Protesta e ish të përndjekurve: Njësoj si 2 vjet më parë, protesta jonë për marrjen e dëmshpërblimit

    465
    Sigal

     Blloshmi: Të hiqet afati që kufizon aplikimet për të përfituar dëmshpërblim

    Ish-të përndjekurit politikë nisën dje një tjetër protestë përballë Parlamentit, ndërsa paralajmëruan grevë urie 24-orëshe në rast se ata nuk takohen me ministrin e Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ose me kryeministrin Edi Rama. Protesta u paralajmërua dhe 2 javë më parë nga ish-të përndjekurit, të cilët deklaruan se po bëhet një shpërndarje e padrejtë e kësteve nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ata kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria, ndërsa janë shprehur se nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, do të përshkallëzojnë protestat. Ish të përndjekurit që morën pjesë në protestë nuk janë lejuar nga gardhi i efektivëve të policisë, t’i afrohen parlamentit. Ndonëse nuk është përdorur asnjë mjet force, protestuesit kanë transferuar protestën e tyre para Institutit të të Përndjekurve Politikë. “Kjo është një protestë paqësore e një grupi ish të përndjekurit, të cilët edhe para dy viteve, dhe pas dy viteve protestojnë për marrjen e dëmshpërblimit”, shprehet për mediat një nga ish të përndjekurit. Ata kanë theksuar se në listat që janë publikuar nga MMSR, një pjesë e përfituesve kanë vdekur tashmë.

    Listat

    Deri më tani Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka publikuar dy lista përfituesish. Në të parën renditeshin 44 ish të përndjekur që do të merrnin paratë, ndërsa në të dytën 106. Ndërkaq, për vitin 2014 qeveria ka miratuar një fond prej 18 milionë dollarë, i cili do t’u shpërndahet ish-të përndjekurve të shpallur fitues me Vendim të Këshillit të Ministrave.

     Intervista me z Bedri Blloshmi, drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë

     Në lidhje me protestën e djeshme të ish të përndjekurve politikë është shprehur për “Telegraf”, z Bedri Blloshmi, drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë. Sipas Blloshmit, bashkëvuajtësit e tij po bëhen pre e personave që s’kanë asnjë lidhje me ish të persekutuarit. Blloshmi u jep të drejtë atyre të cilët kanë ngelur jashtë dëmshpërblimit për shkak të afateve që ka pasur Ligji i Dëmshpërblimeve, që përcaktonte se nga 18 dhjetori 2007 – korrik 2009 ishte afati i aplikimit për të përfituar dëmshpërblimin. Ndërsa shumë prej tyre kanë aplikuar pas korrikut të 2009-s. Drejtori i Institutit të Përndjekurve tregon se një nga kërkesat e tij është pikërisht heqja e afatit të aplikimeve, që dhe ata që kanë aplikuar më vonë të përfitojnë dëmshpërblim.

     Z. Blloshmi pse kjo protestë?

     Është e drejta kujtdo të protestojë, brenda rregullave dhe ligjeve. Por, më vjen keq që shokët dhe bashkëvuajtësit e mi bëhen pre e personave që s’kanë lidhje fare me statusin e tyre. Pra nuk kanë bërë asnjë ditë burg politik apo internim. Çfarë dëmshpërblimi kërkon ky person? Dua të theksoj që shumë prej tyre, të cilëve unë ua di hallin, bëjnë mirë që kërkojnë të drejtat e tyre dhe i mbështes ata deri në fund. Por duhet gjithashtu të thonë se problemi i tyre është se kanë paraqitur dokumentacionin jashtë afatit të aplikimeve për dëmshpërblim, sipas ligjit që e parashikonte deri në korrik të vitit 2009. Unë i kam kërkuar Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Veliaj që të procedojnë sa më shpejt dhe të hiqet afati që kufizon aplikimet, në mënyrë që të përfitojnë dhe ata si gjithë të tjerët.

     Ju sapo vini nga një takim në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë?

     Sapo erdha nga një takim që pata me ministrin Veliaj. Ministri më siguroi se po punojnë për të përshpejtuar procedurat dhe besoj se nga java tjetër do të dalë një listë e re me emrat e përfituesve.

     Sa do të jetë numri i ish të përndjekurve që përfitojnë dëmshpërblim?

     Mendoj se mbi 100 emra. Por gjithashtu Instituti ka përgatitur edhe një listë me emrat e  ish të përndjekurve të sëmurë, apo që janë në gjendje të rëndë në shtrat. Janë mbi 40 e ca emra që së shpejti dhe këta do të përfitojnë dëmshpërblime jashtë radhe, për vetë gjendjen e rëndë shëndetësore të tyre. I kam kërkuar ministrit Veliaj që të gjendet një klauzolë për ata ish të burgosur që janë dënuar me Nenin e Terrorit. Gjithashtu kam kërkuar të përfitojnë dëmshpërblim edhe ata që kanë qenë të internuar në Tepelenë dhe Berat. Ministri më ka premtuar që brenda ligjit, do i shohë me përparësi të gjitha kërkesat tona.

     A ka ndonjë problem tjetër që shqetëson ish të përndjekurit?

     I kam kërkuar takim Ministres së Arsimit dhe s’më ka pritur. Kërkesa ime është që të firmosë listën me emrat e fëmijëve të ish të persekutuarve që vazhdojnë universitetet publike, të cilët sipas statusit që gëzojnë përjashtohen nga tarifat e shkollimit. Ata nuk po futen dot në provime, sepse i kërkojnë të paguajnë tarifën e shkollimit, që sipas ligjit ata kanë përfitimet e tyre. Kam pasur shumë ankesa nga vetë studentët, por edhe nga prindërit e tyre të cilët më kanë vënë në dijeni se do të dalin në protesta që po na mohojnë të drejtat dhe beneficet që përfitojmë nga statusi i të përndjekurit. Ndërkohë që edhe pak ka mbetur nga ky vit akademik.

    Veliaj: Brenda Majit ndryshimet në ligj; të përndjekurit që janë gjallë do të paguhen të parët

     Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, deklaroi dje në Kuvendin e Shqipërisë se brenda muajit maj do të jenë gati ndryshimet në ligjin për ish të përndjekurit politikë, në mënyrë që fillimisht të përfitojnë ata që janë gjallë. Duke iu referuar protestës së ish të përndjekurve ministri Veliaj u shpreh, drejtuar deputetëve të PD-së,  se “të bësh grevë, ku veç atyre që me të drejtë merrnin pjesë, ishte edhe organizatori që nuk ka bërë asnjë ditë burg. Në fakt, ai është pronari që ju, me të padrejtë, i keni dhënë një pjesë të zyrave tek Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë. Madje, i keni dhënë edhe tre dyqane tek po e njëjta rrugë, nën atë ndërtesë, i cili u diskretitua nga ish të përndjekurit e vërtetë. Një nga arsyet pse nuk ka një protestë origjinale është se ju mundoheni t’i politizoni, t’i përçani dhe t’i përdorni”. bëri publike edhe përpjekjet që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave, po bëjnë për të dëmshpërblyer këtë shtresë të shoqërisë e cila vuajti në burgjet e komunizmit. Z. Veliaj theksoi se propozimet për ndryshimin e ligjit do të jenë gati brenda datës 20 maj dhe kanë për qëllim që të japin përparësi në trajtimin e ish të dënuarve që janë gjallë, duke u dhënë përparësi atyre në moshë më madhore. Ndërkaq, grupi ndërministror i përbërë nga përfaqësues të MMSR-së, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave është aktualisht duke shqyrtuar ndryshimet në kriteret e përfitimit të dëmshpërblimit.

    Reagime e orëve të vona

    Incidenti me ish të përndjekurit, Doda: Personi që më sulmoi i dënuar për përdhunim

     Me ofendime dhe përplasje është pritur nga një pjesë e ish-të përndjekurve politikë, bashkimi i deputetes demokrate Mesila Doda në grevën e urisë që kjo shtresë e shoqërisë paralajmëroi të niste. Ata kanë rikujtuar grevën e tetorit të 2012-ës kur qeveria e atëhershme, tashmë në opozitë, nuk i vizitoi, madje si pasojë e indiferencës së tyre situata degradoi deri në vetëflijimin e ish të përndjekurit Lirak Bejko. Të vendosur në lulishten e Institutit të të Burgosurve Politikë, (përballë Parlamentit), një prej tyre, Asllan Patrioti i është drejtuar Dodës duke i kërkuar të largohet nga protesta dhe të tregojë se çfarë ka bërë qeveria e Berishës në 8 vitet që ishte në pushtet. Deputetja Doda tha se u bashkua në protestë me ftesë të disa prej protestuesve, edhe pse prezenca e saj u kundërshtua nga shumë ish-të përndjekur të tjerë, të cilët i kanë kërkuar të largohet, për të mos e bërë çështjen politike.

    Reagimi në facebook

    Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Dode reagoi në rrjetin social Facebook ndaj personit që e fyeu në protestën e të persekutuarve politikë. Doda publikoi një dokument ku citohet se personi është dënuar për vepra ordinere dhe jo për politikë. Ajo i bëri thirrje të persekutuarve politikë të distancohen nga individë që kanë kryer burg për vepra të rënda penale.

    Erind Rrumbullaku: Ç’bëri PD-ja për të përndjekurit për 8 vjet?

     Një tjetër reagim vjen në rrjetin social nga  z. Erind Rrumbullaku, si kundërpërgjigje e atyre çka deklaroi deputetja e PD-së, Mesila Doda. “E nderuara Doda, realisht jeni për t’u përgëzuar për qëndrimet tuaja dinjitoze ndaj të përndjekurve dhe ndaj diktatorit, por me keqardhje vërejmë se qëndrimi i partisë suaj ndryshon komplet nga ai i juaji, për këtë mjaftojnë 8 vite në qeverisje. Ne 8 vite në pushtet, PD jo vetëm që nuk i përkrahu të përndjekurit, por edhe ndonjë shumë të rrallë që e ka patur në radhët e veta, si deputetë apo drejtorë të caktuar i larguat, ose i latë në detyra të thjeshta administrative, kurse bijtë dhe bijat e ish komunistëve dhe persekutorëve u bënë ministra, deputetë dhe drejtorë të përgjithshëm. Mos harroni, sot në Shqipëri ka rreth 120 mijë familje që kanë qenë të persekutuar nga regjimi diktatorial, nëse do ju kishin votuar kjo shtresë nuk do ishit në opozitë, por ata nuk ju votojnë më, as 20 % e tyre, sepse e panë sesi u soll PD-ja me ta, kur ishte ne pushtet. Gjithashtu vërehet e njëjta sjellje me ta edhe tani nga Kryetari i Bashkisë dhe i PD-së, mjafton të shohësh të dërguarit e tij në rrethe apo koordinatorët e Tiranës, asnjë i persekutuar nuk është, të gjithë janë njerëz me CV korrupsioni, që nuk i do asnjeri”, ka deklaruar Rrumbullaku në facebook.