PS-ja feston të Hënën 22-vjetorin e krijimit dhe fitoren në zgjedhje

412
Sigal

Dy gëzime në një ditë! Kjo shprehje e vjetër popullore do të zërë vend tek socialistët ditën e Hënë, që në një ceremoni zyrtare, do të celebrojnë ditëlindjen e 22 të Partisë Socialiste dhe fitoren e thellë të së majtës në zgjedhjet e 23 Qershorit. Për të gjithë ata që mbetën zemërthyer për mungesën e festës tradicionale në 12 Qershor, Partia Socialiste mbajti premtimin, duke thirrur një festë të veçantë në datën 1 Korrik. Mbrëmja e veçantë do të zhvillohet në hotel “Sheraton” në orën 19:30 dhe tashmë nga zyra e shtypit të PS-së ka nisur shpërndarja e ftesave. “Këtë herë festa e ditëlindjes së Partisë sonë u programua për pas fitores së 23Qershorit dhe do të bëhet në mbrëmjen e të Hënës në 1 Korrik. Me dëshirën për të ndarë me ju kënaqësinë e përvjetorit të Partisë Socialiste, fill pasi shqiptarët na kanë besuar ne dhe aleatëve tanë drejtimin e punëve të vendit, ju ftoj të na nderoni me praninë tuaj”, shkruan Edi Rama në ftesën që mban emrin e tij. Në ceremoni do jenë figurat më të rëndësishme të PS-së,LSI-së, aleatë të tjerë të socialistëve, personalitete të së majtës, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri si dhe përfaqësues të medias. Megjithatë, një ftesë e purpurt e Edi Ramës ka mbërritur edhe në zyrën e kryeministrit në detyrë, Sali Berisha, i cili ende nuk dihet nëse do të festojë së bashku me socialistët ditëlindjen e 22-të të partisë, por mbi të gjitha, fitoren e tyre. Deri më tani, nga 2 palët, është hedhur një hap para, falënderimi i Edi Ramës dhe Sali Berishës në fjalimet respektive, të fitores dhe të humbjes. Mbetet për t’u parë nëse ky gjest i ka hapur rrugë edhe një trokitjeje gotash mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.