Pronat çame u takojnë të zotëve

    405
    Sigal

     Edhe pse zgjidhja e problemit çam duhet kërkuar te politika e diplomacia, forma më e prekshme e saj është prona e atyre që u larguan me forcë nga trojet e tyre më 1944-1945,  por edhe e kohës kur ata nuk ishin përzënë zyrtarisht. Problemi i pronave çame në ligjet ekzistuese greke është klasifikuar në kapitullin B të Ligjit të Pronave që titullohet “pasuri armike, konfiskim konservativ”. Në të thuhet “Ndalohet edhe është i pavlefshëm çdo disponim i këtyre pasurive prej një zotëruesi armik ose në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji”. Pas viteve 1944-1945 kur popullsia çame u dëbua me forcë nga trojet e saj, nga pronat që trashëgonin nga të parët e tyre, këto prona u kadastruan edhe u hipotekuan nga kadastra greke si pasuri e shtetasve grekë Ato u riinventarizuan prej shtetit grek dhe u kaluan në zotërim të Bankës Agrare Greke me qendër në Igumenicë dhe në Janinë. Në vitet e mëvonshme këto prona iu dhanë banorëve që kolonizuan pronat çame.  Nga qeveria greke herë pas here janë ndërmarrë edhe miratime ligjesh që vështirësojnë zgjedhjen e problemit të mprehtë të pronës. Në librin e tij “Epiri, vendi, nacionalizmi shqiptar” botuar në Athinë 1992 shkruhet “Gjykata Speciale për kolaboracionistët e Janinës, me vendimin nr. 344 datë 23.05.21945, vendosi që të dënonte në mungesë 1300  myslimanë  dhe shumë prej tyre, me vdekje. Duhet theksuar se autori i mësipërm ka qenë disa herë Ministër i Jashtëm i Qeverisë Greke. Deklarata më e dhimbshme e tij për ne shqiptarët, është “Sot në Thesproti nuk ka asnjë çam shqiptar”. Në rrjedhojën e këtij problemi shumë të mprehtë që përcakton  edhe gjeopolitikën e sotme shqiptare duhet thënë se argumenti i përdorur nga qeveria greke  jo vetëm në Luftën e Dytë Botërore, por edhe më vonë është se ” ata, çamët, ishin bashkëpunëtorë të nazizmit”  Si pasojë e këtij cilësimi që përbën një krim të vërtetë të ri pas atij që iu bë atyre në vitin 1944-1945 është edhe persekutimi politik ndaj tyre në një kohë kur vetë shteti grek ka kryer gjenocid edhe kundër njerëzimit në dëm të çamëve. Si është e vërteta?  Pas luftës u ngrit një komision i përbashkët shqiptaro-grek për të shqyrtuar pasuritë shqiptare në Greqi që ishin konfiskuar, por edhe sot e kësaj dite ai nuk ka ndihmuar që të zgjidhet ngërçi i pronave. Akoma ky problem është i pazgjidhshëm. Edhe pse shumë faktorë politikë dypalësh të kohës madje edhe ata ndërkombëtarë e reduktojnë zgjidhjen e problemit vetëm tek prona, ajo duket ende e largët.