Protestuesit: Në Orikum vepron ligji i xhunglës

    492
    Sigal

    Pronat/Flasin për “Telegraf”, Gëzim Capo, Kryetari i Bashkisë Orikum, Rrapo Danushi dhe banorët e Orikumit

    Rikthehet sërish çështja e pronave në Bashkinë e Orikumit. E lënë në heshtje për disa kohë dhe e premtuar për disa herë për zgjidhje, ajo sërish ka nxjerrë në rrugë banorët e Orikumit dhe Dukatit. Prej katër vjetësh, banorët e Orikumit kanë protestuar për certifikimin e rreth 450 hektarëve toke bujqësore që kanë në përdorim prej vitesh. Situata në qytetin bregdetar u tensionua tre vjet e gjysmë më parë, pas nisjes së punimeve për një bllok banimi. Kështu prej dy ditësh dhjetëra banorë dhe ish-punëtorë të Ndërmarrjes Bujqësore të Orikumit janë mbledhur sërish përpara Bashkisë për të protestuar lidhur me çështjen e tokave që sipas tyre ende nuk ka marrë një zgjidhje. Të irrituar para Bashkisë, protestuesit i kanë bërë thirrje kryetarit të Bashkisë, Gëzim Capo që të ruajë pronat e tyre, në rast të kundërt protesta e tyre do të përshkallëzohet dhe do marrë një shtrirje më të madhe. Prej vitesh, shprehen ata, nuk është zgjidhur çështja e pronës dhe me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste ata besojnë se do të ketë një drejtim për këtë problem. Sipas banorëve, ka qenë vetë kreu i PS-së, Edi Rama, i cili në takimet elektorale të tyre u ka premtuar banorëve zgjidhjen e çështjes së pronave. Për vite me radhë, shumë ndërtime janë paralizuar në zonë pasi banorët, të cilët disponojnë pronën në bazë të ligjit 7501 nuk i njohin pronarët e vjetër nëse nuk shpronësohet një prej palëve. Protestat e banorëve të Orikumit për pronën, janë shoqëruar thuajse çdo herë me dhunë dhe përleshje me policinë. Për këtë problem, gazeta “Telegraf” kontaktoi me një nga protestuesit, i cili i irrituar tregon se gjithmonë “është kamufluar e vërteta për pronat e Orikumit, kjo për shkak të ligjit të xhunglës, ku i forti e ha më të dobëtin”. Kurse z. Rrapo Danushi, kryetar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, në mendimin e tij si qytetar i thjeshtë, shprehet se “titulli i pronësisë” duhet respektuar, qoftë edhe nga ligji i gabuar, siç është ai i 7501-it. Ndërsa protesta dhe shumë zëra i drejtohen pikërisht kryetarit të Bashkisë së Orikumit Gëzim Capo, ai nga ana  e tij në prononcimin për “Telegraf” shprehet se “ne si bashki gjithmonë kemi pasur përplasje me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për mbivendosjet e pronave që janë bërë në Orikum”.

    Banor i Orikumit

    Banorët kërkojnë thjesht zbatimin e ligjit 7501. Ky është një problem që herë pas here del në shesh, për shkak se këtu tek ne ka mbivendosje pronash. “Kuvendi i Dukatit” kërkon dhënien e certifikatës së pronësisë në Karaburun për tokën kullotë, të cilën e kanë fituar me vendim gjykate, por që nuk jepet nga shteti. Nga ana tjetër është dhe “Shoqata e Ruajtjes së Tokës Bujqësore” e krijuar nga fermerët, të cilëve vetë Edi Rama u premtoi certifikatën e pronësisë në rast fitoreje. Këtu veprohet me dy standarde, pasi këtu vepron ligji i xhunglës. Këtu ka kamuflim të së vërtetës, kryetari i Bashkisë nuk dihet se kë favorizon.

    Rrapo Danushi, kryetar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

    Në fermën e Orikumit, në periferi të Vlorës, banorët kanë marrë tokat me ligjin 7501. “Agallarët” e rinj, që për mua nuk janë as ish-pronarët dhe as pronarët e rinj të 7501, por grupe interesi, bien në ujdi me kryetarin e Bashkisë dhe bëjnë ndërtime. Kjo nuk është e drejtë, sepse ata janë pronarë të ligjshëm sipas  ligjit 7501. Edhe pse unë përfaqësoj ish-pronarët dhe nuk jam dakord me ligjin 7501, prapë para ligjit ata janë pronarët e tokës. Në të vërtetë këto probleme priteshin. Sali Berisha nuk e dëgjoi zërin tonë kur i thamë që të shpërndante tokat shtetërore dhe jo të pronarëve, se shteti ka më shumë toka se ne. Para zgjedhjeve ndaluan ndërtimet, ndërsa tani filluan prapë, pra kuptohet që premtimi i kryetarit të Bashkisë Orikum ka qenë premtim elektoral. Ky është mohimi i së drejtës së pronës siç na e kanë mohuar neve pronën, kështu po veprojnë dhe me pronarët e tokave të 7501. Ky është një lëmsh që duhet zhbërë, ndërkohë që ne ish-pronarët nuk kemi marrë asnjë lekë kompensimi për tokat e ndara me 7501.

    Gëzim Capo, Kryetari i Bashkisë Orikum

    Është bërë një lëmsh me tokat në Orikum. Për të njëjtat toka ka mbi dy pronarë, në rastin më të mirë ka 2. Të gjitha palët vijnë me karta të rregullta nga shteti, pra janë ata me ligjin 7501, ka nga ata që vijnë me letra të rregullta nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ka nga ata që vijnë me letra për kompensim. Ne si bashki gjithmonë kemi pasur përplasje me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për këto mbivendosje. Kjo ndodh, sepse kemi vetëm një institucion të tillë, që është në Tiranë dhe merret me pronat e gjithë vendit, pa njohur sidomos problematikën e zonës. Informacionet e shkëmbyera me Agjencinë e Kthimit të Pronave kanë qenë të njëanshme, vetëm nga ne. Sigurisht që ka abuzime, veçanërisht me pronat publike. Institucioni i Bashkisë është munduar që në çdo rast të zbatojë ligjin, Kushtetutën e Shqipërisë, por ne nuk duhet të harrojmë që me vendime gjyqesh, apo me udhëzime apo ligje të posaçme, shpeshherë është amenduar ligji 7501 për interesa qarqesh të ndryshme, por më pas del një tjetër ligj, i cili anulon paraardhësin dhe kështu ne gjendemi në kaos. Ne nuk mund të bëhemi palë me askënd, përveçse me të drejtën, me ligjin. Shteti duhet ta zgjidhë sa më shpejt këtë problem madhor të pronave.