Propozimi, të hiqen pensionet suplementare. Po fundosin skemën e pensioneve

    416
    Sigal

    Skema e re e pensionit/ Rritja e moshës dhe trajtimet e veçanta për minatorët, ushtarakët, pilotët, policët, nëpunësit, profesorët

    Skema e sigurimeve shoqërore që aplikohet te ne është Pay As You Go, ku brezi që punon, financon përfitimet e brezit që është në pension. Në kohën kur u implementua kjo skemë ishte mjaft efektive dhe i përgjigjej kushteve konkrete ekonomike e demografike të kohës. Pra, numri i punonjësve ishte i konsiderueshëm, ndërsa i përfituesve minimal. Ky sistem shërbeu për një kohë të konsiderueshme, duke funksionuar normal, përderisa kushtet ekonomike dhe demografike pësuan ndryshime thelbësore duke e vënë në vështirësi serioze sistemin. Që kjo skemë të funksionojë normalisht, është i nevojshëm një raport i caktuar i numrit të kontribuuesve, për të financuar një pensionist, që luhatet nga 4 kontribuues për një pensionist apo dhe 3 kontribuues për një pensionist. Si rezultat të ndryshimeve të raportit kontribues-përfitues, 1.2 kontribuues me një përfitues, ku llogariten dhe të vetëpunësuarit në bujqësi, (që paguajnë rreth 30 % të shumës që paguhet në qytet), kjo skemë është në vështirësi dhe po kërkohen rrugët për ndryshimin e saj. Po cilat janë propozimet e deritanishme?

    MOSHA E PENSIONIT

     Nuk do të ketë rritje moshe

    Vetë Kryeministri Rama ka deklaruar se reforma në pensione nuk do të synojë rritjen e moshës së pensionit. Specialistët thonë se “në kushtet e një papunësie të konsiderueshme në vendin tonë, dhe të kthimit të një numri të madh të emigrantëve, si rezultat i krizës ekonomike në Greqi dhe Itali, do ta shtonte ndjeshëm papunësinë dhe sidomos pamundësinë e punësimit të brezit të ri. Po kështu një rritje e moshës për pension, duke marrë në konsideratë që reforma e nisur në vitin 2002, ku mosha u shtua me 5 vite, sapo përfundoi, një rritje tjetër do të përkeqësonte problemet sociale, që edhe pa këtë rritje janë evidente”.

    Barazimi i moshës së pensionit të grave me burrat

    Nga ana tjetër kemi propozimin e ISSH-së për barazimin e moshës së pensionit të grave me burrat. “Diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pleqërie 5 vjet më shpejt se burrat, megjithëse jetëgjatësia e tyre është më e lartë se e burrave, çon në rritjen e shpenzimeve të skemës dhe ndikon në deficitin e saj”, është shprehur drejtoresha e përgjithshme e ISSH-së znj.Vjollca Braho. Specialistët sqarojnë se, “me të vërtetë në Europën Perëndimore është barazuar mosha e daljes në pension i grave me burrat, por gratë shqiptare janë më të lodhura, (gratë punojnë dhe në shtëpi) nuk mund të krahasohen me gratë e Europës”.

    Ulja e moshës së pensionit për minatorët

    Qeveria ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të llogaritur efektin financiar që do të ketë në skemën e sigurimeve shoqërore, ulja e moshës së pensionit të minatorëve nga 60 vjeç në 55 vjeç. Pas iniciativës për të ndryshuar skemën e pensioneve, qeveria po përpiqet për të rishikuar edhe moshën e pensionit për minatorët. Në rast se kjo do të ndodhë në këtë skemë do të përfshihen 12.800 minatorë në të gjithë vendin. Ky angazhim u bë publik nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj gjatë inspektimeve në një nga minierat e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrëz.

    Pensionet profesionale

    Specialistët thonë se ulja e moshës së pensionit për minatorët do e rëndonte më tej skemën e pensioneve. Ata japin si zgjidhje të vetme pensionet profesionale që implementohen nëpër botë, sigurisht sipas një skeme të caktuar. Shteti shqiptar duhet që në kontratat që parashkruan me firmat koncensionare, t’i detyrojë sipërmarrësit që të paguajnë sigurimin shoqëror të minatorëve te skemat private. Në këtë mënyrë minatori merr një pension te privati, derisa të mbushë moshën për pension shtetëror. Specialistët shprehen se kjo është e vetmja mënyrë që të mos ngarkohet skema e pensioneve dhe gjithashtu të bësh të mundur mbajtjen e premtimit për uljen e moshës së pensionit për minatorët.

    STATISTIKA TË SIGURIMEVE SHOQËRORE

     Të ardhurat e Sigurimeve Shoqërore 30,808 milionë lekë

    Shpenzime për përfitime 37,719 milionë lekë

    Subvencioni 12,399 milionë lekë

    Kontribues (numër mesatar) 602,736 persona

    Masat e kontributit

    Masa e kontributit për të vetëpunësuarit në qytet 5,489 lekë

    Masa e kontributit për të vetëpunësuarit në bujqësi

    për zonat fushore 2,250

    për zonat malore 1700

    Masa e kontributit për sigurimin vullnetar 4,208 lekë

    Pensionistë

    Pensione urbane 408,234

    Pensione rurale 153,072

    Pensioni sipas kategorive

    Pensioni maksimal në qytet 24 548 lekë

    Pensioni minimal në qytet 14.1724

    Pensioni minimal në fshat 8233 lekë

    Pensioni i plotë i fshatit 9123 lekë

    Trajtimet e veçanta, 80 % e tyre financohen nga buxheti i shtetit

     Një nga problematikat që shqetëson ISSH-në për të cilën duhet një reformim thelbësor është: “Niveli mjaft i lartë i mbulimit me subvencione shtetërore të skemës suplementare dhe trajtimeve të veçanta. Rreth 80% e shpenzimeve të skemës suplementare financohet direkt nga Buxheti i Shtetit”. Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të ISSH-së znj. Vjollca Braho trajtimet suplementare po fundosin skemën aktuale të pensioneve, pasi 80 % e tyre financohen nga buxheti i shtetit. Siç dihet, disa profesione trajtohen ndryshe dhe me një përfitim ekstra, ndërsa disa kategori përfitojnë pa kontribuar.  Sot në këtë skemën suplementare janë përfitues 30 205 individë, ku pjesa më e madhe, gati 20 966, janë ish-ushtarakë, më pak minatorët 3641, apo policët 2049. Numri i atyre që përfitojnë nga kjo skemë është dy herë më i lartë sesa ata që kontribuojnë. Në total, kontribuues janë 16 973 individë. Nga këta, pjesa më e madhe janë policë 9 137, më pas ushtarakë 4 268 dhe nëpunësit, që janë 3 488. Një sërë kategorish janë përfituese të drejtpërdrejta të kësaj skeme, por jo kontribuuese të saj. Kështu, në këtë pjesë përfshihen minatorët, dëshmorët, pilotët apo profesione të tjera të lidhura me industrinë ushtarake. Nëse ndërmerret ky hap, atëherë shteti duhet të bëjë mirë llogaritë me këto kategori.

    Skema e sigurimit suplementar dhe e trajtimeve të veçanta

     TË ARDHURAT

     Të ardhura nga kontributet 379 milionë lekë

    Financime me destinacion nga Buxheti i Shtetit 2,762 milionëlekë

    Totali i të ardhurave  3,142 milionë lekë

    PJESËMARRËS NË SKEMË (numër)

    sigurimi shtetëror suplementar 3,488

    sigurimi shtetëror i policisë së shtetit 9,137

    sigurimi suplementar ushtarak 4,268

    statusi “profesor” 80

    Kontribuues (numër mesatar) 16,973

    SHPENZIMET

     Shpenzime sipas skemave 2,339 milionë lekë

    PËRFITUESIT E SKEMËS (numër)

    sigurimi shtetëror suplementar 1,590

    sigurimi suplementar ushtarak 20,966

    trajtimi i veçantë i punonjësve të nëntokës 3,641

    statusi “dëshmor i atdheut” 372

    trajtimi i veçantë për pilotët fluturues në pension 266

    trajtimi i veçantë i punonjësve të industrisë ushtarake 681

    sigurimi shtetëror i policisë së shtetit 2,049

    trajtimi i veçantë për detarët e nëndetëseve në pension 67

    statusi “profesor” 573

    Përfitues (gjithsej) 30,205