Pse Peleshi dashurohet me pazarin e Korçës në çdo prag zgjedhjesh vendore

583
KORÇË- Ditën e hënë Peleshi u pa te Pazari i Korçës. Nuk është hera e parë që ndodh kështu. Sa herë që afrojnë zgjedhjet për pushtetin vendor, Peleshi, (edhe kur ishte kryetar bashkie), e bënte një ndalesë të posaçme te pazari i Korçës, e pas kësaj edhe një vizitë te myftiu i Korçës Haxhi Qazim Muçi, tashmë edhe (si zëvendëskryeministër), Peleshi nuk harroi ta kryejë ritualin e tij, shfaqjen te pazari i Korçës, veçse kësaj radhe nuk shkoi të Myftiu, ndoshta e ka lënë më vonë. Me këtë gjë përpiqet të tregojë sa shumë i përkushtuar ka qenë dhe mbetet ndaj kësaj pjese të vjetër të Korçës ose e shprehur ndryshe ndaj qytetit real të Korçës nga nisi qytetërimi, emri “ Paris i Vogël”, mirëqenia ekonomike, fama dhe lavdia, që e trashëgon tashmë edhe Korça e sotme. Madje, Peleshi, me të vënë këmbën te pazari i Korçës, themelet e të cilit u hodhën 500 vjet më parë nga themeluesi i saj Iljaz bej Mirahori, tha: “Pazari është pengu im”. Dhe për të treguar “pengun” e tij ai shpjegoi se me t’u bërë zëvendëskryeministër gjithë vëmendja e tij ishte përqendruar te projektet për rikonstruktimin dhe restaurimin e pazarit. Por sa i besueshëm është ish-kryebashkiaku i djeshëm dhe zëvendëskryeministri i sotëm, Niko Peleshi, kur shprehet për “pengje”, pasi shumëkush ka mendimin se ishte Peleshi ai që tentoi shkatërrimin e pazarit të famshëm të Korcës, duke thirrur në ndihmë për këtë qëllim studio të dyshimta greke.
Shkatërrimi i pazarit
Sigurisht, tashmë, kjo e vërtetë është e njohur nga të gjithë. Ndoshta tentativa e shkatërrimit të pazarit nga studiot e dyshimta greke, nuk do të ishte zbuluar kurrë ndonjëherë, nëse të martën e 8 shtatorit 2010, nuk do të kishte ndodhur një debat i ashpër mes drejtuesve të bashkisë Korçë, (ku ishte i pranishëm dhe kryetari aktual i Bashkisë Korçës, Sotiraq Filo) dhe ish-Drejtorit të Institutit të Monumenteve të Shqipërisë, Apollon Baçe. Debati kishte në qendër të vëmendjes për restaurimin e pazarit dhe lënien e tij në mëshirë të fatit. Apollon Baçe, vuri në dukje se nuk është e domosdoshme që në çdo rast të thërresim për projektime studio të huaja, sepse, sipas Baçes, “kur vjen një i huaj dhe i thua, dua një grataçielë, ai një grataçielë të bën kur i thua që dua një ndërtesë me dy kate, ai një ndërtesë me dy kate të bën, por kjo gjë nuk mund të tolerohet nga arkitektët e qytetit të Korçës, sepse atyre iu dhëmb. I huaji është një lloj roboti, të cilët i jep këtë kërkese dhe ai realizon atë kërkesë”. Përmes kësaj ligjërate, Baçe dëshironte të tregonte se nga ana e bashkisë, studiove të huaja nuk u ishte kërkuar më e mira 
Studiot e dyshimta greke
Gjithsesi, në vijimin e fjalës së tij, Baçe qartësoi totalisht mendimin e vet, kur tha: “Nuk e di si ta shpjegoj këtë mani, përse ne duhet të marrim gjithnjë studio të huaja dhe nga njëherë jashtëzakonisht të dyshimta, siç ishte ajo, studioja greke, që bëri pazarin e Korçës, që është me të vërtetë një skandal, që nëse do të ishte zbatuar, Korça do të kthehej automatikisht në një nga shembujt më negativë në botë. Dhe kjo do të vinte nga ato stilet rokoko dhe betone që ishin miratuar nga bashkia”. “Mua m’ u desh, tha Baçe, që për këtë gjë të luftoja me zëvendës ambasadorët dhe me ambasadorin e Komisionit Europian, që të ruhej tradita dhe të mos bëhej ajo që është bërë. Si mund të mendohet një Pazar me ngjyra të kuqe, jeshile, blu dhe xhma kudo dhe ndriçime që vijnë nga poshtë. Në një pazar të tillë gjithkujt do t’i dukej vetja sikur është banor i planetit mars apo i ndonjë vendi tjetër. Më vjen shumë keq që nuk ka sensibiltet nga ana e bashkisë për këtë gjë, (pazarin e Korçës) që është qendra e qytetit”, përfundoi Baçe. 
Atëherë, për cilat pengje e ka fjalën Peleshi?
Atëherë për çfarë pengjesh flet z. Niko Peleshi?! A nuk ishte vetë ai që një nga hanet e vjetër të Korçës e shndërroi në një ndërtim modern, gjë që u pa me dyshim nga gjithë banorët e Korçës, madje ndaj këtij akti të Peleshit reaguan edhe hartuesit e projektit për restaurimin e pazarit të Korçës, porosia e të cilëve ishte që ndërtime të tilla jo vetëm të mos lejoheshin, por edhe çdo ndërhyrje tjetër të bëhej nën një kontroll të rreptë. Por a nuk ishte sërish Peleshi ai që nuk bëri të mundur zbatimin e projektit të mbështetur nga Banka e Këshillit te Europës, për ndërtimin fillimisht të 100 apartamenteve dhe më pas edhe të 80 apartamente të tjera, me qëllim strehimin e 180 familjeve rome që ende banojnë në objektet e pazarit të Korçës? Ky projekt duhej të kishte përfunduar që nga viti 2008, por as sot e kësaj dite nuk flitet më për largimin e familjeve rome që mbajnë peng restaurimin e pazarit. Pra a nuk ishte Peleshi ai që la jashtë mundësisë së strehimit edhe 180 familje rome? Atëherë për cilat pengje e ka fjalën Niko Peleshi? Sigurisht, ai do të shkojë sërish te pazari (Korça e vjetër), por me sa shihet nuk ka kurajën të shkojë të myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi, sepse ende nuk ka nisur projekti për ndërtimin e sahatit dhe që nga ajo ditë gënjeshtra e tij po mbush dy mandate plot
Sigal