Provimi i bluzave të bardha, Prof. dr. Flamur Tartari: A duhet testuar Lili?

    97

    Flet prof. dr. Flamur Tartari : Militantizmi partiak, gangrena e shëndetësisë shqiptare

    A duhen testuar mjekët dhe infermierët tanë? Në një intervistë për “Telegraf”, prof. dr. Flamur Tartari kësaj pyetjeje i përgjigjet me një kundrapyetje: “A duhet testuar Lili?”, duke folur konkretisht për punën e infermiereve dhe mjekëve me një eksperiencë mbi 20-vjeçare në këto profesione. Për prof. Tartarin, shëndetësia ka emergjenca të tjera që kërkojnë vëmendjen e qeverisë. Punësimet partiake janë kthyer në një gangrenë të shëndetësisë shqiptare, në mendimin e tij. “Me militantizëm, shëndetësia nuk mund të ecë përpara”, shprehet dr. Tartari.

    Profesor Tartari, kohët e fundit të gjithë mjekët janë nën presion. E gjithë mjekësia shqiptare po “vlon” rreth testimit që do u bëhet infermierëve dhe mjekëve. Cili është mendimi juaj, a duhet të testohen mjekët?

    Së pari, më lejoni të them dy fjalë për kolegët e mi. Për mua, 49 vjet si kirurg dhe 45 vjet gati si pedagog, mjekët tanë janë heronj, se kanë mbajtur gjallë shëndetësinë shqiptare. Mjeku i eksperiencës sime (mbi 90 % e mjekëve në Shqipëri) ka humbur gjithë rininë e tij, nga mosha 25-35 vjeç, larg familjes e të dashurve të tij, duke qëndruar afër pacientit. Kurse sot, kanë ndryshuar gjërat. Por, është politika që e prish shëndetësinë. Sa herë ndërrohen qeveritë, sjellin idetë, programet dhe politikat e veta në shëndetësi, por fusha e shëndetësisë duhet të jetë vazhdimësi. Kështu, këto ditë ministri i Shëndetësisë Beqja inauguroi sallën e re operatore në shërbimin e kirurgjisë dhe vendosjen e 6 inkubatorëve të rinj në shërbimin e neonatologjisë në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, që është gjë e mirë, se është vazhdimësi. Ishte ish ministri Halim Kosova, që nisi këtë projekt të USAID-it. Dhe kështu duhet, për të ecur përpara. Por, çdo qeveri, çdo parti që vjen në pushtet bën krahasime me qeverinë paraardhëse, në vend që të eci përpara. Ne kemi infermiere dhe mjekë të shkëlqyer, që nuk kanë fare nevojë të testohen sot, se ata kanë një eksperiencë të madhe. Ne mund të testojmë mjekët që janë të rinj, se testimi, për mendimin tim personal, fillon që nga konsultimet e mëngjesit që bën mjeku me të sëmurët, që nga vizita që bën shefi bashkë me mjekët, që me edukimin dhe ngritjen profesionale, që me diskutimet shkencore në klinikat dhe spitalet tona, edhe në ato rajonale dhe klinikat e rretheve. Kë do marrë në provim një ministër, apo një pedagog i ri? Të marrë në provim një infermiere 20-30 vjeçare në profesion, apo një mjek me eksperiencë 30-40 vjeçare? Prandaj, duhet një ligj dhe një rregullore që mjekët dhe infermierët e sapodalë, pasi të fitojnë një eksperiencë 2-3 vjeçare, t’i nënshtrohen një testimi dhe kjo duhet të jetë e vazhdueshme, pavarësisht ndërrimeve të ministrave dhe qeverive sipas përkatësive politike. Tani filloi fobia me testimet, para një viti me kreditet. O burra, të bëjmë pikë sa më shumë (i dhamë dorë grosistëve, kompanive farmaceutike) dhe paguan paret si këtu, edhe në Kosovë, në këmbim të krediteve. Ky është turp, nuk ecet përpara kështu, ne kemi infermierë dhe mjekë shumë të aftë. Kreditimi dhe testimi shkojnë paralel me njëra-tjetrën, janë të pandara. Kreditimi i vazhdueshëm i mjekëve është diskutimi shkencor, pjesëmarrja në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Çfarë do i shërbente mjekësisë sonë, në drejtim të ngritjes profesionale?

    Duhet, në radhë të parë, që shëndetësia të ecë përpara me dashamirësi dhe investime, jo me slogane politike. Politikën duhet ta lejmë mënjanë. Quhet politikë e mirë, atëherë kur shëndeti i popullit ecën mirë. Dua të ngre këtu, edhe një shqetësim tjetër që e kam ngritur gjithmonë dhe do vazhdoj ta ngre në drejtim të ministrit Beqja. Unë e kam mik ministrin, e vlerësoj si njeri të mirë, vjen nga një familje e mirë, por më shqetëson fakti që ministri ynë i Shëndetësisë nuk vjen në konferencat tona kombëtare ose ndërkombëtare (ai dhe ekipi i tij, shembujt janë të shumtë), ku bëhet debati shkencor ndërmjet mjekëve dhe infermierëve të cilët japin përvojën e tyre (a është kjo një testim për ta?). Për të është më mirë të shkojë në një inaugurim dhe të presë shirita për ndonjë aparaturë të thjeshtë, sesa të jetë prezent në ndonjë konferencë ndërkombëtare, ku vijnë profesorë të huaj. Ka axhendë do thoni ju. Axhenda është tjetër gjë, dashamirësia tjetër gjë dhe tjetër gjë paraqitja në ndonjë konferencë ndërkombëtare, për një zhvillim të shëndetësisë sonë nëse vjen. (Nëpërmjet referateve dhe debateve në konferenca del qartë se ku është niveli i shëndetësisë sonë dhe dijet e mjekëve. Me pjesëmarrjen e tij ose të stafit të tij ai orientohet dhe vë diagnozën, për të marrë pastaj masat e duhura) Dhe ato bëhen të shumta dhe në Shqipëri bëhen pa ndonjë investim dhe sponsorizim nga shteti, bëhen vetëm nga dëshira dhe etja që këta mjekë kanë për t’u ngritur nga ana profesionale dhe për të paraqitur punën e tyre dhe kjo na lavdëron. Të gjitha këto konferenca organizohen nga shoqatat e disiplinave përkatëse të mjekësisë. Që Konferencat shkencore të ndiqen nga mjekët dhe infermierët e gjithë Shqipërisë, në mënyrë që të përfitojnë nga ana shkencore dhe përvoja e më të vjetërve, duhet bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, drejtorisë së QSUT-së, spitaleve rajonale dhe shoqatave mjekësore përkatëse.

    A ndryshon autoriteti vendimmarrës i ditëve të sotme në shëndetësi, nga ajo e para viteve ‘90?

    Kush do i marrë sot në provim mjekët dhe infermierët? Është krijuar një fobi e madhe në radhët e bluzave të bardha. Në fakt, çdo ditë mjekët dhe infermierët merren në provim, testohen. Para viteve ‘90 ka pasur mjekë dhe profesorë të shquar. Nuk e them për nostalgji këtë, por sistemi i atëhershëm bëri që profesorë të shquar kishin dhe kolegjiumin e profesorëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, për çdo gjë që bëhej, vendimi merrej nëpërmjet kolegjiumit. Ndërsa, ne kemi militantizmin, na mbyti militantizmi, sëmundja më e rëndë në shëndetësi këto 25 vjet. Prandaj s’kemi për të ecur në Shqipëri, se çdo militant i partive në pushtet futet në punë. Nuk ka vlerë ta udhëheqë Qendrën Spitalore Universitare një grua, që mund të jetë shumë e mirë, por ajo nuk është e aftë të udhëheqë gjithë atë profesorat, gjithë atë punë shkencore në QSUT. Është turp kush ta marrë vesh. Pse? Se e ka vënë partia. S’ka punë militantizmi, QSUT është më shumë se Ministria e Shëndetësisë. QSUT ka shumë probleme, nuk është problemi kryesor me heq kioskat në spitale, puna është t’i shërbesh njeriut, duke filluar me studentët. QSUT nuk është për të bërë politikën e një partie të caktuar, politika më e mirë është që t’i shërbehet, të diagnostikohet mirë dhe të shërohet i sëmuri. Urgjenca e QSUT-së është pasqyra e një spitali. Në këtë urgjencë paraqiten raste të vështira nga i gjithë vendi, ndaj dhe në çdo kohë duhet të ketë mjekë dhe infermierë me përvojë dhe me ndërgjegje të lartë.

    Le të rikthehemi te testimi….

    Testimi nuk bëhet kështu. Ministri një ditë thotë që do i marrim në testim dhe të paaftët do largohen nga puna, ndërsa ditën tjetër tha se do i marrim në testim, por nuk do i heqim nga puna. Atëherë, për çfarë bëhet ky testim? Nga përvoja ime gjysmëshekullore në mjekësi: mjekët e njohin mirë njëri-tjetrin, edhe shefat i njohin mirë mjekët e tyre dhe i testojnë përditë (puna e mjekëve dhe infermierëve është testim). Për mjekët përgjigjen shefat e shërbimeve, të cilët çdo vit në bazë të vëzhgimeve dhe testimeve të tyre duhet të bëjnë karakteristikën përkatëse, jo militante, në drejtim të aftësisë tekniko-profesionale.

    Pra, profesor mesa kuptoj ju jeni në krah të mjekëve dhe infermierëve…

    Po, është e vërtetë dhe për këtë po ju jap një shembull konkret. Më kujtohet në vitin ’94 vjen një grup i personelit të mesëm nga Amerika në spitalin dhe në pavionin tonë për të shkëmbyer eksperiencë dhe për të punuar bashkë me personelin tonë për atë kohë që do qëndronin. Një nga ata infermierë bashkë me personelin tonë ishte caktuar të punonte në Reanimacion për të bërë injeksione. Konstatova dhe u habita, që infermieri amerikan e kishte të vështirë të bënte injeksionin në venë, gjë që nuk e arriti dot ta kryejë në ato momente, ndoshta edhe nga emocioni. Unë i thirra Lilit dhe i kërkova që të vazhdojë punën, të cilën e bëri brenda disa sekondash, duke e gjetur venën pa vështirësi. A duhet testuar Lili?

    Profesor, kush është Lili?

    Lili është një infermieria jonë e vjetër, e cila së bashku me shoqet e saj na ka nxjerrë gjithmonë nga sikleti në gjetjen e venave. Si Lili në Shqipëri janë më qindra dhe mijëra infermierë që kanë punuar dhe punojnë me ndërgjegje, duke shpëtuar jetë njerëzish, (sidomos një respekt të madh kam për infermieret e Pediatrisë), që për mua nuk kanë nevojë të testohen.

    Ledjana Saliu

    (vijon numrin e ardhshëm)

     Nesër do të lexoni:

    Koncesioni i shërbimeve shëndetësore

    Barnat e rimbursuara

    Si duhet të veprohet me specializimet në mjekësi

    Spitalet rajonale pa mjekë të specialiteteve

    Largimi i mjekëve drejt Europës