Protesta e PD në ditën e gjashtë, ngrihet flamuri kombëtar në çadër/ Çfarë pritet të ndodhë tjetër

429
Prej gjashtë ditësh opozita vijon protestën në çadrën e ngritur pranë godinës së Kryeministrisë. Para seancës së sotme plenare, që do të bojkotohet nga opozita, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi se grupi parlamentar demokrat do ta zhvillojë seancën parlamentare në çadrën e protestës.

Mëngjesin e sotëm, pranë çadrës së protestuesve u ngrit edhe flamuri kuqezi nën ritmin e Himnit Kombëtar.

Përmes një deklarate për shtyp mbrëmjen e së mërkurës, Basha ftoi gjithë deputetët e Kuvendit, përfshi dhe ata të majtë, që t’i bashkohen çadrës sot dhe të mos shkojnë në seancën plenare.

“Në këtë tendë, do të nisë punimet Parlamenti i ri shqiptar. Nga kjo tendë, ftoj çdo deputet jo të lidhur me krimin, pa rekorde kriminale, që të vijë në këtë aulë të vërtetë të demokracisë, ky është parlamenti shqiptar, thuhet ne deklaraten e kreut te PD-së”, tha Basha.

“Grupi Parlamentar i PD do ta bëjë seancën parlamentare këtu, me qytetarët. Deputetët e opozitës do të jenë të gjithë këtu. Këtu është vendi për çdo deputet tjetër të majtë që nuk është i lidhur me krimin që nuk i ka borxh këtij populli, i siguroj se qytetarët do t’i respektojnë nëse vendosin të jenë pjesë e këtij Parlamenti të vërtetë. Të vetmit që nuk janë të ftuar në këtë tendë të mos u shkojë mendja t’i afrohen këtij parlamenti popullor janë 19 deputetët me rekordet kriminale. Ata nuk kanë vend këtu dhe atje ku janë do t’i nxjerrim së shpejti”, shprehet Basha në deklaratë.
Sigal