prefektët, madje edhe zv/kryetarët e bashkive, zv/prefektët etj, të cilët emërohen me lista të “pjesës së pushtetit” që kanë partitë politike në koalicion. Pikërisht këta, përpara se të emërohen e punësohen në zyrat e shtetit, apo si drejtues bordesh e administratorë në krye të shërbimeve dhe enteve publike, nuk kalojnë në “filtër”, nuk i nënshtrohen zbatimit të ligjit, verifikimit të figurës morale e ligjore dhe punësimit sipas Kodit të Punës, por bëhen ministra, drejtor, zv/ministra, shefa policie, dogane, tatimesh, arsimi, shëndetësie, portesh, aeroportesh, kufiri, ushtrie etj., me “1 copë letër” të firmosur nga shefi i partisë deh deputetët me influencë në qendër, në qark, apo në rreth! 


Çfarë ka ndodhur? U trumbetua me të madhe se do të krijohej një administratë e “rilindur” deri tek sanitaret dhe dezhurnët e institucioneve. U bënë edhe ligje, VKM, u nxorën urdhra e udhëzime për pranime në administratën publike vetëm me konkurse. U bënë përbetime nga krerët e pushtetit, për pastrim të zyrave nga të paaftët, të korruptuarit, nga nepotizmi dhe të përjetshmit e zyrave! Pati një stuhi largimesh, por ato në 80% të rasteve rezultuan se ishin largime politike, të konfirmuara këto nga vendimet e Gjykatës Administrative, që i ka cilësuar si “shkelje të Kodit të Punës”! A u bënë konkurse? A u emëruan, u punësuan e u rekrutuan ata që plotësojnë kriteret, për të qenë pjesë e administratës? A u zbatuan procedurat në emërime, punësime e rekrutimet me konkurs? A ka punësime nepotike të bëra gjoja me konkurs? Raporti që do çohet në KiE, evidenton të dhëna tronditëse në lidhje me cilësinë, pastërtinë e madje edhe ne përbërjen nepotike të administratës, aq sa ka fakte që në 3-5 poste të larta drejtuese institucionesh e shërbimesh kryesore publike, janë emëruar si drejtues pjesëtarë të një familjeje e një krushqie si babai, nëna, djali, vajza, motra, vëllai, kuanti, bashkëshortët, kunetërit e dhëndurët dhe kjo rrjet nepotike konstatohet edhe brenda një ministrie, ambasade, sektori transporti, rrugësh, dogane, policie, tatimesh, arsimi, shëndetësie etj. Raporti e konsideron skandal dhe e detyron si veprim të menjëhershëm që duhet bërë nga qeveria e shtetit shqiptar, që të pastrohet “profili” aktual i administratës shqiptare që ka si përbërje 70% të punësuar jashtë ligjit, 40% me “damkë” ligjore dhe 55% me lidhje familjare edhe brenda një certifikate të gjendjes civile! 
———————————— 
Mjaft, shqiptarët i keni çuar në greminë!
Bardhyl Berberi
Sot kryebiseda e ditës në të gjitha ambientet ka qenë “ bomba” që lëshoi Berisha, për t’u armatosur i gjithë populli. Tek tregu i madh i qytetit përballë ndodhet edhe pavijoni i rrobave të përdorura që siç njihet me gjuhën popullore Gabi. Njëri prej shitësve të tyre më tha; – Do të shkoj në Gjermani dhe do të marr rroba të zeza ashtu si në 1997- Pse i thashë unë? – Si pse e dëgjove komandantin e PD do të armatosemi të gjithë dhe do t’ia futim njëri-tjetrit me kallash e gjithë Shqipëria do të vishet me të zeza. Kjo është një kobë që shoqërohet me këngën e kukuvajkave! Një thirrje e çartur që padyshim na çon sa më afër greminës dhe humbasim edhe atë pak shpresë që na kishte mbetur se një ditë do të bëhemi. Tashmë për shqiptarët kanë ngelur vetëm dy pole gremina dhe tuneli asnjë alternativë tjetër. Fjala e Berishës në parlament ka qenë si një rrufe në qiell të kthjellët… Çfarë prisnin shqiptarët të diskutohej në parlament dhe çfarë na serviri politika jonë dështake. Një greminë që shqiptarët e kanë provuar në 1997 e kanë provuar me tragjedinë e Gërdecit dhe me 21 janarin ku vlaga e gjakut ende nuk është tharë nga katër të pafajshëm. Shqiptarët janë shumë të mërzitur. Ata kanë nevojë për intelektualë, atdhetarë të devotshëm jo njerëz me aftësi ngacmuese që nxitin destabilizim në vendin dhe kombin e tyre, mbjellin terror dhe çorientojnë krejt situatën duke i lënë dhe të huajt të ngelën të shtangur përpara këtyre burracëve që të tjera premtojnë dhe të tjera bëjnë. Ata po bëjnë gjëra që nuk ju takojnë, nxitës dhe intrigantë që po e çojnë gjithçka në tehun e briskut. Kjo për arsye se shqiptarët ndjejnë atë që ndodh dhe shohin atë që bëjnë të tjerët, por kanë ndijimin se janë në agoni. Kokëfortësia e Kryeministrit shqiptar që fantazon se është zëdhënës i BE-së. i fut hundët në zgjedhjet e SHBA-së duke ofenduar kandidatin e mundshëm për president. Edi Rama për CNN: “Donald Trump, kërcënim!” Gazetari: “Kujdes po flisni për zgjedhjet e një vendi tjetër”. Detyra e qeveritarëve dhe politikanëve shqiptarë është të kujdesen dhe të luftojnë vetëm për Vendin e vet, vetëm për popullin e vet. Kjo do të thotë, të zvogëlojnë vuajtjet dhe varfërinë e Kombit të cilit i takojnë; të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar; të përpiqen të zvogëlojnë kontradiktat ndërmjet partive brenda vendit ashtu që të mos shkaktojnë luftë civile vëllavrasëse… Kur kontradiktat e brendshme zhvillohen e kthehen në debate përherë e më jorealiste, ose kur ndodhin ngjarje të reja që nuk hyjnë në logjikën e përgjithshme, njerëzit mund të fillojnë të vënë në pikëpyetje të ardhmen e tyre të pasigurtë nga një politikë kaotike. Në këtë rast mendja njerëzore bëhet fushëbetejë e forcave politike që mbjellin pasiguri dhe luhatje në të gjitha drejtimet. Njerëzit po i kap paniku dhe trishtimi, politika është një barometër për të ardhmen e tyre… Tashmë i madh dhe i vogël e ka të qartë se e gjithë kjo tymnajë dhe dalja nga objektivi kryesor që është reforma në drejtësi ka të bëjë me atë që segmente të caktuara në politikën shqiptare e sabotojnë reformën në drejtësi…Tashmë reforma në drejtësi i ngjan pëlhurës së Penelopës që endet ditën dhe prishet natën duke ngelur në vend… Epërsia e një reforme mund të zbatohet kur forcat kryesore politike janë serioze dhe të sinqerta jo të nxjerrin njëmijë e një arsye të kota, vetëm që ta shtyjnë pafundësisht atë… Dhe është një kontingjent politikanësh me duar të pista, që kanë kryer korrupsion dhe krime në kurriz të popullit dhe e dinë që i pret qelia e ftohtë e burgut. Është pikërisht ky takëm që i ka vënë gjoksin sabotimit të reformës në drejtësi, në të kundërt reforma do të ishte miratuar q ë në muajin mars. Realizimi i reformës në drejtësi do ti veri delenxhinjtë me shpatulla pas murit. Qëllimi i saj është promovimi i aftësive, përkushtimit që njerëzit e ndershëm t`i japim kuptim jetës sonë, të kuptojmë të kaluarën tonë dramatike, të bashkuar të luftojmë për vetveten dhe ta presim krahë hapur të ardhmen europiane dhe të ndahemi nga ai takëm politikanësh, të cilët na bëjnë pis, ashtu siç thotë populli, “ Të ndahet gruri nga egjëri”. 
Sigal